RTK nuk është televizion publik, por zëdhënëse e Qeverisë

LVVLëvizja VETËVENDOSJE! ka mbajtur sot një konferencë për media, me ç’rast shprehu shqetësimin  në lidhje me kapjen e RTK-së nga klani Pronto, dhe veçanërisht me veprimet e fundit të Menaxhmentit të televizionit publik.

Nënkryetari i parë, Dardan Sejdiu, dhe deputetja e nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, përveç se folën për gjendjen e rëndë të transmetuesit publik RTK, kërkuan reagim nga asociacionet dhe organizatat e shoqërisë civile në lidhje me padrejtësitë e këtij mediumi ndaj opozitës, pasi që ditëve të fundit iu mohua e drejta e paraqitjes kryetarit të VETËVENDOSJE!-s, Visar Ymerit.

Nënkryetari Sejdiu tregoi se RTK  i mohoi Ymerit paraqitjen në emisionin ‘Debat’ të Ridvan Berishës, ndonëse fillimisht kryeredaktori Xhymret Veliu ishte përgjigjur pozitivisht për zyrën e mediave të VETËVENDOSJE!-s. Ai tha se kjo ishte ndërhyrje e menaxhmentit të RTK-së, që kishte marrë këtë vendim “për shkak të gjuhës kritike ndaj RTK-së nga ana e VETËVENDOSJE!-s”.

“Ky vendim është dëshmi që deklaratat tona ndaj RTK-së janë të vërteta. RTK është kapur nga Qeveria dhe klani Pronto dhe është shndërruar në televizion që mbron krimin e organizuar qeveritar në Kosovë. Politikat redaktoriale të televizionit tonë publik bëhen nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli”, u shpreh nënkryetari Sejdiu, i cili poashtu ftoi organizatat e shoqërisë civile dhe asociacionet që të reagojnë ndaj këtij rasti.

Kritika të ngjashme kishte edhe në fjalën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, e cila përmendi rastin e sulmit me bombë në RTK, të cilin sulm RTK e lidhi me VETËVENDOSJE!-n, teksa Prokuroria e Policia ende nuk kanë gjetur fajtorët.

“RTK është bërë si shtëpi për Qeverinë dhe klanin Pronto. Kur Isa Mustafa mbanë konferencë për të gënjyer popullin, RTK e transmeton direkt në gjitha kanalet e saj. Kur Hashim Thaçi i drejtohet qytetarëve për t’i mashtruar e frikësuar, RTK e transmeton direkt në gjitha kanalet e saj. RTK i shfaq direkt kërcënimet dhe gjuhën ofenduese të Isa Mustafës e Hashim Thaçit, kurse i pengon kritika racionale dhe e drejtë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, theksoi ndër të tjera, deputetja Dërguti.

Duke e quajtur RTK-në propagandues të drejtpërdrejtë të Qeverisë dhe duke e krahasuar këtë rast me vendet autoritare, u kërkua reagim dhe mobilizim ndaj padrejtësive të tilla. (LVV)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>