Sot, nga mediat mësuam që aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Salih Zyba, i është ngritur aktakuzë për pjesëmarrjen e tij në aksionin për ngritjen e flamurit kombëtar shqiptar në hyrje të Prishtinës.
Salih Zyba është aktivist shembullor. Ai është luftëtar i lirisë, pjesëmarrës në tre luftëra çlirimtare, në Kosovë, Luginë e Maqedoni. Përveç kësaj, ai është edhe zyrtar shembullor i Komunës së Prishtinës. Përmes përkushtimit të tij vetësakrifikues, Salih Zyba si drejtues i sektorit të inspeksionit, ka qenë një prej njerëzve më të rëndësishëm për ndaljen e degradimit urban, dhe për ndaljen e mafisë së ndërtimit.
Për shkak të aktiviteteve të veta të pandërprera, Salih Zyba ka krijuar armiqësi në dy grupe. Grupi i parë është ai i personave që janë pjesë e projektit antishqiptar në Kosovë. Grupi i dytë është ai i personave që kanë interesa në mafian e ndërtimit dhe në degradimin urban të Prishtinës. Të dyja këto grupe kanë interesa të përbashkëta, dhe kontrollojnë politikisht gjyqësorin dhe policinë në Kosovë.
Aktiviteti i Salih Zybës nuk do të ndalet prej këtyre gjykimeve të urdhëruara politikisht. Aktiviteti patriotik i shqiptarëve në Kosovë i ka rezistuar stuhive të mëdha, dhe ka për t’i rezistuar edhe dhunës së dëshpëruar, që urdhëron pushteti aktual, injorant e i korruptuar.
Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Salih Zybës. Ngritja e flamurit kombëtar nuk është krim. Ndalimi i mafisë së ndërtimit nuk është krim.
4 mars 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!