I dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin vizitoi Beogradin dhe Prishtinën për të rikonfirmuar përkushtimin e qeverisë gjermane për dialogun Kosovë-Serbi dhe Procesin e Berlinit.
Marrëveshjet e arritura deri tani në dialogun Kosovë Serbi duhet të zbatohen, ka kërkuar i dërguari special i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Sipas tij, procesi i dialogut ka bërë më shumë se 10 vjet, ka ardhur koha kur kërkohen rezultate konkrete. Emisari gjerman erdhi të mërkurën mbrëmë në Prishtinë nga Beogradi, ku takoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. “Besoj se është e qartë progresi që duhet të arrihet në bisedime. Kemi disa marrëveshje që nuk janë përfundimtare. Duhet të ballafaqohemi me problemet që janë trajtuar në marrëveshjet e Brukselit. Në fund na duhet marrëveshja për normalizim të plotë të nënshkruar nga të dy palët”, tha Sarrazin, gjatë një interviste për mediumin publik të Kosovës.
Njohja reciproke qëllim i dialogut
Sarrazin e shikon përmbushjn e marrëveshjeve të nënshkruara nga Kosova si pjesë të marrëveshjes finale. Nuk duhet të ketë mungesë të vullnetit për dialog, tha ai. I pyetur rreth qëndrimit të qeverisë gjermane për njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi, Sarrazin tha se këtë e ka bërë të qartë kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz gjatë vizitës në Ballkan. “Nganjëherë pala serbe flet për njohjen në anën negative, por është bërë krejtësisht e qartë nga vizita e kancelarit Scholz në rajon, se njohja është qëllimi dhe presim nga Kosova të flasë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, u shpreh Sarrazin, sipas të cilit, “është thënë shumë qartë se kjo nuk përbën kërcënim ndaj shtetësisë së Kosovës”.
Kurti: Kosova ka treguar vullnet për dialog parimor
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga ana e tij, tha në një njoftim të shkurtër për medie se “lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Kosova ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë’. “Qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit pas takimit me Sarrazin.
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, tha se vizitoi Beogradin dhe Prishtinën para mbajtjes së Samitit në kuadër të Procesit të Berlinit në fillim të nëntorit i deklaruar nga kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz. Sipas kryeministrit të Kosovës, në takim me Sarrazin u bisedua për marrëdhëniet rajonale, ndërsa “u theksua rëndësia e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit”.
Manuel Sarrazin ka shpresa nga samiti i Procesit të Berlinit në nëntor. “Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në nëntor, do të jetë një shenjë për të nxitur oreksin për këtë proces”. Manuel Sarrazin, vizitoi Beogradin dhe Prishtinën vetëm pak ditë pas vizitës së emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, i cili shoqërohej edhe nga dy këshilltarët e kancelarit Scholz dhe presidentit francez Macron. Sarrazin tha se “caktimi i këshilltarit gjerman që ta ndihmojë Lajçakun është mbështetje për dialogun” dhe sipas tij, “edhe në koalicionin brenda qeverisë gjermane, dialogu është prioritet për qeverinë e Gjermanisë”.
dw