Schwendiman: Gjykata e Posaçme nuk është kundër Kosovës as UÇK-së

SchwendimanKryeprokurori në largim i Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë, David Schwendiman, i cili përfundon mandatin e tij më 31 mars, tha të enjten se puna e dhomave të specializuara, siç quhet gjykata, nuk synon ndryshimin e historisë dhe as nuk është e drejtuar kundër ndonjë organizate, grupi, apo bashkësie etnike.

Ai bëri këto komente gjatë një fjalimi në universitetin Leiden në Hagë të Holandës ku është edhe selia e gjykatës.

Në një njoftim të zyrës së tij, ai citohet të ketë thënë se “aktualisht Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke analizuar dhe vlerësuar rreth 700 mijë faqe dokumentacion që përfshin rreth 70 mijë shkresa, si dhe rreth 6 mijë materiale të tjera të ngjashme, ndër të tjera videofilmime, fotografi, transkripte dhe sende të tjera të mbledhura gjatë hetimeve të deritashme”.

Sipas tij “detyra kryesore e prokurorit është përcaktimi i përgjegjësisë; përgjegjësi individuale për krime të vërtetuara jashtë dyshimit të arsyeshëm në bazë të provave të mbledhura me mjete dhe mënyra të pranuara si të ndershme dhe të besueshme jo vetëm në bazë të standardeve ndërkombëtare, por edhe në sistemin vendor përkatës”.

Ai theksoi se puna e Dhomave të Specializuara nuk është sulm kundër historikut të pavarësisë së Kosovës, apo të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Bashkimi Evropian nuk ka investuar për këtë, as Shtetet e Bashkuara nuk më dërguan këtu për këtë. Askush prej nesh nuk është angazhuar për ndryshimin e historisë, e as kundër ndonjë organizate, grupi, apo bashkësie etnike. Qëllimi ynë i vetëm është që të bëjmë çfarë na mundësojnë ligji dhe provat për vërtetimin e veprimeve të individëve”, tha ai.

Sipas tij, në bazë të rregullores së dhomave, para dorëzimit të një aktakuze, prokurori duhet të bindet se “ekziston dyshim i bazuar mirë se një i dyshuar ka kryer, ose ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara”.

Mes tjerash ai vuri në dukje, siç tha, përkushtimin e vazhdueshëm të punonjësve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve të cenueshëm, ndërsa nënvizoi edhe vështirësitë e procesit të mbledhjes së dokumentacionit dhe gjetjes së dëshmitarëve dhe materialeve të tjera që mund të kenë vlerë provuese, duke argumentuar se për këtë duhet durim, këmbëngulje si edhe diplomaci.

David Schwendiman, i jep fund detyrës së tij më 31 mars të këtij viti, për shkak të siç thuhet, “skadimit të emërimit të tij si oficer i Lartë për Shërbim të Jashtëm në Departamentin Amerikan të shtetit.

Në një shpjegim të dërguar nga zyra e tij, ai citohet të ketë thënë se, “kjo duhet të ndodhë sepse administrata amerikane nuk mund të bëjë përjashtim për statusin tim si pensionist i ri angazhuar në shërbim, diçka që ligji nuk më lejon të ndryshoj, pavarësisht nga ajo se shumë mund të dëshiroj të qëndroj”.

Në deklaratën e tij thuhet se “nuk po e jep dorëheqje as nuk po shkarkohet” dhe që largimi i tij i shpejtë nuk paraqet një ndryshim në politikat ose zotimin ndaj punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga ana e Shteteve të Bashkuara, nga ana e Bashkimit Evropian ose nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi.

David Schwendiman, është emëruar në postin e kryeprokurorit të Gjykatës së Posaçme në shtator të vitit 2016. Në dhjetor të vitit 2014, ai ishte emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e pretendimeve të raportit të Këshillit të Evropës për krime lufte në Kosovë.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

Më 22 dhjetor 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të muajit shkurt, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”.

Zyrtarët perëndimorë pohojnë se Gjykata do të ndihmojë heqjen e reve të zeza mbi Kosovën dhe “nuk do të gjykojë një popull, nuk do të gjykojë luftën e asnjë ushtrie dhe asnjë etni”.

Edhe zoti Schwendiman, në deklaratën e tij rreth largimit nga posti thekson se parimi kryesor i punës “gjithmonë ka qenë përgjegjësia individuale – duke mbajtur njerëz përgjegjës për veprat e veta, për çfarë kanë bërë si individë, Puna jonë asnjëherë nuk ka qenë për ndryshimin e historisë ose për të veçuar grupe të caktuara për dënim”, kishte deklaruar ai më 15 shkurt të këtij viti, derisa po njoftonte largimin e tij. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>