Opozita e bashkuar mbajti sot konferencë për media ku folën Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, si dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Visar Ymeri tha se protesta e djeshme, me masivitetin e saj ka qenë një protestë jashtëzakonisht e mirë. “Është një nga protestat më të mira që ka ndodhur në Kosovë, dhe përmes saj qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë dëshmuar në mënyrë referendumi se janë kundër kësaj qeverie dhe se e duan këtë qeveri të hiqet sa më parë. Qytetarët e Republikës së Kosovës dje kanë ardhur në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës, në sheshin Skenderbeu, për t’i treguar Qeverisë së Republikës së Kosovës se nuk ka as legjitimitet demokratik, e as legalitet institucional që të vazhdojë tutje”, theksoi Ymeri, i cili në emër të tri subjekteve opozitare falënderoi të gjithë qytetarët që kanë marrë pjesë dje në protestën e opozitës së bashkuar, si dhe të gjithë ata që përgjatë këtyre ditëve janë angazhuar për ta bërë këtë protestë kaq madhështore.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, theksoi se protesta e 9 janarit ka qenë një nga protestat më masive e më madhështore që kanë ndodhur në Kosovë. “Një protestë e tillë, me mesazhe të qarta, madhështore e paqësore, nuk mund ta zbehë askush dhe asgjë. Qytetarët e Kosovës të të gjitha moshave pa dallim dje në sheshet e Prishtinës quan dy mesazhe: se Kosova është aktive dhe nuk pranon të qeveriset nga një Qeveri që e ka shkelë Kushtetutën; dhe se populli nuk i beson më kësaj qeverie. Kërkojmë dorëheqjen e kësaj Qeverie. Të dalim nga kjo krizë politike dhe vendi të shkojë në zgjedhje, e kështu të bien të dy këto marrëveshje që janë kundërkushtetutese dhe kundër interesave të Republikës së Kosovës”, tha Limaj.
Kurse Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Kosova është keq, për shkak të udhëheqjes që edhe ka udhëhequr gabimisht, edhe ka marrë vendime të rrezikshme për vendin. “Dje qytetarët e Kosovës kanë kërkuar që Mustafa e Thaçi të shkojnë. Tani ora ka filluar, e koha numëron që këta të reflektojnë. Sot jemi këtu që t’iu themi të gjithë atyre që ishin dje fizikisht – faleminderit, dje ka qenë dita juaj”, tha Haradinaj në fund të kësaj konference.
10 janar 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Nisma për Kosovën