Sejdi Thaçi nga fshati Zajm i komunë së Klinës, i zhdukur që 17 vjet, është kthyer i gjallë në shtëpi. Familjarët e tij deklaruan se Sejdiu është zhdukur në Pejë me 6 janar 1999.
Në atë kohë ai është marrë nga forcat serbe pas rastit në kafiterinë ‘Panda’ kur u vranë disa të rinj serbë. Më vonë, për këtë vrasje u mor vesh se ishte kryer nga vetë forcat serbe për të krijuar pretekst për të vrarë shqiptarët.
Hysen Thaçi, djali i vëllait të të kthyerit Sejdi Thaçi, deklaroi në Klan Kosova se të afërmin që deri më tash ishte i zhdukur, e kishin kërkuar gjithkund.
“Kemi kërkuar gjithkah me ADN dhe nëpër organizata të ndryshme por nuk e kemi gjetur”, tha Hysen Thaci.
Sipas tij, axha është kthyer në shtëpi javën e kaluar rreth orës 8 e 30 minuta, por që aktualisht është në gjendje jo të mirë shëndetësore.
“Gjendja shëndetësore e tij nuk është aq e mirë as psikikisht as fizikisht”, tha ai.
“Nuk ka shumë njohuri se ku ka qëndruar por vetëm i kujtohet kur është arrestuar”, tha Hysen Thaçi, nipi i të kthyerit.
“Nuk mundet të tregojë nga fillimi deri në fund se çfarë ka bërë, ku ka jetuar e si është kthyer apo si ka shpëtuar”, tha ai.
“Aq sa ka treguar, axha ka ardhur deri në kufi në veri të Kosovës, pastaj deri në shtëpi me një taksist nga Skenderaj”.
Për më tepër, Hysen Thaçi tregoi se sipas fjalëve të axhës së tij, deri para pesë muajve ka qenë bashkë me një person tjetër gjithashtu i zhdukur.
“Ai thotë se ka qenë me një person tjetër i cili ka vdes para 5 muajve. Nuk mund të flasim për persona të tjerë apo me emra sepse nuk duam të japim shpresa, por organet përkatëse duhet të merren me të”, tha ai.
Familja Thaçi, sot i ka njoftuar organet përkatëse për këtë rast, pasi kanë pritur derisa gjendja e tij shëndetësore është forcuar pak.
“Deri më sot nuk kemi dashur të japim më shumë shpresë askujt. Por tash duhet që organet përkatëse që merren me të pagjeturit të merren me këtë rast”, tha ai Hysen Thaçi.
Ky është rasti i parë që pas 17 vjetësh, një persin që konsiderohej i zhdukur, kthehet i gjallë në shtëpi.
Madje emri i Sejdi Thaçit, figuron i gdhendur edhe në pllakën përkujtimore në Klinë, ku janë të vendosur emrat e të pagjeturve.
Hysen Thaçi, djali i vëllait të të kthyerit, Sejdi Thaçi duke dhënë intervistë në Klan Kosova./KlanKosova