“Më shumë jam e shqetësuar për situatën politike në Ballkanin Perëndimor tani, sesa në vitin 2010, kur isha në vizitë për herë të parë në rajon”.
Këtë ia tha senatorja Jeanne Shaheen, Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, gjatë raportimit të këtij të fundit në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit.
Senatorja Shaheen, ditë më parë, bashkë edhe me dy senatorë të tjerë, nga Partia Demokratike dhe Republikane, vizituan rajonin, përfshirë Kosovën, ku patën takime me presidenten Vjosa Osmani e zyrtarë të tjerë të shtetit.
Ajo tha se atë çfarë Putin ka filluar në Ukrainë, dhe ndikimi i tij malinj, mund të gjendet në Ballkanin Perëndimor.
“Jam veçanërisht e shqetësuar për situatën në Bosnje e Hercegovinë pasi vendi është mbërthyer nga korrupsioni dhe lidershipi i dobët. Pastaj kjo mënyra me tre presidentë është vetvetiu jofunksionale”, tha senatorja Shaneen.
Ajo shpjegoi se në Sarajevë patën mundësinë të takohen me drejtues të EUFOR-it, misionin e NATO-s, si dhe forcave të BeH, raporton RTKlive.com.
“Me të gjithë që biseduam ngritën shqetësime për lojën e Rusisë për të ri-autorizuar forcat e EUFOR-it kur të ngritët si çështje tani dhe s’ka plan ‘B’ se çfarë të bëhet lidhur me këtë”, u shpreh ajo.
Nga ana e tij, Sekretari amerikan, Blinken, në përgjithësi u pajtua me ato çfarë deklaroi senatorja.
“Në përgjithësi, me agresionin rus në Ukrainë, nënvizohet urgjenca për integrim të këtyre vendeve në BE”, tha Blinken, raporton RTKlive.com.
“Ne kemi qenë të angazhuar në të gjitha aspektet e saj, siç është marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë, apo ndihma për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut drejt anëtarësimit në BE dhe Bosnja e Hercegovina për të cilën ndaj shqetësimet e njëjta me ju”.
Ndërkohë, senatorja Shaneen tha se është në kontakte edhe me Ndihmës-Sekretares Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.
Kjo e fundit aktualisht ndodhet në vizitë zyrtare në vendet e Ballkanit perëndimor.
Turin e saj të vizitave ajo e nisi të hënën me Kosovën, për të vazhduar në Maqedoninë e veriut, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë e Serbi.
rtk