Qeveria e Kosovës, thotë se muri që po ndërtohet në pjesën veriore të urës mbi Ibër do të shembet. Autoritetet lokale serbe thonë, se muri nuk do të shembet, sepse është pjesë projektit të BE-së për rinovimin e urës.
Komuna e veriut të Mitrovicës e banuar me shumicë serbe ka filluar ndërtimin e një muri në pjesën veriore të Urës mbi Lumin Ibër, që ndan qytetin në dy pjesë. Ndërtimi i këtij muri ka ngjallur reagimin e qeverisë së Kosovës, e cila tha se ky mur bie ndesh me lirinë e lëvizjes dhe si i tillë do të shembet, sepse, nuk është pjesë e një plani të BE-së për revitalizimin e urës mbi lumin Ibër. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se “Qeveria e tij do ta trajtojë murin, që po ngrihet nga autoritetet lokale serbe në veri të Mitrovicës, sipas ligjeve në fuqi”.
“Çështja e murit do të trajtohet sipas ligjit nga organet kompetente. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësionor si dhe komuna, e cila është e detyruar ta zbatojë ligjin. Po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, që ka projektin komplet për rekonstruimin e urës. Ne nuk do ta nxjerrim gjoksin dhe nuk do t’i tregojmë muskujt, sepse muskujt dhe gjoksin e tregon ligji dhe ne duhet ta respektojmë ligjin”, thotë kryeministri Isa Mustafa. Ministrja për dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë, se ndërtimi i këtij muri është jashtë marrëveshjes dhe si i tillë muri do të shembet.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së veriut të Mitrovicës, Goran Rakic, i është përgjigjur menjëherë kryeministrit Isa Mustafa dhe ministres Edita Tahiri duke thënë, se muri që po ndërtohet në pjesën veriore të Mitrovicës nuk do të rrënohet.
“Ai mur është një mur mbështetës për urën dhe po ashtu për nivelim dhe muri do të shërbejë edhe si një siguri fizike në zonën e këmbësorëve si dhe për izolimin nga zhurma”, thotë Goran Rakic, për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug. Sipas tij, muri është pjesë e rregullimit të një shëtitoreje në rrugën afër urës qendrore dhe për këtë projekt janë të njoftuar edhe Prishtina edhe Bashkimi Evropian.
Revitalizimi i urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, është pjesë e e një marrëveshjeje në dialogun Kosovë-Serbi, për heqjen e barrikadës që me muaj ka qëndruar mbi urën e Ibrit, duke penguar lirinë e lëvizjes. Këtë projekt e ka marrë përsipër ta realizojë Bashkimi Evropian. Ministrja për dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, thotë se ajo tashmë ka ftuar një delegacion të BE-së, që të vijë në Kosovë dhe ta shohë vetë situatën, e bindur që serbët e veriut të Mitrovicës po punojnë jashtë marrëveshjes së Brukselit. Zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijanqic, nuk ka dashur të flasë nëse serbët e veriut po punojnë jashtë planit të BE-së, por ka përsëritur atë që është në marrëveshje, “renovimin e urës dhe hapjen për qarkullim më 20 janar”.
“Marrëveshja për urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë konsiston në renovimin e vet urës së Mitrovicës, me fonde të BE-së dhe kthimin e saj në një shëtitore. Ura mbi lumin Ibër do të rihapet më 20 janar të vitit 2017, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel”, thotë për mediet lokale Maja Kocijançiç.
Muri në veri të urës së pjesës veriore te Mitrovicës po ndërtohet pas gati katër vjet të dialogut Kosovë-Serbi dhe ku tensionet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve kanë rënë ndjeshëm. Mirëpo, shumë organizata të shoqërisë civile u kanë drejtuar një letër të gjitha autoriteteve në Kosovë dhe atyre ndërkombëtare që ta organizojnë një takim sa më parë me qytetar në Mitrovicë dhe ta sqarojnë situatën, sepse sipas tyre “muri ka krijuar konfuzion, paqartësi e tensione te qytetarët e Mitrovicës”.
“Punimet e fundit rreth urës së Ibrit, kanë krijuar konfuzion, paqartësi dhe tensione tek qytetarët e Mitrovicës, duke ngjallur reagime të ndryshme dhe mosbesim sa i përket marrëveshjeve të arritura në Bruksel nga palët përfshirëse në dialog. Mungesa e transparencës në procesin e dialogut dhe mospërfshirja e qytetarëve ka ndikuar shumë që ky mosbesim të rritet”, thuhet në letrën e shoqërisë civile. Në këtë linjë ata kanë ftuar për të hënën (12.12) të gjitha autoritet që t㐷 organizojnë në Mitrovicë një takim me qytetarë dhe ta sqarojnë situatën e krijuar.
Më 19 prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, ku deri tash janë arritur një sërë marrëveshjesh. Njëra ndër marrëveshjet ishte edhe liria e lëvizjes, ku përfshihej edhe heqja e barrikadave në veri të Kosovës të vendosura nga serbët lokal. Një barrikadë e tillë ishte edhe mbi urën qendrore mbi Lumin Ibër. Për heqjen e kësaj barrikade u përfshi edhe vet Bashkimi Evropian, që mori përsipër revitalizimin e urës duke e shndërruar atë në një shëtitore, që do të lidhë dy pjesët e qytetit të Mitrovicës atë veriore e banuar me shumicë serbe dhe atë jugore me shumicë shqiptare. Sipas njoftimit zyrtar të BE-së, projekti i revitalizimit të urës do të përfundojë më 17 janar 2017, ndërsa për qarkullim ura do të jetë e lirë nga data 20 janar 2017. (dw)