Ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian u ka kërkuar delegacioneve të Kosovës e Serbisë që të arrijnë kompromis për çështjen e targave të automjeteve. Marrëveshja duhet të arrihet deri nesër.
Nga e mërkura delegacionet e Kosovës dhe Serbisë diskutojnë për dy ditë në Bruksel rreth çështjes së targave të automjeteve. Janë dy ditët e fundit, para se të skadojë afati i një marrëveshjeje të përkohshme, ku të dy vendet me letër ngjitëse mbulonin simbolet shtetërore në kalimet kufitare të automjeteve në vendet përkatëse. Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, ka kërkuar nga të dyja vendet që të arrijnë kompromis për çështjen e targave të makinave, kjo kur kanë mbetur vetëm dy ditë nga gjetja e një zgjidhjeje afatgjatë për këtë çështje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “për Kosovën, është i padiskutueshëm dhe panegociueshëm parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme dhe për çështjen e targave”. “Më 21 prill është afati i fundit kur do të duhej që të merremi vesh për targat. Unë e di që parimi i reciprocitetit do të jetë aty, ndërkaq për aspektet teknike e kemi grupin tonë teknik, i cili merr pjesë atje si dhe kryengeciatorin, i cili po bisedon se si ta gjejmë një zgjidhje. Por, ajo që e di që është e padiskutueshme, e panegociueshme është parimi i reciprocitetit si thelb i çfarëdo zgjidhjeje të ardhshme”, deklaroi kryeministri Kurti.
Deklaratat e Kurtit nxitën menjëherë reagimin e Beogradit zyrtar, që i sheh këto deklarime si kërcënuese. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se “deklarata të tilla nuk janë gjë tjetër veçse një kërcënim i parakohshëm dhe nuk kanë të bëjnë fare me respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani”. Sipas Petkoviq, “Beogradi do të jetë pala përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe së pari do të kujdeset për serbët”. “Nëse ai vërtetë është i përkushtuar për ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës së qëndrueshme në Kosovë dhe më gjerë, në Ballkanin Perëndimor, Kurti do të kishte mundësuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kështu do të kontribuonte në stabilizimin e situatës në terren dhe respektimit të të drejtave të popullit serb në Kosovë”, është shprehur Petkoviq.
Stano: Përgjegjësi e palëve të pajtohen për një zgjidhje
Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano, nga ana e tij, tha në Bruksel se “BE-ja i ka ndihmuar të dyja delegacionet për të identifikuar zgjidhjet, por është përgjegjësi e palëve që të pajtohen për një zgjidhje. Ne presim nga to që të ketë përparim deri më 21 prill”, tha Stano. Sipas tij, “Bashkimi Evropian, dëshiron t’ua rikujtoj palëve edhe një herë se tani është urgjent që të arrihet një qëndrim i përbashkët. Secila marrëveshje për targat kërkon fleksibilitet politik dhe kompromis nga të dyja palët”, tha Stano. Në Bashkimin Evropian besohet se “ka hapësirë për kompromis” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se ka mundësi që të gjendet një zgjidhje, që do të ndihmonte jo vetëm lirinë e lëvizjes, por do të shënonte një kthesë pozitive në dialogun Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet pikërisht nga Bashkimi Evropian.
Më 30 shtator të vitit të shkuar me ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme të targave. Marrëveshja e përkohshme pasoi vendimin e 20 shtatorit të Qeverisë së Kosovës që vendosi masën e reciprocitetit për çështjen e targave serbe. Me këtë masë çdo automjet i Serbisë që hynte në territorin e Kosovës duhet të merrte targa provuese. Ideja ishte që këto targa provuese të ishin të vlefshme për 60 ditë dhe të kushtonin pesë euro. Edhe qytetarët e Kosovës të cilët kishin targa RKS përgjatë 10 viteve të shkuara kur hynin në territorin e Serbisë, paguanin rreth pesë euro për targat provuese, që vlenin për 60 ditë. Masa e reciprocitetit e vendosur nga qeveria e Kosovës për targat nxiti protesta dhe bllokada të rrugëve nga serbët e veriut, të cilët shtatorin e kaluar bllokuan rrugët që çonin në dy pikëkalimet kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
dw