Serbia mban ushtrime ushtarake pak ditë pas incidentit në veriun e Kosovës

ushtria serbeNën vështrimin e mprehtë të presidentit Aleksandër Vuçiç dhe diplomatëve të huaj, ushtria e Serbisë përveshi muskujt të enjten duke shtënë me municione lufte në një sulm të improvizuar ndaj pozicioneve të kryengritësve në një terren stërvitjesh në lindje të Beogradit.

Stërvitja me emrin e koduar “Sinergjia 2018″, u krye tri ditë pasi policia e Kosovës përdori forcën për shpërndarjen e protestuesve serbë në qytetin e Mitrovicës në veriun e Kosovës dhe për një kohë të shkurtër e mbajti të arrestuar një zyrtar të qeverisë serbe.

Incidenti përkeqësoi marrëdhëniet edhe ashtu të tensionuara në mes të Serbisë dhe Kosovës, ish-krahinës së saj jugore e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, pas një lufte të përgjakshme një dekadë më herët.

Komandanti i armatës serbe, gjenerali Lubisha Dikoviç, tha se stërvitjet që përfshinë më shumë se 900 trupa ishin pjesë e ushtrimeve të planifikuar për vitin 2018.

“Ne gjithmonë kemi pasur ushtarë të mirë, duam të kemi edhe më shumë të tillë…duam që ata të jenë edhe më të stërvitur”, u tha ai gazetarëve në terrenin e stërvitjeve Pasuljanske Livade.

Buxheti ushtarak i Serbisë për vitin 2018 është 70.5 miliardë dinarë, (afërisht 595 milionë euro), 23.6 për qind më i lartë se vitin e kaluar.

Forcat e saj përdorin kryesisht teknologji sovjetike të viteve të 80-ta dhe Beogradi dëshiron të modernizojë pajisjet. Disa nga armët e përdorura në stërvitje ishin të vjetruara, por ende funksionale.

“Ne i nxorëm nga magazinat, i rinovuam … dhe siç mund ta shihnit, ato punonin mirë,” tha presidenti serb Vuçiç.

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por një nga pak vendet e Ballkanit që nuk janë anëtare të aleancës së NATO-s, e cila është shumë jopopullore ndër serbët që nga fushata e bombardimeve të vitit 1999 që dëboi forcat serbe jashtë Kosovës. Paqeruajtësit e NATO-s janë ende atje.

Në vitin 2006, Serbia, e cila ka zgjedhur neutralitetin ushtarak, u bashkua ne programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n dhe në vitin 2015, nënshkroi Planin Individual të Veprimit të Partneritetit – shkalla më e lartë e bashkëpunimit midis aleancës dhe një vendi që nuk synon të anëtarësohet.

Serbia gjithashtu ruan lidhjet e ngushta ushtarake me Rusinë, aleaten e saj tradicionale ortodokse dhe sllave. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>