Serbia tha se do të hakmerret, nëse Franca nuk dorëzon Ramush Haradinajn

Ramush1Serbia tha se do të injorojë në të ardhmen çfarëdo kërkese për ekstradim nga Franca dhe vendet tjera evropiane, nëse drejtësia franceze nuk e dorëzon ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Qeveria serbe u mblodh të premten në një takim emergjent pas vendimit të gjykatës së apelit në Colmar të Francës lindore për të liruar me kusht ish kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, që u ndalua në fillim të janarit në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Zoti Haradinaj do të pres në Francë deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës së Serbisë për ekstradimin e tij. Serbia e akuzon zotin Haradinaj për krime lufte gjatë kohës kur ai ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare që luftonte kundër forcave serbe.

Lirimi i tij me kusht nxiti reagimin e Beogradit. Presidenti serb Tomislav Nikoliç, tha se ky është rezultat i trysnisë së vendeve të Bashkimit Evropian.

Qeveria e Serbisë kërkoi të premten siç tha ekstradimin e menjëhershëm të zotit Haradinaj, ndërsa u kërcënua se do të hakmerret jo vetëm ndaj Francës por edhe të gjitha vendeve tjera që injorojnë urdhër arrestet serbe.

Autoritetet serbe thanë se u kanë dorëzuar organeve franceze edhe prova të reja kundër zotit Haradinaj dhe në aktakuzën e zgjeruar nga prokuroria serbe, janë përfshirë edhe 30 dëshmitarë.

Zoti Haradinaj tha të enjten në gjykatën e apelit në Francë se akuzat serbe janë plotësisht politike, ndërsa procesin e vlerësoi si abuzim me ligjin.

Institucionet dhe partitë politike në Kosovë thanë se lirimi i tij me kusht është i pamjaftueshëm dhe se autoritetet franceze të drejtësisë duhet të përmbyllin sa më parë rastin ndaj tij. Zoti Haradinaj është shpallur dy herë i pafajshëm nga akuzat për krime lufte në Gjykatë Ndërkombëtare në Hagë.

Ky është rasti i dytë që zoti Haradinaj ndalohet në bazë të një urdhër arresti serb. Në qershor të vitit 2015 ai u ndalua në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, derisa po kthehej nga një vizitë zyrtare në Berlin.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, Interpol që mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Ndalimi i tij në bazë të urdhër arrestit serb ka shtuar tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu të vështira ndërmjet Kosovës e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe Serbisë që vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj, megjithëse është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>