Institucionet e Kosovës nuk administrojnë me hekurudhat në veri të vendit.
Administrimi mbi këto hekurudha nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, nga ajo periudhë, linjat hekurudhore në veri janë nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe.
Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia, kohë më parë, kanë nënshkruar marrëveshjet për zhbërjen dhe shuarjen e strukturave paralele, por ato vazhdojnë të mbajnë ndikimin e tyre në zona të banuara me shumicë serbe në Kosovë.
Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos”, e cila merret me infrastrukturën hekurudhore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se linja hekurudhore në veri të Kosovës që nga viti 2008, shfrytëzohet ilegalisht nga autoritetet në Serbi.
Thaçi tha se nuk është ndonjë risi nëse me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse mund të ketë ndonjë organizim me tren enkas nga Beogradi në veri të Mitrovicës.
Siç shpjegon Thaçi, në veri të Kosovës nga Serbia çdo ditë realizohen qarkullime në dy linja të trenave.
“Nuk është ndonjë risi sepse nga viti 2008, ne nuk kemi ndonjë qasje atje. Kjo dihet botërisht që Republika e Serbisë e ka uzurpuar pjesën veriore të Kosovës të hekurudhave dhe që nga 2008 hekurudhat e Kosovës nuk administrojnë në atë pjesë”, tha Thaçi.
Tutje, Thaçi tha po ashtu se edhe përkundër vërejtjeve të shumta, si nga faktorët vendor ashtu edhe ata ndërkombëtarë, Serbia ka vazhduar duke operuar me linjat hekurudhore në veri të Kosovës.
“Edhe Komisioni Evropian e ka pranuar dhe ne e dimë të gjithë që ajo pjesë do të duhej dhe është de-jure nën administrimin e hekurudhave të Kosovës. Ndërsa, faktikisht, që nga shpallja e pavarësisë, ata kanë bërë invazion, e deri atëherë, hekurudhat e Kosovës kanë operuar me trenin e lëvizjes së lirë dhe atë të mallrave”.
“Siç e dini, strukturat paralele kanë marrë nën kontroll atë pjesë dhe njëkohësisht hekurudhat e Serbisë bashkë më strukturat paralele kanë vazhduar që të operojnë në atë pjesë dhe ne nga atëherë nuk kemi pasur qasje”, tha Thaçi.
Kurse, Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e hekurudhave do të duhej të ishte një nga temat për të cilat do të duhej të diskutohej në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Për më tepër, ministri Zharku tha se nuk janë në dijeni se si dhe në çfarë mënyre trenat nga Serbia hyjnë në Kosovë.
“Jo, nuk kemi informacion”, tha shkurt ministri Zharku duke shtuar se Ministria e Infrastrukturës harton vetëm politika për tregun hekurudhor dhe të tjera.
“I kemi pak kompetencat e përziera. Është Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, është Infrakosi dhe Infrakosi i raporton Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe nuk i kemi kompetencat e ndara”, tha Zharku.
Në anën tjetër, Agron Thaçi, kryeshef në kompaninë “Infrakos”, thotë se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, janë duke u vonuar në hapjen e temave për hekurudhat në dialogun me Serbinë.
“Ne si Hekurudha të Kosovës presim që çështja e hekurudhës të zgjidhet në negociata politike në Bruksel. Presim që kjo të jetë çështje e temave të reja të cilat janë në pritje, pra temat transporti hekurudhor dhe ai ajror”, tha Thaçi.
Ndërkohë, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha se për Radion Evropa e Lirë, se çështja e hekurudhave të Kosovës nuk është diskutuar ende në dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo çështje ende nuk ka qenë temë e diskutimeve”, tha Tahiri.
Kurse autoritet doganore të Kosovës kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pas kontrolleve policore, doganierët herë pas here bëjnë dhe kontrollet rutinë në kufij.
Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.
Infrastruktura hekurudhore në Kosovë, nga ekspertë të kësaj fushe shumë herë është konsideruar e nivelit jo të mirë, që sipas tyre, për një modernizim të hekurudhave investimet janë të domosdoshme. (REL)