Sërish gaz lotësjellës në Parlamentin e Kosovës

Opozita në Kosovë e vendosur të vazhdojë të bllokojë punimet e parlamentit derisa, siç thonë, kryeministri të tërheqë marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave serbe dhe atë për kufirin me Malin e Zi.

gaz lotsjelles parlament ksMegjithë masat e shtuara të sigurisë brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, partitë politike opozitare sërish arritën të fusin gazin lotësjellës brenda sallës plenare duke pamundësuar kështu zhvillimin normal të punimeve në kuvend. Opozita kosovare nuk lëkundët nga qëndrimi i saj, “tërheqja e nënshkrimeve të kryeministrit Isa Mustafa, nga dy marrëveshje: ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacioni në kufirin me Malin e Zi”.

Sapo kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, tentoi të nisë punimet e seancës, deputetët e opozitës hodhën gazin lotësjellës duke detyruar deputetët që të largohen nga ambientet e parlamentare. Shefi i Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca deklaroi publikisht se ishin pjesëtarë të policisë së Kosovës që kanë i ndihmuar deputetët ta fusin gazin lotsëjellës në mjediset e parlamentit.

Ndërkohë, policia e Kosovës sipas zëdhënësit të saj, Baki Kelani, e quan të pavërtetë deklaratën e Lëvizjes Vetëvendosjes se është policia ajo që ka ndihmuar futjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. “Deklarata e shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, se policia ka ndihmuar që ta fus gazin lotsjellës në kuvend nuk është e vërtetë, kjo është deklaratë tendencioze për të diskredituar policinë e Kosovës. Ky qëllim i këtij deklarimi dëshiron të krijojë konfuzitet tek qytetarët. Kjo është një luftë speciale e këtij deklarimi kundër policisë së Kosovës”, thotë zëdhënësi i policisë Baki Kelani.

Policia thotë se situata e sigurisë në rrugët e Prishtinës paraqitet e qetë dhe sipas tyre policia është e përgatitur që të përballet me çfarëdo situate. Disa qindra qytetarë kryesisht aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë grumbulluar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në mbështetje të deputetëve të opozitës.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka udhëzuar qytetarët amerikanë që mos ta frekuentojnë sheshin qendror të Prishtinës, për faktin që aty mund të ketë, siç thuhet në njoftim, protesta të opozitës kundër marrëveshjeve të fundit politike.

Tash për tash akoma është e paqartë se si do të mundësohet rifunksionalizimi i kuvendit. Kryeministri Isa Mustafa, pas kthimit të tij nga Brukseli ku ishte i ftuar së bashku me kryeministrin e Serbisë, nga shefja e diplomacisë evropiane, tha se Kosova duhet të ecë përpara e nuk ka kthim prapa. Ai thotë se për çdo gjë duhet zhvilluar debat i bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese. “Qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë pasigurinë që prodhojnë situatat konfliktuale me prapavijë betejën për pushtet. Ne kemi përgjegjësi t’i udhëheqim ata për aq sa ata na kanë besuar me vullnetin e tyre. Konform atij vullneti, ne duhet të sillemi në institucionet e shtetit. Debat në Kuvend në vend të bllokadës. Argumente në vend të akuzave. Vizion për të ardhmen e jo kthim prapa. Kosova ka institucione me legjitimitet qytetar dhe të njohur e mbështetur ndërkombëtarisht. Kosova duhet dhe do të ecë përpara”, thotë kryeministri Isa Mustafa.

Ura mbi Ibër – BE: shtyhet rivitalizimi

Ndërkohë po të enjten (15.10) ishte parashikuar nisja e punimeve për rivitalizimin e urës qendrore mbi lumin Ibër që ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë. Mirëpo, zyra e BE-së në Prishtinë njofton se kjo është shtyrë për të paktën 48 orë.

“Bashkimi Evropian do ta shtyjë për maksimalisht 48 orë fillimin e rivitalizimit të urës në Mitrovicë dhe hapësirën përreth saj, e planifikuar për të filluar sot, për t’ju dhënë të gjitha palëve kohë shtesë për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme. Kjo shtyrje e shkurtër duhet të mundësojë përmbylljen e diskutimeve rreth Memorandumit të Mirëkuptimit mbi kufijtë komunal në mes të komunave Mitrovica Veriore dhe Mitrovica Jugore. BE-ja është e përkushtuar për arritjen e një konsensusi mes të gjitha palëve para fillimit të punimeve në mënyrë që rivitalizimi të bëhet qetësisht në interes të qytetarëve”, thuhet në njoftim të zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së, në Prishtinë.

Forca të shtuara të policisë janë pozicionuar në urën qendrore mbi Lumin Ibër edhe pse as në pjesën veriore dhe as në atë jugore nuk kishte qytetar të grumbulluar. Rivitalizimi i urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë është parashikuar në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes e arritur më 25 gusht 2015 ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në takimin e fundit joformal të dy kryeministrave, ai i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, zhvilluan të martën (13.10) me shefen e diplomacisë evropiane Federika Mogherini, u zotuan në zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut të deritashëm Kosovë-Serbi. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>