Serweri rreth qasjes së SHBA-së ndaj Kosovës: Më lehtë të thyhet rezistenca e mikut, sesa e kundërshtarit

Daniel-Serwer

Serwer, në emisionin “Desku” të KTV-së ka thënë se fakt është që “Thaçi nuk mund ta japë Mitrovicën veriore e as Vuçiqi pjesën më të madhe të Preshevës, nuk e besoj se ka marrëveshje”.

“Porse çfarë të fortët po bëjnë është që po insistojnë të nxjerrin diçka dhe t’ua fusin me zor të tjerëve, gjë që po bëhet me heqjen e taksës – tek u bënin presion njerëzve që ta hiqnin”, ka thënë ai.

Tërë këtë gjendje ai e ka cilësuar si bullizëm diplomatik.

E për të, kjo gjë “nuk bëhet dot me miqtë e Amerikës, porse Amerikës i duket më lehtë ta thyejë rezistencën e mikut sesa të kundërshtarit”.

“Është e qartë se Serbia është nisur nga drejtimi i Kinës dhe i Rusisë. Nuk ka hequr dorë nga ambicia evropiane, porse është duke e kontrolluar me restaurimin e shumë aspekteve të autokracisë”, ka thënë ai.

Analisti Serwer vlerëson se SHBA-ja duhet të përqendrohet më shumë në këtë problem, sesa të rrëzojë një qeverinë e zgjedhur demokratikisht të Kosovës.

Sipas tij, dialogu duhet të shtyhet dhe t’i presë zgjedhjet e Serbisë, që do të duhej të mbaheshin në prill.

“Duhet të ketë qeveri demokratike edhe në Kosovë. E besoj se do të ishte e mençur për Kosovën që ta shtyjë procesin e dialogut deri në nëntor kur ndodhin zgjedhjet në Amerikë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk ka fitore të lehtë në këtë mes.

“Nëse Grenelli do të vazhdojë me marrëveshjet për transport dhe marrëveshjet që janë të dobishme ekonomikisht për të dyja palët, këtë qasje do ta përkrahja sepse nuk e po shoh që ka ndonjë marrëveshje të mirë politike”, ka thënë ai.

Ajo që po shihet, ka thënë Serwer, janë “ca përmirësime që janë të dobishme për popujt e Kosovës dhe Serbisë”.

 

Serwer: Grenelli përçmues ndaj BE-së, kjo e vështirëson procesin

 

Për Serwerin, forma e vetme produktive sa i përket dialogut është bashkëpunimi i SHBA-së me BE-në.

E kjo, sipas tij, do të jetë shumë e zorshme.

“Grenelli e ka shprehur shumë herë përçmimin për BE-në dhe jo vetëm përçmimin. Ai madje është treguar armiqësor ndaj BE-së”, ka thënë ai.

E kjo, për të, është arsyeja që “vështirë se mund të imagjinohet bashkëpunimi amerikano-evropian, që është jetik për një marrëveshje të vërtetë”.

“Nuk mund t’ju them se kush do të fitojë porse e di se në nëntor do ta dini se kush do ta udhëheq administratën për katër vjetët e ardhshme dhe kjo do ta përcaktojë shtegun e veprimit. Nuk shoh shumë perspektivë deri nga nëntori pos me këto gjëra më të vogla, ekonomike”, ka thënë ai.

Serwer ka shtuar se shpëtimi qëndron tek bashkimi i shqiptarëve.

“Serbët thonë se vetëm bashkimi i shpëton serbët. E kjo është e vërtetë edhe për kosovarët: Vetëm bashkimi i shpëton kosovarët”, ka thënë ai.

Ai e ka konsideruar esencial dakordimin e gjërë midis forcave politike kosovare, cilado të jetë marrëveshja me Beogradin në të ardhmen.

“Duhet të jenë dy të tretat e forcave politike kosovare. Duhet të ketë pajtim për çka bëhet dhe të përfaqësohet aty ku bëhet”, ka thënë ai.

22:55

Serwer: Mbase nuk ka plan të dakorduar Thaçi-Vuçiq, por janë vizatuar harta

Serwer, eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, ka thënë se duhet pyetur Thaçin rreth rolit të tij për bashkëpunimin me Grenellin.

“Porse unë mendoj se shumë presion i bëhet Thaçit. Gjithkush në Prishtinë e beson se ky presion ka të bëjë me Gjykatën Speciale. Nuk e di nëse është e vërtetë ose jo. Por e zbulon sjelljen e administratës Trump për ta përdorur Gjykatën Speciale për të bërë trysni ndaj një shefi të shtetit të huaj. Këtë e shoh si ndryshim të politikës ndaj Kosovës”, ka thënë ai në emisionin “Desku” të KTV-së.

E ai ka thënë se kjo kurrë nuk kishte ndodhur me administratat e mëparshme.

“As me administratë republikane të G.W. Bush, dhe as me ato dy demokratike

të Clintonit dhe Obamas”, ka thënë analisti Serwer.

Serwer është pyetur edhe rreth rolit të LDK-së, e cila e nisi mocionin e mosbesimit, duke e paraqitur si bazë mos-heqjen e taksës nga kryeministri Kurti, me gjithë kërkesën e Grenellit.

“Mua më duket se LDK-ja është e përçarë. Duket se një pjesë e LDK-së, sidomos Isa Mustafa dhe tjerët e donin rrëzimin e Qeverisë, kurse Vjosa Osmani dhe të tjerë nuk e donin. Se çfarë është marrëveshja që e bën një anëtar koalicioni ta braktis koalicionin janë gjëra të vështira për t’u ditur. Porse kjo punë është kryer në Prishtinë, dhe pyetjen duhet shtruar në Prishtinë”, ka thënë ai.

Të enjten, Departamenti amerikan i Shtetit lëshoi një deklaratë të përbashkët të Grenellit, ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmerit, lidhur me Kosovën.

Për Serwerin, e rëndësishme në atë letër është ajo që nuk thuhet.

“Nuk e thotë se Palmeri dhe Kosnetti nuk e kanë parë marrëveshjen e fshehtë. Thotë se vetëm Grenelli nuk i ka parë, dhe nuk e besoj se ky është një deklarim i besueshëm, për shkak se të gjithë e dimë se disa plane të tilla kanë qarkulluar publikisht e çka është më me rëndësi, që të dy Thaçi dhe Vuçiqi e kanë pranuar se kanë diskutuar këmbimin e territoreve. Grenelli di për këto biseda sikurse edhe inteligjenca amerikane që di për to”, ka thënë ai, duke shtuar se për të, nuk janë të besueshme këto përpjekje për t’i mohuar planet ekzistuese për këmbim.

“Mbase nuk ka plan të dakorduar, porse hamendësoj se ka harta që janë këmbyer dhe se ka harta”, ka thënë ai.

Deklarata e përbashkët e tre politikanëve, për të, nuk është kredibile.

“Po të donin ta bënin kredibile, në fund të saj aty ku thuhet ‘qëllimi është njohja e ndërsjellë’’, ka thënë ai.

Ai ka thënë “se plane janë diskutuar, janë vizatuar edhe harta”.

“Nuk e di se kush i vizaton dhe as çfarë ka në to. Porse, kjo punë po zhvillohet ka disa vjet dhe është e pabesueshme që të mos jenë diskutuar detaje specifike, mund ta besoj se nuk ekziston një plan i vetëm sekret i dakorduar, këtë mund ta besoj, ngase besoj se e gjithë kjo punë është e kotë dhe zhvendos vëmendjen”.

22:36

Serwer: Ndryshimi i politikës amerikane karshi Qeverisë së Kosovës nisi me Boltonin, rol pati lobimi serb

Eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer, ka folur në emisionin “Desku” në KTV për ndikimin e SHBA-së në vendimmarrjen politike në Kosovë.

Ai ka thënë se në Washington, ku të gjithë janë të preokupuar me COVID-19, nuk po flitet për Kosovën, ndonëse është e qartë që zotërinjtë Grenell, Palmer dhe Kosnett janë të interesuar shumë rreth kësaj.

“Janë të interesuar, nuk e tregojnë pse saktësisht janë të interesuar. Mbase janë duke u përpjekur ta arrijnë një triumf në politikën e jashtme për këtë administratë. Presidenti e ka ofruar ceremoninë në Rose Garden. Po supozoj se ndonjëherë do të pyesë se ‘ku në djall mbeti kjo marrëveshje për Kosovën që ma keni premtuar’”, ka thënë ai, duke shtuar se “është e natyrshme që të tre duhen të kujdesen për karrierat e tyre, dhe kjo është një gjë normale”.

Të mërkuren, në Kuvendin e Kosovës u votua mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, në kohën kur vendi po përballet me krizën e koronavirusit. Mbajtja seancës për votimin e këtij mocioni u përshëndet nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Sipas analistit Serwer, Qeveria amerikane nuk e deshi Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij dhe vendosi që të bëjë çfarë të mundte që të ndihmojë rrëzimin e Qeverisë.

“U treguan të suksesshëm duke ushtruar trysni mbi LDK-në dhe deshën që mocioni të zhvillohej në Kuvend. Kur Qeveria e SHBA-se thotë: ‘e përkrah popullin e Kosovës’, kjo do të thotë se nuk e përkrah Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai.

E kërkesa e SHBA-së, sipas tij, është veprim i dënueshëm.

“Më duket shumë veprim i dënueshëm kërkesa e SHBA-së për veprim të njëanshëm nga Kosova, e jo veprim reciprok nga Serbia. Porse këtë e kërkuan. E bënë shumë të qartë që e donin shuarjen e krejt taksave në formë të njëanshme, pa veprim reciprok nga Beogradi”, ka thënë ai.

Për Serwerin, një gjë e tillë e demonstron mosmiqësinë e SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Se përse e ka ndërruar Grenelli qëndrimin, pasi që në fillim kërkonte kushte edhe nga Serbia, do të duhej ta pyesnit atë, porse bindja ime është se lobimi në favor të Serbisë ka qenë i suksesshëm në Ëashington. Bindja ime është se e kanë bërë një lëvizje që arriti në Shtëpinë e Bardhë. E besoj se ka të bëjë me nacionalizmin etnik, pa që thotë ‘ne jemi serbë dhe duam t’i qeverisim vetëm serbët, pse nuk na ndihmoni’. Dhe kështu Grenelli me shokë kanë simpati për këtë qasje. Duhet theksuar se ndryshimi i politikës amerikane kundër Qeverisë së Kosovës nisi me zotin Bolton, i cili ishte kundërshtar i madh i pavarësisë së Kosovës. Atë që po e shohim është ndërrim dramatik në politikën amerikane”, ka thënë ai.

Serwer për deklaratën e SHBA-së për Kosovën: E rëndësishme është ajo që nuk thuhet
Departamenti amerikan i Shtetit e lëshoi këtë deklaratë të përbashkët të të dërguarit të posaçëm të administratës Trump, Richard Grenellit, ambasadorit Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmerit, lidhur me Kosovën, të enjten:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë pranë popullit të Kosovës. I lëvdojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetësisë dhe të të tjerëve që po punojnë me mund e me rrezik të madh për të zvogëluar përparimin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë pasigurie, i nxisim udhëheqësit e Kosovës që t’i përmbahen Kushteturës së Kosovës dhe sundimit të ligjit. Jemi të përkushtuar për të punuar me çfarëdo qeverie të formuar përmes procesit kushtetues. 

Përveç kësaj, vazhdojmë t’i nxisim udhëheqësit e Kosovës për ta hequr plotësisht taksën. Ne besojmë se taksa po e dëmton popullin e Kosovës duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përshirë edhe duke vonuar hyrjen në Kosovë të furnizimeve të nevojshme – dhe po pengon rritjen ekonomike.

Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë plan të fshehtë për shkëmbim të tokës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I dërguari i posaçëm presidencial, Richard Grenell kurrë nuk ka parë apo diskutuar një plan të tillë. Përqendrimi i qeverisë amerikane për t’i mbështetur marrëveshjet e kohëve të fundit për rivendosjen e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim që të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë momentum ekonomik. Ne besojmë se ky momentum do t’i japë energji të re procesit të dialogut që do të çonte te njohja e ndërsjellë”.

Deri në një masë, kjo do të mund të quhej përgjigje për analizën “Një marrëveshje e keqe” e Shaun Byrnesit, e postuar këtu në “Peacefare”, dy javë më parë, por njëkohësisht është edhe përpjekje për ta justifikuar politikën jomiqësore të administratës Trump karshi qeverisë së Kosovës, së udhëhequr nga Albin Kurti.

Ta analizojmë në vijim secilin paragraf:

Fraza “qëndron pranë popullit të” flet shumë, pasi që përdoret për ta bërë dallimin midis popullit dhe qeverisë së një shteti të jashtëm. Këtë frazë amerikanët e përdorin për armiqtë si Iranin: Ne i qëndrojmë pranë popullit të Iranit. Ambasada amerikane e kishte lëshuar një deklaratë të pazakontë, duke e mbështetur mbajtjen e votës së mosbesimit që e rrëzoi qeverinë e kryeministrit Kurti, deklaratë kjo e lëshuar në fillim të javës. Kjo ndodhi me gjithë kundërshtimin evropian ndaj votës së mosbesimit. Esenca është e qartë: Në momentin kur qeveria e Kosovës po përballej me sfidën e COVID-19, administrata e Trumpit vendosi sidoqoftë që ta shtyjë rrëzimin e qeverisë.

Duke e nxitur tërheqjen e plotë të njëanshme të tarifave, shpërfillet parimi themelor i diplomacisë: reciprociteti. Administrata Trump është duke i kërkuar Kosovës që ta përmbushë një kusht të Serbisë, pa asgjë në shkëmbim. Ajo që e ka kërkuar Prishtina është pezullimi i fushatës së çnjohjeve, e ndërmarrë nga Serbia anembanë botës. A është njëmend e tepërt që një shteti që dëshiron që Kosova t’ia blejë mallrat, t’i kërkohet t’i ndalë përpjekjet për t’i bindur shtetet tjera ta sprapsin njohjen e Kosovës? Sido që të jetë, Kurti i hoqi disa prej tarifave njëanshëm dhe shfaqi gatishmëri të shkojë më tej, madje pa sinjalin më të vogël të reciprocitetit nga Serbia. Ku është presioni mbi Serbinë për reciprocitet?

Qëndrimi se Grenelli nuk ka parë kurrë ndonjë plan, nuk është i besueshëm. Disa plane, me origjinë të paqartë, janë publikuar. Presidentët Thaçi dhe Vuçiq i janë referuar diskutimeve për shkëmbim territoresh. Madje edhe nëse SHBA-ja nuk ka qenë e përfshirë në to (gjë që ka pak gjasa të ketë ndodhur), inteligjenca amerikane do të kishte raportuar për këto diskutime, përfshirë edhe për hartat e shkëmbyera. Grenelli është ushtrues detyre i Inteligjencës Shtetërore amerikane. Vlen të theksohet se Kosnett dhe Palmer nuk përmenden në këtë mohim, pra se nuk e kanë parë ndonjë plan. Kjo lë të kuptohet se ata e kanë parë.

Ngjashëm si shumë deklarata tjera të qeverisë, edhe kjo na tregon më shumë bazuar në atë që nuk e thotë, sesa në atë që është thënë, ndonëse përfshin një gjë të rëndësishme: fjalinë në fund që i referohet njohjes reciproke. Por, duhet theksuar se edhe aty nuk përmendet një gjë. Nëse shkëmbimi i territoreve nuk është duke u negociuar, atëherë është dashur të shkruajë “njohje reciproke brenda kufijve të tyre ekzistues”, apo “njohje reciproke të sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Ja cka shkruante ne tetor 2018:

Serweri thotë se shkëmbimi i territoreve në Ballkan do ta bëjë Kosovën provincë të Shqipërisë

Do të doja të ndreqja gjykimin tim të djeshëm se emërimi i Richard Grenellit si i Dërguar Special Presidencial për negociatat për paqe mes Serbisë dhe Kosovës është i çuditshëm. Me gjasë është më keq se aq, madje edhe tragjik. Shpejtoj të shtoj se nuk kam biseduar me Shtëpinë e Bardhë për këtë. Nuk ka nevojë: për mua, ata gënjejnë aq shumë për t’u mbështetur në çkado që thonë ata”.

Kështu ka thënë Daniel Serwer, ekspert amerikan i çështjeve të Ballkanit, në një shkrim të publikuar në blogun e tij Peacefare.net.

Ai thotë se megjithatë, disa gjëra janë të qarta. “Grenell është një protagonist i John Boltonit dhe avokat i ekstremit të djathtë i cili e ka tejkaluar veten duke ofenduar nikoqirët e tij gjermanë. Nëse do donit të krijonit një kauzë të përbashkët me Evropën në Ballkan, Grenelli është amerikani i fundit që do të zgjidhni për këtë detyrë. Gjermanët e kanë bërë të qartë se nuk do të pranojnë shkëmbimin e territoreve në Ballkan. Boltoni ishte avokat i shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Logjika ishte imponuese për një nacionalist etnik: serbët dëshirojnë të qeverisen nga serbët dhe shqiptarët nga shqiptarët. Çdo gjë tjetër është shumë e vështirë. Të drejtat e barabarta janë një kurth liberal-demokratik, si në shtëpi ashtu edhe jashtë”, thotë Serwer në shkrimin e tij, transmeton Koha.net.

Veç kësaj, Serweri thotë se “shkëmbimi i territoreve do të vriste dy arritjet e [Bill] Clintonit me një goditje: Kosova do të bëhej provincë lindore e Shqipërisë, herët a vonë, dhe Bosnja e Hercegovina do të ndahej”.

“Mos u shqetësoni se sa njerëz do të zhvendoseshin apo vdisnin në proces e sipër, apo edhe për radikalizimin e myslimanëve të Bosnjës nëse detyrohen në një Republikë Islamike. Serbia do të jetë aq e lumtur për të fituar veriun e Kosovës si dhe Republikën Serbe sa që do t’i duaj amerikanët përsëri. Mund të jetë e mundshme edhe arritja e një marrëveshjeje me rusët për të njohur aneksimin e Krimesë në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në OKB, e cila nuk do të kishte shumë rëndësi për një kohë të gjatë sepse do t’i bashkohej Shqipërisë gjatë rrugës. Ky është lloji i logjikës së papërpunuar etnonacionaliste që Administrata po aplikon diku tjetër, veçanërisht për Izraelin dhe Palestinën. Pse jo në Ballkan?”, thekson më tej Daniel Serwer.

Ai pyet se çfarë do të thoshte kjo për njerëzit e mirë në Serbi, Kosovë dhe Bosnje.

Thotë se kutia e Pandorës do të hapej me ndryshimet kufitare.

“Serbët do të largoheshin nga pjesa jugore e limit Ibër në Kosovë, shqiptarët do të dëboheshin nga Serbia, myslimanët do të tentonin të merrnin Bërçkon në Bosnjë për të parandaluar ndarjen atje, kroatët e Bosnjës do të shpallnin rikrijimin e parashtetit të tyre Herceg-Bosnj”.

“Me pak fjalë, kjo është një formulë për destabilizimin e Ballkanit, dhe pikërisht këtë e lanë kërkuar rusët. A është e çuditshme nëse Administrata Trump do të tentojë ta bëjë këtë?”, pyet eksperti amerikan i Ballkanit, Daniel Serwer.

Si për ironi, vazhdon Serwer, Sekretari i Shtetit Pompeo ka vizituar Maqedoninë dhe Malin e Zi, dy anëtaret më të reja të NATO-s. Atje, thotë Serweri, Pompeo do të dëgjojë mbi rreziqet që mund të sjellë çdo shkëmbim toke.

“Mali i zi, sepse është qeverisur për shumë vjet me ndihmën e pakicave, nuk është edhe aq në rrezik, ndonëse disa prej shqiptarëve të atjeshëm mund të dëshirojnë të bashkohen me Kosovën dhe shumica e serbëve të atjeshëm janë kundër pavarësisë së saj. Maqedonia është padyshim në rrezik nëse çfarëdo lloj shkëmbimi i territoreve bëhet realitet, edhe nëse shumë shqiptarë atje do të hezitojnë të humbin ujditë e tyre të ëmbla për ndarje pushteti në Shkup”.

“Ju mund të mendoni se Administrata Trump ka mjaft shqetësime të veta të bëra në Lindje të Mesme, në Ukrainë, Kore Veriore, Kinë, Venezuelë dhe në disa vende tjera, edhe pa e ringjallur mumie-idenë e shkëmbimit të territoreve në Ballkan. Por ata duken të përkushtuar, me emërimin e Grenellit, ta fusin edhe Ballkanin në listën e dështimeve të tyre në politikën e jashtme”, ka përfunduar Daniel Serwer.

Serwer: Shqipëria dhe Kosova të largojnë me çdo mënyrë idenë e një Shqipërie të madhe
Daniel Serwer, një nga personalitetet më të njohur të politikës së jashtme dhe njohësit më të mirë të Ballkanit në Uashington D.C, ishte sot i pranishëm në konferencën me temë “Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor”.

Eksperti amerikan për Ballkanin ka nënvizuar se Shqipëria dhe Kosova duhet të largojnë me çdo mënyrë idenë e një Shqipërie të madhe, sepse do kishte pasoja destabilizuese dhe katastrofike, tha ai.

Lidhur me vendimin e 18 tetorit për negociatat, Serwer tha se Francës dhe Holandës duhet ti vijë turp për qëndrimin që mbajtën për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por që kjo tha ai, nuk duhet kurrsesi të pengojë Shqipërinë të ecë përpara dhe të mos rresht në këmbënguljen për anëtarësim, gjë që nuk do ndodhë eventualisht për disa vite edhe sikur të hapen negociatat u shpreh Daniel Serwr.

Fjala e plotë Daniel Serwer:

Ky vend ka bërë përparim fantastik, është anëtar i NATO dhe kandidat për në be. 22 vite më parë ishte në kaos vendi në vijim të skemave piramidale, keni kaluar zhvillim spektakolar ekonomik dhe keni përmbushur kriteret për hapje të negociatave. Rrethanat politike ishin që e ndaluan. Francës e Holandës duhet ti vijë turp si vepruan me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Çështja është se si ti përgjigjemi kësaj vonese kaq të madhe për të njohur atë arritje që Shkupi e Tirana janë krenarë. Jeni të zhgënjyer e acaruar ju mirëkuptoj por kjo s’do ju çojë përpara, përgjigje do jetë angazhimi ndaj reformave, ju jeni ende kandidat mund të përparoni edhe pa të ashtuquajturën negociata. S’duhet të vonojnë zbatimin e kuadrit ligjor evropian. Shumica e të mirave vijnë nga reformat që do merrni. Kjo vonesë do vonojë hyrjen eventuale që nuk do ndodhë gjithsesi edhe për shumë vite

Mal i Zi nuk reshtën të kërkonin, vazhduan duke e ditur mirë që Franca e Holanda s’do i mbështesnin më shumë se sa mbështetën Shqipërinë e Maqedoninë.

Ka dy çështje kryesore, sundimi i ligjit dhe sjellja politike.

Jeni të lodhur prej atyre që predikojnë për sundimin e ligjit, po ju nevojitet jo për ne, por për veten, institucionet tuaja janë më të mira por ju mungon kultura e ligjshmërisë, nuk është e lehtë dhe e pranoj se ka dhe vende në Amerikë që mungon por sundimi i ligjit duhet të triumfojë.

E di që është e vështirë për tu pranuar, por …dita do vijë si këtu dhe në Çikago, ku unë kam jetuar që ti ofrosh punë një kushëriri të kualifikuar është abuzim me detyrën. Dita do vijë kur s’do toleroni politikanë që kanë burime financiare që s’i justifikojnë si shumica e gjyqtarëve që e kanë humbur detyrën për këto arsye. Këto janë vitale për individë të kauliifkuar që s’varen nga lidhjet por kualifikimi. Të jesh në opozitë është frustruese e kuptoj dhe e besoj, por ka rëndësi që qeverisja dhe sistemi…disa mund ti gjykojnë se po tregohem i anshëm por se kam këtë qëllim, po përpiqem t’ju bind se pjesëmarrja është detyrim edhe nëse mendoni se është një mashtrim sistemi.

Çështja është a do jetojnë shqiptarët në 6 vende të ndryshme ballkanike apo do sfidojnë marrëveshjen territoriale? Asgjë s’do ndikonte më shumë ambiciet… Shqipëria e Kosova s’duhet të kërkojë ndryshim kufijsh. Uashingtoni e Berlini nuk do e pranonin kurrë, do kishte pasoja katastrofike e destabilizuese. E duhura është që Shqipëria e Kosova të kujdesen për ato sëmundjet e brendshme të ruajnë marrëdhënie të mira e të ushqejnë marrëdhënie të mira me shqiptarët që jetojnë në vende të tjera. Asgjë që mund të bëjë Franca e Holanda s’mund t’ju pengojë të bëni atë lloj Shqipërie e shpresoj të bëni zgjedhjen e duhur e të mençur” / Koha Jonë.

tetor 2019

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>