Sfidat e qeverisë së ardhshme pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në marrëdhëniet me aleatët e saj

KosovaPartitë politike në Kosovë po vijojnë fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, mes debatesh për problemet e trashëguara dhe ndarjet e thella rreth shumë çështjeve që lidhen me politikat e brendshme por edhe të jashtme.

 

Analistët thonë se kësaj radhe qeveria e ardhshme e vendit do të përballet me sfida shumë më të rënda në një botë shumë më të paparashikueshme.

Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare thotë për Zërin e Amerikës se zgjedhjet e fundit në Evropë dhe Amerikë e kanë ndryshuar kontekstin gjeostrategjik në shumë aspekte dhe për këtë arsye Kosovën e presin sfida të mëdha në vitet e ardhshme.

“Kështu që cilado qeveri që del prej zgjedhjeve të dielës besoj që do të duhet të ketë një fokusim të veçantë sidomos në pozitën e Kosovës në rajonin e Ballkanit po ashtu edhe për pozitën e Kosovës në integrimet e saja euroatlantike edhe pse këto integrime për momentin janë vënë në pikëpyetje për shkak të qeverisë së re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti i së cilës insiston që të zvogëlohet influenca e SHBA-së në Evropë sidomos në sferën e sigurisë. Do të thotë të gjitha këto paraqesin sfida të mëdha për të cilat Kosova vërtetë duhet me qenë e përgatitur që të ballafaqohet me to”, tha ajo.

Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se kushdo që do të themelojë qeverinë pas 9 shkurtit duhet të ndryshojë rrugën aktuale të politikës së Jashtme ose të punojë për një shpjegim më të mirë të realiteteve në terren.

“Cilado qeveri që vjen do të duhet të zgjedh njëra nga këto dyja, ose të vazhdojë me një politikë sa më të butë sa i përket fqinjit tonë verior ose duhet të investojë më shumë në diplomaci dhe komunikim me aleatët në mënyrë që të mos ketë hapësirë për keqkuptime”, tha zoti Gërgi.

Që nga qershori i vitit 2023 Kosova është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të veprimeve të saj në veriun e banuar me shumicë serbe. Edhe zyrtarë të lartë amerikanë të administratës së ish presidentit Joe Biden kishin paralajmëruar në disa raste për përkeqësim të marrëdhënieve në mes dy vendeve për shkak të veprime të pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë thonë se vendi që nga shpallja së pavarësisë asnjëherë nuk ka qenë në një pozicion më të pavolitshëm me partnerët ndërkombëtar. Pjesë e programit të tyre është edhe riparimi dhe thellimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, që sipas tyre është thelbësor për të ardhmen e Kosovës.

“Kosova shtet i pavarur e sovran, i anëtarësuar në NATO dhe Bashkim Evropian, me miqësi të përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon të jetë misioni politik edhe sot”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Do ta forcojmë aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet demokratike të botës”, tha kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

“Duhet me heq mashtruesin sepse duam siguri, siguri të plotë dhe duam siguri të përjetshme. Duam anëtarësim në NATO dhe duam anëtarësim me planin nacional. Duam miqësi me Amerikën prandaj duhet me heq mashtruesin”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kandidati i lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër Albin Kurti, që mban aktualisht këtë post, gjatë shpalosjes së zotimeve të tij tha se do të forcojë edhe më tej marrëdhëniet strategjike të vendit me partnerët ndërkombëtarë.

Por, gjatë një tubimi në Mitrovicë, zoti Kurti tha se nuk do të themelojë Asociacionin e komunave serbe, një kërkesë kjo e vazhdueshme e diplomatëve perëndimorë.

“Republika e Kosovës me qeverinë tonë në udhëheqje i thotë jo kurrë ‘Zajednicës’ dhe po Asociacionit të komunave të Kosovës, ku tash e kemi edhe komunën veriore të Mitrovicës sonë të dashur”, tha zoti Kurti.

I dërguari i posaçëm i Presidentit Donald Trump për misione të veçanta, Richard Grenell, tha se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk është e besueshme. Në një postim në rrjetet sociale ai tha se “retorika e përdorur nga (Albin) Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni” shkroi ai.

Zëri i Amerikës i kërkoi zyrës së Kryeministrit Kurti një koment për deklaratat e zotit Grenell, por deri në përgatitjen e këtij materiali nuk mori përgjigje.

“Kjo deklaratë ishte mjaft e pazakonshme sa i përket një zyrtari të lartë amerikan në një periudhë para zgjedhore, mund të jetë ndoshta edhe një kërkesë për t’u bërë aktorë në zgjedhjet në Kosovë por se duhet të jetë mjaft shqetësuese për vendin tonë duke pasur parasysh se zoti (Richard) Grenell është tani më zyrtarisht i emëruar nga presidenti Trump si zyrtar i qeverisë amerikane pra si zyrtar i posaçëm për misione të veçanta”, tha Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Shpresoj që dikush në administratën e presidentit Trump e kupton rëndësinë që ka Ballkani, rëndësinë gjeopolitike për Evropën, për marrëdhëniet euroatlantike dhe kësi komente të ruhen për ndonjë ditë tjetër. Më mirë kishte qenë që të kemi komente zyrtare prej Shteteve të Bashkuara, mënyra më e mirë kishte qenë që të vijnë pas zgjedhjeve në Kosovë”, tha Engjëllushe Morina nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Zoti Grenell edhe gjatë mandatit të parë të tij si i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, kishte kritikuar zotin Kurti.

Zoti Grenell njihet si autori i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike Kosovë – Serbi që u arrit në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020 Në pranverën e atij viti zoti Kurti tha se zoti Grenell ishte përfshirë në rrëzimin e qeverisë së tij më 25 mars, për shkak të mospajtimeve rreth procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi, por kjo është hedhur poshtë nga diplomati amerikan.

voa

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>