Shaip Kamberi: Koha do t’i konfirmojë temat e fjalimit tim në kuvend

Shaip KamberiShaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë nga lista “Alternativa Demokratike e Shqiptarëve – Lugina e Bashkuar” (DAAUD), thotë se ai nuk ka pritur se do të ketë reagime me nervozë nga udhëheqja e shtetit ndaj deklaratave të tij lidhur me krimet e luftës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kamberi vlerësoi që është normë minimale e civilizimit që shteti të ketë detyrim moral dhe politik, që në procesin e integrimeve evropiane, të hedhë dritë mbi rastet e varrezave masive dhe që ndaj kësaj çështjeje të mbajë qëndrim të civilizuar.

Fjalimi i tij në Kuvendin e Serbisë nxiti një numër të madh reagimesh në opinion dhe në rrjetet sociale. Gjatë këtij fjalimi ai theksoi që një parlament të tillë nuk ka mundur ta prodhojë as Sllobodan Millosheviqi dhe vlerësoi se kjo është e trishtueshme për demokracinë. Siç tha ai për Radion Evropa e Lirë, fjalimin e tij e nisi me fjalët: “Mirëdita, dobar dan!”, në mënyrë që ta përkujtojë kryeministren serbe, Ana Bërnabiq për kërcënimet e të djathtëve ndaj organizatorëve të festivalit me të njëjtin sllogan, si dhe që në këtë mënyrë t’i ofrojë mbështetje festivalit.

Në fjalimin e tij, Kamberi ka bërë thirrje për ballafaqim me krimet e luftës dhe gjatë fjalimit ai është paralajmëruar që të mos përdorë fjalor të tillë, i cili, siç ka thënë kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, “nuk është për shembull”.

“Unë këto ditë, në Bujanoc kam biseduar me shumë serbë, të cilët e mbështesin fjalimin tim. Pra, fare nuk është problemi vetëm te shqiptarët. Unë kam thënë – problemi është që ky shtet po përpiqet të reduktohet në shërbim të vetëm një misioni, një partie dhe atyre që i përkasin një partie”, theksoi Kamberi në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, qëndrimi ndaj pakicave është një provë e lakmusit të demokracisë dhe demokracisë së një shteti, por barra dhe detyrimi i demokratizimit dhe decentralizimit të Serbisë, siç theksoi Kamberi, i përkasin popullit shumicë dhe partive të popullit shumicë, të cilat duhet të nxjerrin në pah procesin e demokratizimit të Serbisë, harmonizimin e legjislacionit, standardeve dhe mendimit të lirë, me standardet e Bashkimit Evropian.

“Para së gjithash, unë nuk jam kurrfarë heroi. Jam vetëm një njeri që është zgjedhur që të përfaqësojë interesat e të gjithë njerëzve, të cilët të ardhmen e Ballkanit e shohin në integrimet evropiane”, tha Kamberi.

Ai gjithashtu theksoi se nuk është i interesuar që të jetë ministër në qeverinë, betimi i së cilës përfundon me fjalët: “do të përkushtohem për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.

“Kjo është e papajtueshme me logjikën tonë dhe me qëllimet tona politike dhe në asnjë rast, as unë personalisht dhe asnjë shqiptar, nuk do ta pranonte atë pozitë”, theksoi Kamberi.

Radio Evropa e Lirë: A keni pritur që fjalimi i juaj drejtuar kuvendit do të kishte kaq shumë jehonë në opinion, para së gjithash, te përfaqësuesit më të lartë të shtetit?

Shaip Kamberi: Kam pritur reagime më të ashpra të deputetëve. Ashtu ishte me rastin e zgjedhjes së Ivica Daçiqit për kryetar të kuvendit, kur thash që nuk do të votoj për dikë që ka lidhje me krimet e luftës dhe më pas reaguan kolegët deputetë. Por, nuk kam pritur reagime me kaq nervozizëm të gjithë kreut shtetëror ndaj konstatimeve të mia të vërteta për krimet e luftës. Kam thënë që është normë minimale e qytetërimit që në rast se varrezat ekzistojnë, shteti ka obligim moral dhe politik që në procesin e integrimeve evropiane, të hedhë dritë mbi këtë dhe që ndaj kësaj çështjeje të marrë qëndrim të qytetëruar. Megjithatë, e vërteta dhemb dhe është e dukshme që në pushtet janë ato parti, të cilat janë në lidhje të drejtpërdrejtë me partitë që i kanë nisur luftërat në ish-Jugosllavi.

Nuk ka dialog për krimet

Radio Evropa e Lirë: Kryeministrja Ana Bërnabiq, duke reaguar ndaj fjalimit tuaj, ka thënë që nuk jeni njeri i dialogut dhe ju ka ftuar që, pasi që tashmë po flisni për krimet, të flisni edhe për krimin në Shtëpinë e Verdhë dhe theksoi që kjo është mënyrë për dialogun dhe besimin që u nevojitet të gjithëve. Si i shihni ju këto fjalë të saj?

Shaip Kamberi: Krimi është krim dhe kudo që ai ndodh duhet të dënohet. Në vendin zyrtar, si përfaqësues zyrtar i shqiptarëve, unë kam kërkuar nga përfaqësuesi zyrtar i Republikës së Serbisë që të shqyrtojë krimet, të cilat gjenden në territorin që është nën kompetencën e saj. Zonja Bërnabiq dhe zotëri Vuçiqi kanë dialog dhe bashkëpunim me kryeministrin e Shqipërisë, si dhe bisedojnë edhe me përfaqësuesit e Kosovës, prandaj këto tema duhet t’ua hapin atyre. Thjesht, kam kërkuar nga zonja Bërnabiq që të kujdeset për oborrin e vet, që të argumentojë se ka apo ndoshta nuk ka varreza masive. Por, mënyra se si është pritur fjalimi im, tregon qartë se ka përpjekje që diçka të mbulohet.

Në krime nuk ka reciprocitet sipas sistemit – ndriçojini ju krimet e juaja e pastaj ne do t’i ndriçojmë tonat. Në asnjë mënyrë nuk mund të barazohet ajo që në emër të Republikës së Serbisë dhe në emër të popullit serb, ka bërë në Kosovë regjimi i Millosheviqit. Politika shtetërore ka dashur që të shkatërrojë një komb. Kjo ka qenë strategjia e udhëheqjes më të lartë të shtetit dhe për këtë janë dënuar me aktvendime të gjykatës ndërkombëtare.

Radio Evropa e Lirë: Paraqitja e juaj në Kuvendin e Serbisë i ka ndezur rrjetet sociale, në të cilat ju kanë ofenduar dhe sulmuar mbi baza të ndryshme dhe ju kanë akuzuar për tradhti të lartë. Si kanë ndikuar te ju reagimet e tilla?

Shaip Kamberi: Unë jam kryetar i një partie, e cila 30 vjet vepron në Luginën e Preshevës dhe e cila për 30 vjet lufton me mjete institucionale për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve. Ka pasur sulme tash, ka pasur edhe më herët dhe do të ketë sulme edhe në të ardhmen, por orientimi im politik, angazhimi im në Kuvendin Popullor nuk do të varet nga ajo se çfarë do të shkruajnë botët në rrjetet sociale. Do të sillem me respekt ndaj të gjithë zgjedhësve që më kanë dhënë votën dhe të cilët presin nga unë që të përfaqësoj atë për të cilën më kanë zgjedhur dhe kështu do të veproj. Secili e ka mendimin e tij për atë se çka dhe si punoj, por besoj që koha do të dëshmojë temat të cilat i kam iniciuar në kuvend.

“Nuk jam hero”

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, përmes rrjeteve sociale kanë arritur edhe një numër lëvdatash, urimesh dhe mbështetje e shprehur, para së gjithash nga sektori joqeveritar, por edhe nga personalitetet publike dhe qytetarët, të cilët ju kanë shpallur hero të mendimit të lirë dhe lider të opozitës serbe.

Shaip Kamberi: Para së gjithash, unë nuk jam kurrfarë heroi. Unë jam vetëm një njeri që është zgjedhur që të përfaqësoj interesat e të gjithë njerëzve që të ardhmen e Ballkanit e shohin në integrimet evropiane. Natyrisht që më vjen mirë kur një (drejtoresha e dikurshme e Fondit për të Drejtën Humanitare) Natasha Kandiq, (kryetarja e Komitetit të Komitetit të Helsinkut për të drejta të njeriut) Sonja Biserko, (sociologia dhe politikanja) Vesna Peshiq…, dhe të mos përmend shumë të tjerë që aq fuqishëm e mbështesin dhe lavdërojnë fjalimin tim. Unë do të vazhdoj që t’i përfaqësoj interesat e të gjithë qytetarëve që të ardhmen e Serbisë e shohin në integrimet evropiane, por unë i takoj një partie të vogël, e cila vepron vetëm në tre komuna.

Sjellja ndaj pakicave është një lakmus demokracie dhe i demokracisë së një shteti, por barra dhe obligimi për demokratizimin dhe decentralizimin e Serbisë i takojnë popullit shumicë dhe partive të popullit shumicë, të cilët duhet të nxjerrin në pah procesin e demokratizimit të Serbisë, harmonizimin e legjislacionit të saj, të standardeve dhe në përgjithësi të menduarit të lirë me standardet e Bashkimit Evropian.

Betimi parlamentar i kontestuar

Radio Evropa e Lirë: Fjalimin tuaj e filluat me “Mirëdita, dobar dan!”, gjë që kritikuesit e kanë parë si provokim. A është “Mirëdita” diçka më shumë sesa një përshëndetje në gjuhën shqipe?

Shaip Kamberi: Së pari, dua të them që mendimin tim, për të cilin mendoj që është i drejtë, do ta them pa marrë parasysh nëse dikush do ta përjetojë si provokim. Ne jemi mësuar me paragjykimet se shqiptarët provokojnë kur i ngrisin dy duart në formën e shqiponjës, në qoftë se luajnë futboll në Beograd dhe japin gol, në qoftë se luajnë më mirë se Serbia dhe edhe atëherë janë provokues.

Këto janë stereotipa të zakonshme që ekzistojnë, në lidhje me shqiptarët, në një pjesë të shoqërisë serbe. Përshëndetja “Mirëdita, dobar dan!” ka qenë përkujtim i imi ndaj të pranishmëve për manifestimin kulturor me të njëjtin emërtim, i cili u zhvillua me mjaft probleme, disa qindra metra larg nga parlamenti.

Aty, kordonëve të policisë u ishte dashur që të mbronin pjesëmarrësit e ekspozitës nga Serbia dhe Kosova nga sulmet e grupeve të krahut të djathtë, tifozëve, huliganëve ose nuk e di nga kush tjetër. Pata dëshirë që në atë mënyrë t’ia përkujtoj Ana Bërnabiqit ato ngjarje dhe t’i jap mbështetje atij manifestimi.

Ajo çfarë duhet të dijë opinioni në Serbi, sipas rregullores së punës së Kuvendit të Serbisë, unë mund ta mbaj të gjithë fjalimin në gjuhën shqipe, sepse kam të drejtë për këtë dhe me siguri se do ta shfrytëzoj këtë të drejtë në ndonjë rast. Por, unë dëshiroj që t’iu drejtohem në gjuhën serbe, në mënyrë që të më kuptojnë të gjithë qytetarët, sepse po të kisha folur në gjuhën shqipe, atëherë, praktikisht, përkthyesi do t’i drejtohej publikut.

Radio Evropa e Lirë: Pasi që prekëm çështjen e përdorimit të gjuhës, a e keni thënë betimin parlamentar?

Shaip Kamberi: E kam thënë ashtu siç e ka lexuar kryesuesja, sepse ajo e vë në plan të parë detyrën e deputetit që të mbrojë “të drejtat njerëzore dhe të pakicave, si dhe liritë qytetare dhe me diturinë dhe aftësinë më të mirë i shërben qytetarëve të Serbisë, të vërtetës dhe të drejtës”. Unë, si njeri, si politikan dhe si deputet, jam i përkushtuar për ato ideale.

Nuk kam kurrfarë kërkese personale – as ndaj presidentit Alleksandar Vuçiq e as ndaj kryeministres, Ana Bërnabiq. Unë fare nuk jam i interesuar dhe besoj që asnjë shqiptar nuk është i interesuar, që të jem ministër në Qeverinë e Serbisë, betimi i së cilës përfundon me fjalët “do të përkushtohem për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”. Kjo është e papajtueshme me logjikën tonë politike dhe qëllimet tona politike, dhe në asnjë rast unë personalisht ose ndonjë prej shqiptarëve nuk do ta pranonte atë post.

Serbia – prej Horgoshit deri në Preshevë

Radio Evropa e Lirë: Pas këtij fillimi të ashpër në kuvend, a do të vazhdoni të shtroni pyetje të papërshtatshme për pushtetin? Çfarë do të jetë në fokusin tuaj?

Shaip Kamberi: Natyrisht, varësisht nga temat që do të paraqiten në Kuvendin Popullor, do të shpërfaq qëndrimet e mia dhe qëndrimet e grupit tim parlamentar, të cilin do ta përfaqësojmë. Çështja e pakicave është një nga çështjet kyçe, si dhe mënyra e trajtimit të pakicave. Ky është shembulli më i mirë i demokracisë së një shoqërie dhe ne do të përpiqemi që këtë temë ta mbajmë në rend të ditës vazhdimisht.

Por, në Serbi ekzistojnë probleme të mëdha, për shkak të së cilave numri i qytetarëve të pakënaqur është gjithnjë e më i madh. Unë këto ditë kam folur me shumë serbë në Bujanoc, të cilët e mbështesin fjalimin tim. Pra, fare nuk është problemi vetëm me shqiptarët. Unë e thash, problemi është që ky shtet po përpiqet të reduktohet në shërbim të vetëm një misioni, një partie dhe atyre që i përkasin një partie.

Ju i dëgjoni akuzat në llogarinë time, se serbët, në fakt, Partinë Progresiste Serbe (SNS), i kam lënë jashtë pushtetit lokal në Bujanoc. Partia ime i ka humbur zgjedhjet në nivel lokal, si dhe vendin e kryetarit të komunës. Po, ajo edhe më tutje angazhohet për respektimin e parimeve të multietnicitetit në komunat tona, të cilat u krijuan në zgjedhjet e vitit 2020. Por, ky parim duhet të jetë universal dhe presidenti i shtetit është pikërisht ai që është i obliguar që të angazhohet që ky parim të jetë universal. Dua të them se nuk mund të kërkohet përfshirja vetëm e serbëve në vetëqeverisjen lokale në Bujanoc dhe vetëm nga radhët e Partisë Progresiste Serbe, sepse në Bujanoc ekziston edhe opsioni tjetër, i cili nuk është në raporte të mira me qendrën e Partisë Progresiste Serbe, ndërkaq që harrohet çështja e përfaqësimit të shqiptarëve në vetëqeverisjen lokale në Medvegjë.

Atje kanë mbetur 500 deri 600 shqiptarë që kanë tre vende në kuvendin komunal, por nuk ka pasur tolerancë dhe vullnet të mirë që edhe ata të marrin çfarëdo roli në pushtet, që edhe ata ta shohin veten si pjesë të vetëqeverisjes lokale në të cilën jetojnë. Pra, problemi është se ekziston një përpjekje për të zbatuar në mënyrë selektive disa parime dhe vetëm kur i përshtatet SNS-së dhe atyre që janë me të.

Presidenti Vuçiq ka qenë dy herë në Bujanoc, një herë sa ishte kryeministër, një herë si president i këtij shteti dhe nuk e vizitoi asnjëherë vetëqeverisjen lokale. Ka pasur takim vetëm me njerëzit e SNS-së dhe atë në një kafiteri. Nuk i mblodhi serbët, nuk erdhi në vetëqeverisjen lokale që nga njerëzit kyç të dëgjojë për problemet me të cilat ballafaqohen banorët e kësaj komune. Pra, fare nuk ka treguar interesim as për shqiptarët, as për romët, por as për serbët që nuk i takojnë SNS-së.

Unë nuk besoj që do të përmirësohet pozita e shqiptarëve në rast se një shqiptar bëhet ministër. Unë besoj që pozita e shqiptarëve do të përmirësohet atëherë ku shteti të vendosë për këtë, që në përputhje me numrin e banorëve në këto komuna të punësojë shqiptarët në institucionet shtetërore. Do të përmirësohet gjendja edhe në qoftë se shteti e sjell ndonjë investues në jug prej Vranjës. Shumë shpesh mund të dëgjohet presidenti Vuçiq se po i hap fabrikat prej Suboticës e deri në Vranjë, sikur kufiri të mos ishte pas Preshevës. Le ta sjellë ndonjë në Bujanoc, Preshevë, Medvegjë, Sjenicë, Tutin… dhe kështu të tregojë që vërtetë angazhohet për të gjithë qytetarët.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Shaip Kamberi – një zë ndryshe në Parlamentin serb

“Është e trishtueshme për demokracinë, sepse një Kuvend të tillë nuk do të mund ta prodhonte as Sllobodan Millosheviqi”, ka thënë shefi i grupit parlamentar Lugina e Bashkuar – SDA e Sanxhakut, Shaip Kamberi, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë, më 28 tetor. Këto fjalë kanë nxitur reagime të shumta të përfaqësuesve të pushtetit në Serbi, por edhe në rrjetet sociale.

“Alleksandar Vuçiqi dhe (Ivica) Daçiqi, janë treguar më efikas sesa baballarët e tyre politikë”, ka theksuar Kamberi gjatë fjalimit të tij.

Sonja Biserko, kryetare e organizatës joqeveritare “Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut” në Serbi, i vlerëson fjalët e Kamberit, si një deklaratë e guximshme.

“Ky është një zë mjaft i fuqishëm i përfaqësuesve të pakicës shqiptare, e cila deri më tash ka qenë në Kuvend, por nuk ka qenë kaq eksplicite dhe mendoj që kjo është një deklaratë e guximshme dhe e domosdoshme për kuvendin serb“, theksoi Biserko për Radion Evropa e Lirë.

Politologu, Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që fjalimi i Kamberit ka qenë përmbajtësor, politikisht korrekt dhe i ndërtuar mbi parimin qytetar. Sipas tij, ky fjalim nuk ishte zë opozitar, por një zë përbashkues i asaj që njihet si Serbi qytetare dhe demokratike.

“I gjithë fjalimi përshkruhej me orientimin evropian të Serbisë, me drejtimin që të ketë demokraci, që të respektohen të gjitha dallimet, si dhe me kritikën ndaj qeverisë aktuale, por edhe të politikës aktuale të presidentit, Alleksandar Vuçiq, që po shkon drejt autokracisë, duke e shtypur çdo zë opozitar”, theksoi Tahiri.

Çfarë tha Kamberi?

Gjatë fjalimit të tij në seancën e Kuvendit të Serbisë, në të cilën u zgjodh qeveria e re serbe, Kamberi vlerësoi se midis 250 deputetëve, opozita përfaqësohet nga vetëm gjashtë deputetë të partive të pakicave dhe deklaroi se grupi i tij parlamentar, i cili përbëhet nga gjashtë deputetë, nuk do të mbështesë qeverinë e re serbe. Si arsye për një vendim të tillë, Kamberi e ka theksuar atë që qeveria e kaluar me në krye Ana Bërnabiqin, nuk ka bërë asgjë për integrimin e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë.

“Unë nuk përfaqësoj as të verdhët, as të kuqtë, as të zinjtë, por shqiptarët e diskriminuar të Luginës së Preshevës”, ka thënë Kamberi.

Ai gjithashtu theksoi se, askush nga pakicat nuk udhëheqë me ndonjërën prej ministrive të qeverisë së re.

“Një koalicion i përbërë nga kinse qendra e majtë dhe e djathtë prodhoi një qeveri totalitare në Serbi, si kurrë më parë, natyrisht përmes procesit zgjedhor. E vërteta e vetme në slloganin ‘Serbia është Evropë’ është ‘Serbia është Bjellorusi’, megjithëse atje ka opozitë, të paktën në rrugë”, ka thënë Kamberi.

Kamberi deklaroi se në Serbi ka “gjuhë të urrejtjes në përdishmëri, seksizëm dhe denigrim të opozitës”. Ai, gjithashtu vlerësoi se ksenofobia po lulëzon, ashtu sikurse etiketimi me emra fyes, i cili ka hyrë në “zhargonin e përditshëm”.

Kamberi vlerësoi gjithashtu se nga Serbia nuk mund të pritet që të zgjidhë çështjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, përderisa, ndër të tjera, vrasja e gazetarit (pronarit dhe kryeredaktorit të së përditshmes “Dnevni Telegraf”), Slavko Quruvija, nuk është zgjidhur.

Deklarata e tij i referohej çështjes së vrasjes së tre vëllezërve Bytyqi – Yllit, Agronit dhe Mehmetit, të cilët u arrestuan më 1999 në hyrje të Serbisë për, siç pretendonin autoritetet e atëhershme serbe, kalim të paligjshëm të kufirin. Pas lirimit nga burgu, pas kryerjes së dënimit, ishin vrarë.

Trupat e tyre u zbuluan në korrik të vitit 2001 në një varr masiv në Petrovo Selo, në Serbinë lindore. Kërkesa për të ndriçuar këtë çështje erdhi në Serbi në disa raste nga instancat më të larta botërore, përfshirë Uashingtonin.

“Unë jam kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, i cili ka avokuar institucionalisht për të drejtat e shqiptarëve që nga vitit 1990, unë kam një pasaportë serbe, por në Serbinë e sotme, nuk kanë rëndësi shtetësia dhe qytetaria.Atëherë si mund të presim lirinë dhe barazinë”, ka thënë Kamberi në fjalimin e tij.

Ai theksoi që më parë “njerëzit kanë ikur për shkak të luftërave, ndërkaq sot ata po ikin për shkak të autoritarizmit”, dhe se “Serbia ka sunduesin e saj, prej të cilin varet fati i secilit prej nesh, duke përfshirë Qeverinë”, duke aluduar në kryetarin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

Kamberi i bëri thirrje kryeministres, Bërnabiq që së bashku me të ta vizitojë Batajnicën, Peruqacin, Petrovo Selon dhe Rudnicën, ku dyshohet se shqiptarët nga Kosova, të vrarë gjatë luftës në fund të viteve 1990, ishin varrosur në varreza masive, si dhe duke theksuar se këto ishin kryer nga “strukturat e organizuara të shtetit”, të cilin ajo tani e përfaqëson.

“Këto krime lufte ishin urdhëruar dhe kryer nga zyrtarë serbë. Nuk ka prosperitet pa pajtim, nuk ka pajtim pa u ballafaquar me të kaluarën”, ka thënë Kamberi.

Reagime të ashpra ndaj deklaratave të Kamberit

I pari që reagoi ndaj fjalimit të Kamberit, ishte kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili është edhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë, themelues dhe kryetar i së cilës nga viti 1990 e deri në vdekjen, më 2006, ishte Sllobodan Millosheviq.

Daçiq e paralajmëroi Kamberin, gjatë seancës, duke i thënë që duhet të përdorë “një fjalor që është i përshtatshëm për Kuvendin, në mënyrë që ai të mos detyrohet të marrë masa”. Daçiq shtoi se prezantimi i Kamberit ishte “provokues”.

“Askush nuk ka paragjykime për shkak të identitetit tuaj, por për shkak të asaj që ju po thoni. Akuzat janë pa asnjë bazë dhe një imazh i rremë se ekziston njëfarë pabarazie e pakicave”, tha Daçiq.

Mandatarja për përbërjen e qeverisë së re, e cili u zgjodh kryeministre disa orë më vonë, Ana Bërnabiq deklaroi se nuk është e vërtetë që shqiptarët që jetojnë në komuna në jug të Serbisë janë të diskriminuar. Ajo e pyeti Kamberin se “çfarë ke bërë ti për ta”, duke thënë se ai ka qenë në politikë më shumë se shumica e të pranishmëve në Kuvend.

Ndaj deklaratave të Kamberit ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se Kamberi nuk ka shumë bazë për të fajësuar autoritetet në Serbi për totalitarizmin dhe mosrespektimin e të drejtave të pakicave.

“Dikush që dëboi 42 për qind të serbëve nga pushteti në Bujanoc flet për rrezikimin e komuniteteve pakicë. Ata po kërkojnë një pozicion ministror me 0,5 për qind të popullsisë në Serbinë qendrore dhe në Vojvodinë, ndërkaq ata që kanë 42 për qind nuk lejohen të marrin pjesë në qeveri. Kaq për totalitarizmin” tha Vuçiq.

Ai shtoi se ishte i lumtur që shqiptarët në Serbi mund të flisnin kaq hapur për këto probleme, para një audience milionëshe.

“A guxojnë disa të tjerë që këtë ta thonë në Prishtinë, Tiranë apo diku tjetër? Ata ankohen se nuk morën një post ministror. Ne ua ofruam një zëvendës, por duket se kishim një vlerësim të mirë për të mos i dhënë postin ministror dikujt që flet kështu për vendin e tij”, tha Vuçiq.

Artikulim i së ardhmes

“Mendoj që për herë të parë kemi zë në Kuvend, sidomos në një kuvend të tillë që është njëpartiak dhe i një mendësie, zë i cili për herë të parë në kuvend ka sjellë disa fakte që janë shumë të rëndësishme për Serbinë, por edhe për t’u ballafaquar me të kaluarën“, theksoi Biserko.

Pa një zë të tillë, siç thotë ajo, Serbia “nuk mund ta artikulojë të ardhmen e saj, sidomos marrëdhëniet e saja në rajon“.

Biserko thekson që edhe përfaqësuesit tjerë të popullit serb duhet të flasin në të njëjtën mënyrë, sepse siç thotë ajo, para Serbisë është një proces i rëndësishëm i ballafaqimit dhe i normalizimit të marrëdhënieve në rajon.

Sipas saj, zëri i përfaqësuesve të komunitetit pakicë shqiptar është i rëndësishëm edhe në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se ai zë është i rëndësishëm për shkak se në këtë dialogun Beograd-Prishtinë, pakica shqiptare në Serbi asnjëherë nuk ka pasur vend, as përfaqësim dhe as që është marrë parasysh situata e shqiptarëve në jug të Serbisë“, theksoi Biserko.

Politologu, Ramush Tahiri, vlerëson se është mirë që një fjalim i tillë, siç e kishte paraqitur deputeti Kamberi në Kuvendin e Serbisë, është pranuar mirë nga intelektualët dhe nga elita në Serbi dhe nuk është trajtuar si fjalim i një shqiptari, por si fjalim i një qytetari të Serbisë, i cili, siç tha ai, “ia do të mirën Serbisë si shtet dhe si shoqëri e demokratizuar, si dhe mbarë rajonit”.

Përkrahjen që ka marrë në opinionin në Serbi fjalimi i Kamberit, politologu Tahiri e sheh si hapje të vizionit, përkrahje të mendimit kritik dhe tejkalim të ndarjeve partiake, etnike dhe fetare.

“Fjala e Shaip Kamberit ishte fjalë qytetare që e kalon çdo dallim dhe ishte fjalë e sinqertë për atë se si e sheh të tashmen, por sidomos të ardhmen e Serbisë. Kjo përkrahje, në secilën pjesë të fjalimit, unë besoj që vetëm do të zgjerohet dhe do të jetë një mendim dhe qëndrim kritik edhe i opozitës, e sidomos i elitës intelektuale në Serbi, sepse argumentet janë argumente dhe ato janë të pranueshme për cilëndo pjesë të historisë për të cilën ai foli, por edhe për cilindo koncept për të ardhmen e Serbisë”, theksoi Tahiri.

Fjalimi i tillë, siç shtoi Tahiri, “do t’i bënte nderë cilitdo parlament në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe është një përkushtim që përmes argumenteve të ndërtohen raportet politike brenda shtetit, por edhe në vet Kuvendin e Serbisë”.

Akuzat dhe etiketimet

Drejtori i organizatës joqeveritare Qendra për rajonalizim nga Novi Sadi, Aleksandar Popov, thotë për Radion Evropa e Lirë se atë që e ka thënë Kamberi në Kuvendin e Serbisë, do të mund ta thoshte cilido deputet tjetër opozitar.

“Në fakt, nuk do të thoshte asgjë që nuk është vërtetë. Po ta thoshte këtë në fjalimin e tij dikush nga opozita e Serbisë – sikur ajo të ekzistonte fare në Kuvend, por që nuk ekziston – atëherë do të vinin akuza të llojit tjetër, se bëhet fjalë për manjatë, si dhe do të merrnin lloj-lloj etiketash të ndryshme“, theksoi Popov.

Sipas tij, ndryshimi i vetëm do të ishte në atë se e ka thënë një njeri që nuk është me komb shqiptar dhe pastaj kjo do të kishte konotacion tjetër.

“Nëse pjesëtarët e pakicave nuk i gëzojnë të drejtat dhe nëse nuk ndjehen mirë, atëherë, sipas rregullit, do të duhej që as pjesëtarët e shumicës të mos ndjehen mirë, sepse atëherë do të thotë se këtu nuk ka sundim të ligjit dhe nuk ka liri qytetare në kuptimin e plotë të asaj fjale“, tha Popov dhe shtoi: “Nëse cilido qytetar nuk është i sigurtë, pa marrë parasysh se cilit komb apo besim i takon, atëherë askush nuk është i sigurt në një shtet të tillë“.

Reagimet në rrjetet sociale

Themeluesja dhe ish-drejtoresha e Qendrës për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, shkroi në llogarinë e saj në Twitter se për të gjitha ato që Kamberi i ka thënë në Kuvendin e Serbisë, “ne kemi nevojë sikurse për ajër”.

“Sot unë jam duke marrë frymë më lehtë”, ka thënë Kandiq.

Shkrimi i saj nxiti reagime të tjera.

Rada Trajkoviq, një politikane serbe nga Graçanica dhe kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, e quajti Kamberin udhëheqës të ri të opozitës.

“Të paktën ai në mes të Beogradit dhe para Kuvendit të Vuçiqit guxon t’ia thotë në sy regjimit. Për dallim nga Lista Serbe e cila rri në Prishtinë, hesht dhe miraton, ndërkaq që Mitrovica e zgjedh pa rezistencë”, ka shkruar Trajkoviq.

Marko Jakshiq nga Mitrovica e Veriut ka reaguar në Twitter duke thënë se ajo që ka deklaruar Kamberi, megjithatë nuk e bën atë si kreun e opozitës në Serbi.

“I qoftë për nderë e gjithë ajo që tha. Listën Serbe nuk mund ta krahasojmë me të, sepse ata janë qesharakë dhe nuk na ka faj ai që ato koka janë përfaqësuesit tanë në Kosovë. Por, e gjithë kjo nuk e bën atë udhëheqës të opozitës në Serbi”.

Slobodan Giorgev ka shkruar në Twitter që “Shaip Kamberi e meriton të paktën postin e sekretarit shtetëror në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave”, në Serbi.

Por, ndaj fjalimit të Kamberit ka pasur edhe reagime kundërshtuese. Branimir Saraçeviq ka shkruar në Twitter se Shaip Kamberi, “për të cilin po thuhet se është shef i opozitës, në fakt është kopjuesi më vullgar i deklaratave të moqalit opozitar”.

Ndërkaq, një komentues tjetër, me nofkën Garfilld ka thënë se “i njëjti Shaip Kamberi është ai që kërkon bashkimin e të ashtuquajturës ‘Luginë e Preshevës’ dhe Medvegjës me ‘shtetin’ e Kosovës”.

Kuvendi i Serbisë i ka gjithsej 250 deputetë. Lista e partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, ka fituar 188 nga 250 ulëset e deputetëve të Kuvendit.

Qeverinë e re të Serbisë, e cila ka 21 resorë dhe dy minsitri pa portofol, Kuvendi i Serbisë e ka miratuar me 227 vota “për” dhe 5 vota “kundër”.

Katër partitë shiptare nga jugu i Serbisë, nga Presheva dhe Bujanoci, kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Serbi, me 21 qershor, me listë të përbashkët, me emrin Alternativa demokratike shqiptare – Lugina e Bashkuar dhe kanë fituar 6 mandate të deputetëve.

Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës ka nëntë deputetë dhe Partia e Drejtësisë e Muamer Zukorliqit ka katër deputetë. Ata gjithashtu e kanë mbështetur zgjedhjen e Ivica Daçiç si kryetar të Kuvendit.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>