Në letrën e dorëheqjes ai thekson se “motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në lëvizjen Vetëvendosje nuk është më. Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia. Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mire, e të tjerët e kanë keq. Thjesht kjo qasje dhe kjo mënyrë e zgjidhjes së mospajtimeve nuk më përfaqësojnë mua”, thuhet në letër.
Zoti Ahmeti thotë se është munduar të luaj një rol të ndërmjetësuesit për tejkalimin e problemeve, por sipas tij kjo ishte e pamundur.
“Kjo nuk do të thotë se Albini, Visari, e Dardani e krejt të tjerët nuk kanë të drejtë në mendimin e tyre. Sigurisht se ata do të luftojnë për të vërtetën e tyre. Secilit i dëshiroj sukses në ndjekjen e qëllimeve të veta, në qoftë se i kanë të mira. Ndoshta rrugët na bashkohen prapë, por për mua tashmë me arsye, kushte e metoda tjera”, thuhet në letrën e tij.
Ai thotë se e ardhmja e tij do të lidhet me punët e kryetarit të Prishtinës, ndërsa nuk përjashton vështirësitë në këtë punë, pasi që një pjesë e madhe e Kuvendit Komunal të Prishtinës përbëhet tashmë nga anëtarët e lëvizjes Vetëvendosje, të cilët gjatë ditës votuan kundër raportit buxhetor të tij.
Dorëheqja e Shpend Ahmetit, pasoi krizën në lëvizjen Vetëvendosje, nga e cila që nga viti kaluar një numër i madh i anëtarëve përfshirë ish kryetarin Visar Ymeri dhanë dorëheqje.
Përplasjet pasuan publikimin e bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes në të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004 nga Albin Kurti. Deri në vitin 2010 kur u përfshi për herë të parë në zgjedhje për pushtetin qendror, kjo lëvizje nëpërmjet protestave dhe aksioneve ka kundërshtuar misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit. Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të këtij viti Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në parlamentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë ndërsa në zgjedhjet për pushtetin komunal fitoi tri komuna përfshirë dy kryesoret Prishtinën dhe Prizrenin. Kjo lëvizje tashmë ndodhet në krizën më të thellë që nga themelimi i saj dhe sipas vëzhguesve një ndarje brenda saj do të zbehte edhe forcën e saj në të ardhmen. (voa)