Në Kosovë, policia tha se një bombë dore shpërtheu gjatë natës në afërsi të urës kryesore mbi lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të Mitrovicës, në veriun e banuar me shumicë serbe dhe jugun me shumicë shqiptare.
Policia tha se shpërthimi i cili ka ndodhur në pjesën veriore të urës, ka kaluar pa dëme në njerëz, ndërsa ende nuk dihen hollësi rreth autorëve apo motiveve të mundshme të këtij incidenti që po hetohet si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Në Kosovë, të dielën filluan punimet për zbatimin e marrëveshjes për zhbllokimin e kësaj ure në bazë të marrëveshjes së arritur ne bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Bashkimi Evropian do të investojë 1.2 milion euro për rivitalizimin i urës, që siç thuhet në një komunikatë të zyrës së BE-së në Prishtinë, “do të kontribuojë në mënyrë të konsiderueshme në lehtësimin e kontakteve ndërmjet njerëzve nga Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut dhe më tej. Me fillimin e zbatimit të marrëveshjes ura e Mitrovicës do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Kosovë”.
Sipas parashikimeve rivitalizimi i urës do të përfundojë në janar të vitit 2017.
Barrikada mbi këtë urë ishte më e madhja e barrikadave që u ngritën në korrik të vitit 2011 në shenjë kundërshtimi ndaj ndërhyrjes së forcave të posaçme të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.
Një pjesëtar i policisë së Kosovës qe vrarë në një pritë më 26 korrik të vitit 2011, ndërsa trazirat e dhunshme përfshinë atëbotë veriun që nuk pajtohet me vendosjen e autoritetit të Prishtinës në zonë.
Largimi i barrikadës në urën kryesore ndodhë në një periudhë të shtimit të trysnisë mbi Beogradin për të zbatuar në terren marrëveshjet e arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Këto bisedime i mundësuan Serbisë hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian. (voa)