Shqiptarët dhe serbët e Kosovës, shpresa tek dialogu për të qetësuar situatën

kosovaQëndrimet e banorëve shqiptarë dhe serbë të Kosovës ishin të përziera gjatë javëve të fundit kur u rritën tensionet, ndonëse ata në përgjithësi nuk duan një konflikt të ri. Disa tanimë janë të përfshirë edhe në aktivitete të përbashkëta, të painteresuar për retorikat nxitëse të politikanëve. Çështja e konvertimit të targave të serbëve të Kosovës vazhdon megjithatë të mbetët një temë, që sërish mund të nxisë tensione të reja pasi palët duken të vendosura të mos ndryshojnë qëndrim. NATO-ja ka shtuar patrullimet në veri të Kosovës ndërsa shefi i NATO-s është zotuar se forcat paqeruajtëse do të ruajnë stabilitetin në rajon.

 

Disa banorë të Kosovës të etnive të ndryshme nuk lejojnë që akuzat dhe kundërakuzat politike t’i pengojnë të punojnë së bashku.

Mentor Gashi dhe Slavisha Stojanoviq drejtojnë një strehë qensh në Prishtinë. Ky është një shembull i rrallë i marrëdhënieve të mira ndëretnike në Kosovë, ku tensionet në mes të dy grupeve kanë mbetur të pranishme nga viti 1999. Popullsia e Kosovës është e ndarë në 90% shqiptarë dhe 5% serbë.

“Asnjëherë nuk kam dëgjuar komente të këqija në Prishtinë apo në Graçanicë. Nuk mendoj se bashkëpunimi ynë i krijon probleme dikujt, që të ketë dy persona nga etni të ndryshme, që punojnë së bashku. Për mua kjo është një gjë pozitive”, thotë zoti Gashi.

“Kemi 10 vjet që nuk kemi pasur asnjë problem. Edhe me familjen e tij kemi marrëdhënie të mira, edhe me familjen time kanë marrëdhënie të mira, njihemi, shkojmë në shtëpitë e njëri-tjetrit. Asnjëherë nuk flasim për politikë. Le të mendojë për këtë ai që merr para. Ne duhet të punojmë si njerëz, si vëllezër, për të ndihmuar njëri-tjetrin sa të mundemi”, thotë zoti Stojanoviq.

Rreth 50,000 serbë jetojnë në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë. 40,000 të tjerë përfshirë zotin Stojanoviq, jetojnë në jug të lumit Ibër dhe përdorin targa të lëshuara nga qeveria e Kosovës.

“Ne shqiptarët duhet të jemi më të vendosur dhe t’i ndalojmë barrikadat para se të vendosen. Duhet të dërgojmë policinë atje dhe të vendosim pika kontrolli përpara se këto rrugë të bllokohen”, thotë zoti Xhafa.

“Barrikadat nuk janë kurrë të mira. Së pari na pengojnë ne, që jetojmë jashtë Kosovës dhe duhet të udhëtojmë. Ka raste kur bllokohen pikat kufitare. Barrikadat në rrugë nuk janë të mira as për ne, as për serbët”, thotë zoti Haliti.

Por në anën veriore, ku banorët nuk e njohin qeverinë dhe institucionet e Kosovës, banori serb Miodrag Radosavac tha se ai nuk beson se tensionet do të përshkallëzohen.

“Mendoj se nuk do të vijë deri te përshkallëzimi i tensioneve, besoi se do të mbizotërojë mençuria me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti, sepse kjo është e vetmja gjë që është më e mira për serbët dhe shqiptarët”, tha zoti Radosavac.

“Ai që dëshiron të shkojë në luftë, le t’i sjellë fëmijët e tij dhe të bëjë luftë me fëmijët e tij, e jo me fëmijët e të tjerëve, sepse fëmijët e të tjerëve janë të shenjtë për dikë”, tha zoti Arsenijeviq.

Nenad Radosavljeviq, kryeredaktor i Radiotelevizionit “Mir” që transmeton për serbët në veri, tha se vetëm një lëshim nga Kurti për autonomi më të madhe për zonat me shumicë serbe mund të zhbllokojë çështjen e targave.

“Mendoj se e vetmja mundësi që të zgjidhet i gjithë problemi aktual që ka të bëjë me targat dhe dokumentet personale është që zoti Kurti të bëjë lëshime dhe të ngrejë çështjen e Asociacionit të Komunave Serbe. Atëherë edhe zoti Vuçiq do të kishte arsye për të bërë lëshime, për sa i përket targave dhe dokumenteve personale, ndërsa zoti Kurti do të kishte arsye të këmbëngulte për idenë e tij që lidhet me targat”, thotë zoti Radosavljeviq.

Deklarata e fundit që kryeministri i Kosovës ka bërë për këtë çështje është zotimi i dhënë pas takimit me shefin e NATO-s, të mërkurën, se do të vazhdojë me zbatimin e konvertimit të targave të serbëve të Kosovës nga 1 shtatori me targat që lëshohen nga Republika e Kosovës.

“Ne gjithashtu do të zbatojmë konvertimin e targave. Para së gjithash, vet Serbia është pajtuar prej mesit të janarit të vitit 2018, nuk do të prodhojnë targat nga koha e Millosheviqit më dhe ata nuk do t’i detyrojnë serbët t’i përdorin ato. Prandaj, katër vjet më pas ne po zbatojmë diçka, që sipas Kushtetutës dhe ligjit tonë, është e ligjshme, por në anën tjetër, mbështetur në zotimet e Serbisë gjatë procesit të dialogut në Bruksel, është detyrim edhe për ta”, tha zoti Kurti.

Presidenti serb, para se të shkonte në Bruksel, ishte shprehur se nuk është i gatshëm të bëjë lëshime për çështjen e targave.

“Sa i përket targave, situata është mjaft e qartë për ne, nëse dikush dëshiron ta zbatojë, mund ta bëjë vetëm me forcë, dhe ju mund të (bëni) çdo gjë me forcë, por nuk e di se ç’mund të arrini me forcë. Por, nuk mund të prisni që Serbia të bëjë ndonjë gjë ose në asnjë mënyrë t’ju lehtësojë ose ndihmojë në rregullimin ligjor të problemit. Gjithashtu, mos llogarisni në faktin se ju mund të bëni një masakër, që do të zhduk popullatën serbe dhe të dëboni njerëzit tanë”, tha presidenti Vuçiq pasi inspektoi një ekspozitë të armëve të prodhuara në Serbi në një akademi ushtarake të Beogradit.

Në Uashington, zëdhënësi i Departmentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha se SHBA-ja e sheh me prioritet dialogun që po zhvillohet në Bruksel.

Ne e mbështesim plotësisht këtë dialog dhe e konsiderojmë si përparësi. Ne dëshirojmë të shohim përparim në zbatimin e marrëveshjeve të kaluara. Dialogu dhe kompromisi janë elementë kritikë të qeverisjes dhe nuk duhet të shihen si shenja të dobësisë. Ne shpresojmë që udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës ta kuptojnë rëndësinë e ecjes përpara, jo prapa, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja” tha zoti Price duke përmendur faktin se zyrtari i Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar është në Bruksel, ndonëse SHBA-ja nuk është pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e dialogut.

Tensionet e fundit ishin gjithashtu arsye pse shefi i NATO-s takoi të mërkuren ndarazi udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë.

 

Kur është e nevojshme ashtu siç e kemi demonstruar plotë herë, ne mund të rrisim praninë tonë në veri, ashtu siç kemi bërë javët e fundit. Ne kemi gjithashtu patrullime të rregullta të trupave të NATO-s në veri. Masat tona do të jenë të qarta dhe do të bëjmë atë që është e nevojshme të parandalojmë përshkallëzimin dhe të sigurojmë lirinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë”, tha zoti Stoltenberg.

Paqeruajtësit e NATO-s janë parë në rrugët afër pikës kufitare Jarinje me Serbinë dhe afër Mitrovicës së Veriut. Në Kosovë NATO ka afro 4000 trupa dhe momentalisht kjo është prania më e madhe ushtarake jashtë territorit të NATO-s.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>