Shqiptarët fitojnë 25 për qind të votave në Medvegjë

Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës, kanë fituar rreth 25 për qind të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Medvegjës.

zgjedhjet medvegjeSipas rezultateve paraprake, partitë shqiptare në Luginën e Preshevës, kanë fituar 25 për qind të votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunën e Medvegjës. Komisioni i zgjedhjeve tha se shumicën e votave i ka fituar koalicioni i drejtuar nga partia e kryeministrit aktual serb Aleksandër Vuçiç. Në votimet që u përmbyllën në orën 20, kanë marrë pjesë rreth 50 për qind e mbi 10 mijë votuesve të regjistruar.

Mbi një mijë shqiptarë nga Medvegja me vendbanim në Kosovë kanë pritur deri në 7 orë në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për shkak të pohimeve të të policisë serbe se problemet me sistemin kompjuterik po e ngadalësonin procesin e kontrollit të dokumenteve.

Pas orës 16 për shkak të trysnisë politike, autoritetet serbe përshpejtuan procesin e kalimit të kufirit, ndërsa komisioni i zgjedhjeve refuzoi kërkesën e partive shqiptare që të zgjatet koha e votimeve.

Përfaqësuesit e shqiptarëve në zonë thanë se problemet e shkaktuara në vendkalimin kufitar ishin taktikë për ta zvogëluar numrin e votuesve shqiptarë.

Zgjedhjet e së dielës u mbajtën një ditë pasi që përfaqësuesit shqiptarë të luginës së Preshevës, miratuan të shtunën një deklaratë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë shqiptare në Serbi.

Udhëheqësit e shqiptarëve, thanë se asociacioni i tyre do të jetë i ngjashëm me asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që do të krijohet në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht në Bruksel në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesit shqiptarë kanë kërkuar në vazhdimësi trajtim të njëjtë për ta sikurse për serbët në Kosovë. Ata thanë se ditëve në vazhdim do të fillojë puna për hartimin e statutit të këtij asociacioni.

Beogradi kundërshton krijimin e këtij asociacioni, ndërsa as Prishtina e as Tirana zyrtare nuk e kanë komentuar vendimin e shqiptarëve në luginë.

Udhëheqësit politik të zonës thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Ata shume herë kanë shfaqur shpresën që edhe procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të krijojë hapësirë për përmirësim të gjendjes në atë zonë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>