Shtetet e Bashkuara kërkojnë uljen e menjëhershme të tensioneve në veriun e Kosovës

Diplomacia amerikane bëri thirrje të enjten sërish për uljen e menjëhershme të tensioneve në veriun e Kosovës, kur për të katërtën ditë më radhë grupe qytetarësh serbë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore, në shenjë protestë ndaj zbatimit të masave të reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë Nicholas Giacobbe, tha se është takuar sot me kryeministrin e Kosovës, për të diskutuar “mbi rëndësinë e riangazhimit në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për zgjidhjen e çështjes së targave dhe çështjeve të tjera. Duhen hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshirueshme që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, shkroi ai në rrjetet sociale pas takimit.

Që nga e hëna, makinat që hyjë nga Serbia në Kosovë duhet të ndërrojnë targat e tyre me ato të përkohshme, njësoj siç veprohet me makinat nga Kosova që hyjnë në Serbi.

Autoritetet e Kosovës dërguan të hënën në vendkalimet kufitare me Serbinë njësitë e posaçme të policisë. për të zbatuar vendimin mbi targat, duke nxitur zemërimin e Beogradit dhe protesta të qytetarëve serbë në zonë.

Për të katërtën ditë me radhë, grupe qytetarësh serb vazhdojnë të mbajnë të bllokuar lëvizjen për në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Policia tha se situata është e qetë ndërsa protestuesit kanë përforcuar pengesat në rrugë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje të mërkurën Serbisë që të dyja palët të heqin nga përdorimi targat e përkohshme të makinave dhe të hapet rruga për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Por, Beogradi ngulë këmbë për tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe heqjen dorë nga vendimi për masën e reciprocitetit për targat e makinave.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve që “të ulin tensionet menjëherë dhe pa vonesë” dhe që çështjet e diskutueshme ndërmjet tyre t’i zgjidhin përmes procesit të bisedimeve në Bruksel.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është platforma e vetme për të trajtuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura. Në një deklaratë të së mërkurës mbrëma ai tha se “të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e bisedimeve që nga fillimi i tyre në vitin 2011 mbeten të vlefshme dhe detyruese për të dyja palët”, të cilat theksoi ai duhet “të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre pa asnjë vonesë të mëtejshme”.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>