Kosova pritet të sigurojë falas 360 mijë vaksina, kurse pjesën tjetër do ta blejë. Ndërkohë zyrtarë të OBSH-së në Kosovë parashohin që procesi i vaksinimit në Kosovë nuk mund të fillojë para stinës së pranverës.
Festat e fundvitit edhe Kosovën do ta gjejnë me masa të nevojshme dhe një plan të ri për të parandaluar përhapjen e Covid-19, ndonëse autoritetet nuk kanë specifikuar ende, nëse do të ketë mbyllje të plotë për shkak të gjendjes jo të përmirësuar me pandeminë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh, se institucionet janë duke u përgatitur për vendosjen e masave të nevojshme për të parandaluar përhapjen e koronavirusit gjatë festave të fundvitit. “Institucionet shëndetësore do të mbesin të mobilizuara. Po përgatisim skenarët për masat e nevojshme për festat e fundvitit kur ka frekuentim më të madh të qytetarëve, përfshirë edhe ardhjen e bashkatdhetarëve”, shkroi Hoti në Facebook.
Sigurimi i vaksinës – prioritet
Situata me pandeminë në Kosovë javët e fundit ka qenë kritike për shkak të numrit të madh të infektimeve dhe vdekjeve. Vetëm dy ditët e fundit numri i infektimeve shënoi rënie. E përderisa disa vende tashmë kanë filluar marrjen e vaksinës anti-Covid dhe disa të tjera paralajmërojnë së shpejti, Kosova po bën përpjekje për sigurimin e vaksinave, thotë kryeministri Hoti. “Jemi pjesë e koalicionit COVAX dhe presim të marrim vaksina për 20% të popullsisë. Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë është në kontakt me kompaninë prodhuese të vaksinës, si dhe po punojmë me vendet partnere për të kërkuar mbështetje direkte nga to”, thotë Hoti.
Por, si do ta sigurojë Kosova vaksinën? Shpresat janë tek Bashkimi Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, kanë premtuar se BE-ja do ta ketë si prioritet ndihmën ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor me vaksinën kundër COVID-19.
“Ne kujdesemi edhe për fqinjët tanë. Bashkimi Evropian do të koordinoj donacionet e vaksinës nga shtetet anëtare, posaçërisht për mbrojtjen e punëtorëve shëndetësorë në Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët”, ka thënë Von der Leyen, duke folur pas samitit të fundit të BE-së. Mediet në Prishtinë duke ju referuar burimeve nga Komisioni Evropian, shkruajnë se vaksinat për vendet e Ballkanit do të sigurohen nga koalicioni ndërkombëtar COVAX ku BE -ja ka rolin kryesor. Në këtë koalicion ndërkombëtar për sigurimin e vaksinës janë 184 shtete të botës.
Vaksinat anti-Covid kërkojnë kushte të veçanta të ruajtjes dhe transportit. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, sipas kryeministrit Hoti po punon në sigurimin e pajisjeve të nevojshme teknike për ruajtjen dhe shpërndarjen e vaksinës në të gjitha komunat. “Instituti ka bërë gati planin e vaksinimit, duke vendosur me prioritet të moshuarit dhe qytetarët me sëmundje kronike, krahas punëtorëve shëndetësorë, të cilët janë në ballë të kësaj beteje”, thotë kryeministri Hoti.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian ka thënë se nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kërkohet që strategjinë e tyre të vaksinimit ta zhvillojnë në përputhje me udhëzimet që ka dhënë Komisioni Evropian për vendet anëtare, duke e bërë kështu më të lehtë ndihmën e BE-së dhe koordinimin me shteteve anëtare. Sipas BE-së tashmë janë duke u bërë koordinimet mes Komisionit Evropian, vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor për të siguruar dozat e para të vaksinave.
Vaksina jo para pranverës në Kosovë
Zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, përfaqësia në Kosovë, Isme Humolli, thotë se procesi i vaksinimit kundër koronavirusit në Kosovë nuk mund të fillojë para stinës së pranverës. “Ne po shpresojmë si OBSH që të jetë gjysma e marsit, eventualisht fillimi i prillit. Gjasat për me fillu më herët nuk ka duke pasur parasysh sasinë e vogël e vaksinave që janë në prodhim dhe kërkesave shumë të mëdha që janë në mbarë botën”, thotë Humolli.
Sipas saj, Kosova përballet me mungesë të kushteve teknike dhe profesionale për vaksinën e re dhe OBSH është duke i mbështetur autoritetet në përgatitjen e terrenit për fillimin e vaksinimit të popullatës. “Si OBSH e kemi anën teknike do të thotë do të bëjmë trajnimin e stafit mbi dhënien e vaksinës, për mbikqyrjen e efekteve të padëshiruara pas vaksinale, identifikimin e tyre, regjistrimin e vaksinave e kështu me radhë”, thotë Isme Humolli.
Një hap tjetër e bëri edhe ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj. Javën që shkoi ai nënshkroi aplikimin zyrtar për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19 nëpërmjet Aleancës Botërore të vaksinimit. Sipas ministrit Zemaj, Kosova pritet të përfitojë rreth 360 mijë vaksina falas, ndërsa pjesën tjetër synon ta blejë. Kosova ka 1.7 milionë banorë. Që nga shfaqja e pandemisë në Kosovë, janë shënuar më shumë se 43 mijë të prekur me Covid-19. 1120 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 29 mijë janë shëruar. Raste aktive të prekur me koronavirus, në Kosovë sipas IKSHPK-së, janë rreth 11 mijë e 500 persona.
dw