Ish shefi i gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, akuzoi të hënën Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit se kishte për qëllim mënjanimin nga skena politike të personave që ishin parë si pengesë për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai i bëri këto komente gjatë një raportimi virtual para Komisionit të parlamentit të Kosovës për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Zoti Simmons që kishte udhëhequr gjyqtarët e misionit të EULEX-it nga viti 2014 deri në muajin nëntor të vitit 2017, tha se ky nuk ishte mision për sundim të ligjit por mision politik dhe se sipas tij gjyqtarët e EULEX-it ishin njerëzit që synonin të arrinin atë që nuk do të mund të arrihej nga bisedimet politike.
“Gjatë bisedimeve në mes të viteve 2014-2015, Serbia ishte vazhdimisht e interesuar lidhur me përparimin e rasteve të krimeve të luftës kundër ish-komandantëve të UÇK-së, përfshirë në ato raste të ashtuquajtura të Kleçkës dhe Drenicës. Të dyja rastet ishin në proces gjatë bisedime dhe sukseset, dhe me sukses dua të them, dënimet, janë parë nga Brukseli si thelbësore për përparimin e bisedime”, tha ai duke nënvizuar se misioni i EULEX-it kishte synime të qarta politike.
“Për komunitetin ndërkombëtar, marrëdhëniet me Serbinë dhe çuarja përpara e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të udhëhequra nga Brukseli, u bënë përparësi. Ata që i dolën në rrugë procesit u panë si pengues që duhej të largoheshin nga postet udhëheqëse dhe ndikimit. Gjykatësit e EULEX-it ishin mjeti për ta arritur këtë qëllim”, tha zoti Simmons.
Ai tha se misioni i EULEX-it është përfshirë në shumë raste të korrupsionit, ndikimit dhe manipulimit. Ai tha se është i gatshëm që të dëshmojë edhe me fakte në rast se autoritetet në Kosovë vendosin të hapin hetim të plotë për këtë mision.
“Pasi u emërova shef, u takova në Prishtinë me shefin e operacioneve civile Kenneth Dean. Gjatë këtij takimi të parë në zyrat qendrore të misionit, ai ma bëri shumë të qartë qëllimin e misionit; që të largojë nga jeta politike personat, që ai i përshkroi si ‘peshq të mëdhenj’. Gjatë asaj bisede ai më tha se, dhe po e citoj “pres të shoh gjyqtarët e EULEX-it që të dënojnë ata që akuzohen nga misioni’. Gjyqtarët e EULEX-it në fjalët e tij priteshin të luanin rolin e tyre që të sigurojnë suksesin e misionit. Për mua ishte e qartë se suksesi do të matej me numrin e dënimeve”, tha zoti Simmons.
Ai akuzoi misionin e EULEX-it edhe për bashkëpunim me autoritetet e drejtësisë në Serbi, duke u dorëzuar atyre dosje të krimeve të luftës që i kishte trashëguar nga misioni i Kombeve të Bashkuara.
“Këto ishin hetime mbi mizoritë e pretenduara të kryera nga personat e entitetit serb gjatë konfliktit. Këto dokumente përfshinin jo vetëm detaje për krimet e pretenduara dhe të të dyshuarve, por edhe të dhëna personale të qytetarëve të Kosovës, që ishin viktima të këtyre krimeve dhe detaje të dëshmitarëve, shumica e të cilëve ishin shqiptarë”, tha ai.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, misioni i EULEX-it në Kosovë tha se deklaratat e zotit Simmons në komisionin e Parlamentit ishin një përmbledhje e hamendësimeve të keq konceptuara, të pambështetura, të pavërteta dhe mendime personale.
Misioni i EULEX-it tha se “duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, pasi deklaratat e Simmons janë të mbuluara nga imuniteti i privilegjit parlamentar, ai u angazhua në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me keqbërjet që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX”.
Këto pohime thuhet me tej janë “një përpjekje tjetër për të diskredituar Misionin nga ata që janë të interesuar të pengojnë sundimin e ligjit në Kosovë, si dhe vetë Bashkimin Evropian”.
Në prill të vitit 2015, zyrtarët evropian mbyllën një proces hetimesh katër muajshe mbi dyshimet e hedhura për korrupsion në radhët e Misionit të EULEX-it në Kosovë.
EULEX-i u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008 dhe nëpër vite kanë ndryshuar kompetencat e tij ekzekutive.
voa