Rritja ekonomike për vitin 2015, nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, parashihet të arrijë në një normë reale prej 3.5 për qind, përderisa vitin e kaluar kjo normë ka qenë 0.9 për qind.
Duke marrë për bazë indikatorët makro-ekonomik, ekspertë për çështje ekonomike nuk besojnë se gjatë këtij viti rritja ekonomike mund të arrijë në shifrën 3.5 për qind.
Rritja ekonomike është rritja e prodhimtarisë, kapaciteteve prodhuese dhe të gjithë përbërësve tjerë të një ekonomie. Rritja ekonomike vjen për shkak të rritjes së fuqisë punëtore ose kapitalit.
Haki Shatri, ish ministër i Ekonomisë dhe Financave në Qeverinë e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë këtij viti nuk ka pasur rritje të kapitalit dhe fuqisë punëtore që siguron rritje ekonomike mbi 3 për qind.
Ai ndërkaq pohon se vlera e deritashme e investimeve ndërkombëtare, por edhe investimeve private dhe publike në Kosovë, nuk mundësojnë një rritje ekonomike, rrjedhimisht përmirësim të jetës së qytetarëve në Kosovë.
“Asnjë indikatorë nuk është i aktivizuar, i cili mund të jap shpresë se gjatë këtij viti rritja e ekonomisë apo Bruto Produktit Vendor do të jetë më e mirë, sesa vitin e kaluar”, tha Shatri për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Agron Demi, drejtor ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”e konsideron mision të vështirë mundësinë e rritjes ekonomike në normën e parashikuar.
Ai madje thotë se vlerësimet reale të Bruto Produktit Vendor, nga institucionet kompetente nuk kanë qenë asnjëherë të sakta. Gjithmonë, sipas tij, norma reale e rritjes ekonomike ka qenë përgjysmë më e ulët, sesa parashikimet e tyre.
“Edhe për vitin 2015 në bazë të gjendjes aktuale ekonomike, nuk ka pasur lëvizje të mëdha, përveç rritjes se investimeve të huaja që nuk do të jenë të mjaftueshme që do të kenë një zhvillim aq të madh”.
“Edhe projeksioneve të Bankës Botërore, të cilat thonë se në vitin 2014, rritja ekonomike ka qenë më pak se një për qind, nuk na japin shpresë se edhe viti 2015 do të jetë më mirë se vitet në vijim”, thotë Demi.
Në Raportin e Zhvillimeve makroekonomike të publikuara ditë më parë nga Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, thuhet se rritja e prej 3.5 për qind do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme.
Konsumi dhe rritja e investimeve të jashtme, llogariten se do të kenë kontributin kryesor në rritjen ekonomike.
Por, ish ministri Shatri, thekson se nuk ka rritje të prodhimit që të rritet konsumi.
“Nuk mund të rritet konsumi kur nuk ka prodhim dhe nuk ka mjete plotësuese, që e zëvendëson atë pjesë të konsumit që nuk mund ta plotëson prodhimi vendor”.
Në Kosovë konsumi ka arritur në rreth 6 miliardë euro, prodhimi vjetor është 5.5 miliardë euro, kurse dallimin në mes shumës së konsumit dhe vlerës së prodhimit vendor e kanë mbuluar remitencat”.
“Gjatë këtij viti nuk ka rritje të remitencave, investimet e huaja kanë shënuar një rritje simbolike,por këto nuk mjaftojnë që të rritet konsumi i brendshëm”,tha Shatri.
Në Kosovë, konsumi i përgjithshëm përgjatë periudhës 2015-2017, sipas autoriteteve kompetente pritet të rritet me një normë reale mesatare prej mbi 3.5%, ndërkohë që konsumi privat për kokë banori parashihet të rritet me 3% mesatarisht, nën supozimin që popullsia rritet me një normë prej 1.6%.
Kurse, rritja ekonomike gjatë kësaj periudhe pritet të jetë rreth 4.3%, në mesatare, e cila kryesisht pritet të mbështetet nga ngritja e konsumit si rezultat i rritjes së dërgesave nga diaspora, eksportit dhe investimeve. (rel)