Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UCK), kanë paralajmëruar për sot mbajtjen e një proteste gjithë popullore para institucioneve kryesore të shtetit, Presidencës, Kuvendit e Qeverisë.
Reagimi i tyre vjen pas miratimit të projektligjit në parim të pagës minimale. Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, miratimin e projektligjit për pagën minimale, kanë quajtur vendim të turpshëm dhe të kundërligjshëm.
E Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut u ka bërë thirrje veteranëve për protestë të qetë.
Dy ditë më parë, deputetët e koalicionit qeveritar që përbëjnë shumicën në Kuvend, LVV. Lista Serbe dhe minoritetet e tjera, e votuan në parim projektligjin për pagën minimale në vend. Kjo pagë nga 170 euro tashmë është caktuar të jetë 264 euro bruto.
Megjithatë, sipas OVL të UCK-së, projektligji lë jashtë kategoritë e dala nga lufta. Përkrahje veteranëve u ka dhënë edhe AAK-ja në opozitë dhe kryetari i saj, Ramush Haradinaj.
Veteranët e luftës kërkojnë rritje të pensioneve
Qindra pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u hodhën në protestë të enjten për të kundërshtuar projektligjin për pagën minimale, i cili u miratua në parim dy ditë më parë në parlamentin e Kosovës.
Forcat të shtuara të policisë rrethuan ndërtesën e parlamentit, ndërsa protestuesit kaluan rrethojat e oborrit duke brohoritur kundër projektligjit që nuk përfshinë pensionet e tyre.
Pensioni i veteranëve, sipas ligjit mbi këtë kategori, është i barabartë me pagën minimale në vend, por në projektligjin që u miratua në parim, nuk është përfshirë edhe rritja e pensioneve të veteranëve.
Projektligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve qeveria e Kosovës, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj”.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, kërkoi tërheqjen e projektligjit.
“Për shkak të këtij turpi të deputetëve, që nuk dëgjuan thirrjet tona që të mos e miratojnë turpin e Qeverisë, u detyruam të thërrasim protestë. Lirisht mund t’ju them se secilën herë që deputetët do të kenë seanca ne do të jemi këtu”, tha ai.
Brenda parlamentit që ishte mbledhur për çështje të tjera, përfaqësues të partive opozitare pamundësuan punimet e seancës.
Rashit Qalaj nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se parlamenti nuk mund t’i kthehet normalitetit derisa të trajtohet situata me veteranët.
“A thua pak kontribut kanë dhënë veteranët e UÇK-së që të diskriminohen në këtë mënyrë? A thua i kemi harruar të gjithë ata të cilët lanë gjymtyrët që ne sot të jemi këtu dhe Kosova të jetë e lirë? Në dukje të parë shihet se i gjithë kabineti qeveritar është këtu dhe është një mbledhje normale, por unë mendoj që mbledhje normale ky parlament nuk do të ketë derisa të rishikohet çështja e përfshirjes së veteranëve në marrjen e beneficioneve në lartësi të pagës minimale”, tha ai.
Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se është e padinjitetshme që veteranët e luftës të trajtohen në këtë mënyrë.
“Ne nuk duhet të sillemi sikur gjithçka është në normale jashtë kësaj salle dhe brenda saj. E vërteta është që një pjesë vitale e jashtëzakonshme, e rëndësishme dhe kontributdhënëse për lirinë e vendit është në protestë jashtë parlamentit sot dhe kjo për gabimet e qeverisë sepse nuk ka realizuar dialog politik dhe social me shoqatat e veteranëve të luftës, nuk ka diskutuar dhe nuk ka rezultuar dialog politik me partitë opozitare dhe nuk është bashkërenduar për këtë situatë”, tha ai.
Time Kadriaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se miratimi i projektligjit për pagën minimale ishte veprim i turpshëm.
“Kurrë nuk e kam paramenduar që 23 vjet pas luftës një qeveri e udhëhequr nga një kryeministër Albin Kurti, do t’i detyrojë veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve të dalin të protestojnë për minimumin e kërkesave që janë të garantuara me ligj, që të përfshihen në pagën minimale në mënyrë të dinjitetshme”, tha ajo.
voa