Steinmeier ”themelimi i Gjykatës Speciale një lajm i mirë”

SteinmeierFrank Walter Steinmeier me udhëheqsit kosovar bisedoi për proceset integruese të Kosovës, për domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Serbinë dhe për sfidat e themelimit të Gjykatës Speciale.

Shefi i diplomacisë gjermane Frank Walter Steinmeier, tha në Prishtinë (28.04) se me themelimin e Gjykatës Speciale, Kosova i bën një favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja. Për Steinmeier themelimi i Gjykatës Speciale është një lajm i mirë. Këtë deklaratë shefi i diplomacisë gjermane e bëri gjatë vizitës së tij në Kosovë ku takoi presidenten e vendit Atifete Jahjaga, kryeministrin Isa Mustafa dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaҫi. Ministri Steinmeier theksoi rëndësinë e përmbushjes së obligimit ndërkombëtar të Kosovës me krijimin e Gjykatës Speciale, e cila tha se “kërkon një konsensus të përgjithshëm në shoqëri”.

“Kosova me themelimin e Gjykatës Speciale nuk po i bën favor bashkësisë ndërkombëtare, ky është perceptim i gabuar, por ajo po i bën favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja dhe që ka një përgjegjësi ndaj historisë së saj që t’i shtjellojë ҫështjet e ngritura nëpërmjet kësaj gjykate. Nga përvoja gjermane mund të them se ballafaqimi me të kaluaren është baza për atë që njeriu mund të jetë i vetëdijshëm dhe të lëvizë përpara drejt së ardhmes së tij. Për këtë unë mund të them se ne jemi të lumtur që Gjykata Speciale do të themelohet dhe ky nuk është një lajm i keq, por një lajm i mirë”, tha Steinmeier.

Ministri Steinmeier këtë deklaratë e bëri gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa. Për themelimin e Gjykatës Speciale nevojiten ndryshime kushtetuese në kuvend, por kryeministri Isa Mustafa, tha se ai nuk e di datën se kur do t’i trajtojë Kuvendi këto ndryshime kushtetuese. “Me sa kam informata, pritet që javën e ardhshme, një grup punues i Brukselit të vijë në Kosovë për të harmonizuar qëndrimet me specialistët nga Kosova në lidhje me ligjin mbi dhomat e veçanta të Gjykatës Speciale. Sapo të përfundojë kjo procedurë, ndryshimet kushtetuese do të procedohen në Kuvend”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Shefi i diplomacisë gjermane Frank Walter Steinmeier, ndërkaq, e vlerësoi të rëndësishëm dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të këtij dialogu, që sipas tij çon drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai tha, se “Gjermania dhe partnerët evropianë presin një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Shefi i diplomacisë gjermane Frank Walter Steimeier me udhëheqësit politik kosovare diskutoi edhe ҫështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ai tha se bisedimet për këtë proces duhet të vazhdojnë: “Ka pasur një progres të madh në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, bisedat që janë zhvilluar me BE-në duhet të vazhdojnë. Së dyti liberalizimi i vizave nuk duhet të keqkuptohet si një parakusht për të rinjtë që të fillojnë një studim në Gjermani. Ne në Gjermani për këtë kemi gjetur zgjidhje, p.sh. për studime nuk nevoitet që të ketë liberalizim të vizave. Dhe së treti diskutimet që kanë filluar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të vazhdojnë, sikundër që brenda pak muajve sigurisht që do të ketë nënshkrim të marrëveshjes së MSA-së”, tha shefi i diplomacisë gjermane.

Frank Walter Steinmeier, tha se Kosova duhet ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, ndërsa, mungesën e investimeve gjermane e ndërlidhi edhe me korrupsionin e lartë në Kosovë. Për këtë shqetësim të diplomatit gjerman, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka një përgjigje: “Duhet të ndërmarrim masa për luftimin e korrupsonit si parakusht të tërheqjes së investimeve të huaja direkte. Ne do të marrim masa direkte ndaj të gjithë atyre që e kanë kultivuar korrupsionin si mënyrë e të bërit biznes dhe e kanë vështirësuar ardhjen e investitorëve të huaj. Qeveria e Kosovës do të thjeshtësojë ligjet dhe procedurat për investime të jashtme në mënyrë që ata sa më pak të kenë punë me një zinxhir të njërëzve që mund t’i pengojnë investimet e tyre”, tha Isa Mustafa.

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, gjatë vizitës në Prishtinë takoi edhe homologun e tij kosovar, Hashim Thaҫi dhe presidenten Atifete Jahjaga. Presidentja në një komunikatë për media tha se me diplomatin gjerman ka biseduar për proceset integruese të Kosovës dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, për domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura me Republikën e Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel, për sfidat e themelimit të Gjykatës Speciale dhe për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në Kosovë.

Presidentja Jahjaga, vlerësoi marrëdhëniet e Kosovës me Gjermaninë dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së qeverisë gjermane për proceset demokratike në Kosovë, posaçërisht për rrugën evropiane të Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor. “Kosova dhe rajoni të vetmen alternativë e kanë integrimin në BE dhe prandaj qëndrueshmëria, bashkëpunimi dhe marrëdhëniet ndërfqinjësore do të përcaktojnë dinamikën integruese. Kosova dhe Serbia, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, kanë arritur një numër marrëveshjesh të cilat kërkojnë zbatim të plotë”, tha presidentja Jahjaga, duke kërkuar që rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë gjermane Frank Walter Steinmeier, para se të vizitojë Kosovën qëndroi në Beograd, ku takoi zyrtarët më të lartë të Serbisë. Steinmeier tha se Evropa nuk i ka ndryshuar kushtet për Serbinë e as që ka vënë kushte të reja, sa i përket anëtarësimit të saj në BE duke shtuar se Gjermania do të punojë bashkë me autoritetet serbe në atë që kapitujt për të, të hapën brenda këtij viti. “Askush nuk i ka ndryshuar kushtet për Serbinë, as nuk ka paraqitur kushte të reja, madje as Gjermania. Këto janë marrëzira”, tha diplomati gjerman në Beograd, duke shtuar se Gjermania do të punojë në hapjen sa më të shpejtë të kapitujve për Serbinë që pritet të ndodh brenda këtij viti. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>