Bashkimi Evropian do të ndërmjetësojë të dielën më 12 korrik takimin e parë të nivelit të lartë Kosovë – Serbi, që nga nëntori i vitit 2018.
Të hënën zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen me ndërmjetësimin e shefit të politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
“Ky takim do të rifillojë diskutimet dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që do të trajtojë të gjitha çështjet e hapura”, tha ai.
Takimit të së dielës do t’i paraprijë një takim virtual të premten nën organizmin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares Gjermane Angela Merkel, që ishte planifikuar të jetë një takim i nivelit të lartë në Paris.
Nesër ndërkaq kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të pritet në Paris nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Publikimi i akuzave u bë në prag të takimit Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë që planifikohej të mbahej më 27 qershor me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.
Ambasadori Grenell paralajmëroi se së shpejti do të caktohet një datë e re e takimit.
Vëzhguesit thanë se zhvillimet e fundit pasqyrojnë mungesën e një bashkërendimi transatlantik rreth Kosovës dhe publikimi i akuzave ishte goditje ndaj nismës amerikane për rifillimin e bisedimeve që sipas tyre, janë vënë në pikëpyetje.
Por, Bashkimi Evropian tha se ripërtëritja a procesit do të ndodhë gjatë kësaj jave me video samitin e Parisit dhe takimin e së dielës në Bruksel.
Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
voa