(Plotësuar) Ka përfunduar takimi mes presidentes Vjosa Osmani me emisarin amerikan për
Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Siç njofton gazetarja e RTK-së, Donika Sherifi, e cila po ndjek nga afër këto takime, tashmë Escobar ndodhet në takim me kryeministrin Albin Kurti.
Madje ky takim që ishte parashikuar të fillonte në orën 16:30, ka nisur për rreth 20 minuta më herët.
Ndryshe nga takimi Osmani-Escobar, në takimin Kurti-Escobar, gazetarët nuk janë lejuar të xhirojnë apo shkrepin fotografi.
Të gjithë gazetarët i kanë lënë jashtë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në pritje të përfundimit të takimit Kurti-Escobar.
Emisari Escobar nis takimin me presidenten Osmani|Foto-Video
Ka mbërritur tashmë në Presidencë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Rreth orës 14:30, Escobar është pritur në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Në këtë vizitë ishte planifikuar të ishte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Megjithatë, ky i fundit, anuloi vizitën në Kosovë, duke u thirrur në “arsye familjare”.
Derisa ende është e paqartë nëse Chollet do realizojë vizitën e planifikuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e paralajmëruar nga 12 deri me 17 dhjetor, emisari Escobar pritet të takohet në orën 16:30 edhe me kryeministrin Albin Kurti, raporton RTKlive.
Vizita e dipomatëve të lartë amerikanë ndodh në kohën kur situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe është e tensionuar.
Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
rtk