Të martën takohen në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Veç dialogut për normalizimin e marrëdhënieve temë bisede do të jetë edhe çështja e dinarit serb.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, takohen të martën (19.03.) në Bruksel për takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Zyrtarë të Bashkimit Evropian, thanë se do të ketë presion ndaj të dy palëve për ta zbatuar marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve të arritur një vit më parë e të njohur si Marrëveshja e Ohrit. Në takimin e Brukselit temë e veçantë diskutimi do të jetë edhe çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë. Autoritetet ndërkombëtare i kanë kërkuar Kosovës që ta pezullojë rregulloren që ndalon dinarin, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur kryesisht serbë që të përshtaten me praktikën e re.
Osmani mbi dinarin serb: Ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në lidhje me zgjidhjen e konfliktit për dinarin serb, para takimit në Bruksel tha, se “çështja e dinarit serb në Kosovë duhet të zgjidhet me urgjencë dhe se tashmë ekziston pajtueshmëri për një pjesë të propozimit amerikan për këtë çështje”. Sipas saj, “Deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit, nga ajo që jam informuar dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër të propozimit. Është shume pozitive që komuniteti ndërkombëtar, në krye me SHBA-në, pajtohen që të mos ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë. Edhe me ndihmën e tyre kemi arritur që tash e tutje edhe ato kërkesa dhe ato ndihma financiare që vijnë nga Serbia të arrijnë në euro dhe jo në dinar. Kjo e zgjidh një pjesë të madhe të problemit. Tash, me ndihmën e SHBA-së kemi arritur që, siç kemi deklaruar edhe me herët, për zbatimin e plotë të Kushtetueses edhe në praktikë na duhen aleatë.”
Presidentja e Kosovës thekson, se për pjesën tjetër do të ishte ideale që të kishte pajtueshmëri mes palëve në Bruksel, në takimin e radhës që pritet të mbahet më 19 mars, në nivel të kryenegociatorëve. “Pjesa e dytë, të cilën akoma nuk ka pajtim, dhe kam shpresë të plotë që edhe në atë pikë do të arrijmë shpejt, është si duhet të sigurohemi që çdo ndihmë financiare që vjen nga Serbia të mos shkojë në duart e personave që kanë abuzuar, që janë të korruptuar dhe i kanë marrë parat kinse në emër të qytetarëve por i kanë shfrytëzuar për korrupsion e krim të organizuar. Edhe për atë pjesë është ende duke u hartuar një plan.”
Osmani e mirëpret një ujdi në Bruksel, sepse është urgjente që kjo çështje të zgjidhet. “Kosova ka probleme shumë më të mëdha, ndër të tjera sigurimi i kufirit nga Serbia, e cila vazhdimisht mendon se si ta sulmojë Kosovën. Duhet të ulemi me aleatë dhe të sigurohemi që të mbrohet çdo pëllëmbë e territorit tonë”, tha presidentja Osmani.
dw