Në Bruksel u takuan presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq. Takimi i ndërmjetësuar nga Federica Mogherini ishte më i shkurtër se ç’ pritej dhe përfundoi pa asnjë marrëveshje.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pohon se takimi i zhvilluar në Bruksel me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq u mbajt në një frymë konstruktive. Në takim është biseduar për hapat e deritanishëm në realizimin e marrëveshjeve dhe domosdoshmërinë e implementimit të tyre. Por në pyetjen e Deutsche Welles se cilat ishin rezultatet konkrete, Thaçi tha se rezultate konkrete nuk ka pasur. Ai tha se palët kanë rënë dakord që të vazhdojnë bisedimet dhe janë të përkushtuara t’i implementojnë marrëveshjet e arritura. “Pala kosovare do ta realizojë obligimin për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, theksoi Thaçi. Sipas tij, në këtë takim është biseduar edhe për marrëveshjen për energjinë dhe marrëveshje të tjera. Takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje për vazhdimin e dialogut dhe nuk është përcaktuar ndonjë datë e takimit të ardhshëm.
Në pyetjen e DW se kur pritet nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Kosovës u përgjigj se ai pret që kjo marrëveshje të nënshkruhet deri në fund të këtij viti. Por në reagimet e para të qarqeve diplomatike në Bruksel u tha se shikuar nga takimi i zhvilluar këtë të premte në Bruksel (23.03.2018) nuk ka ndonjë shkas tepër shpresëdhënës që marrëveshja për normalizimin e raporteve në nivel të dy shteteve të nënshkruhet shpejt.
Vuçiqi iku nga gazetarët
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk doli fare para gazetarëve të mbledhur para selisë së shefes së diplomacisë evropiane Mogherini. Ai zgjodhi televizionin serb Pink për të shpjeguar qëndrimet e tij, përmes një interviste të gjatë. Ndërkohë që i injoroi totalisht gazetarët që pritën disa orë para vendit ku mbahej takimi. Nga burimet mësojmë se Vuçiq ka qenë tërë kohën i nervozuar gjatë takimit. Ai kishte ardhur në takim i mllefosur, pasi që kishte mësuar deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj se ai “nuk ka mbërritur të lexojë fare propozimin për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Në intervistën për mediat serbe, Vuçiq fajësoi edhe bashkësinë ndërkombëtare për mosrealizimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe. “Fajin e ka edhe Bashkimi Evropian, sepse ai është nënshkrues i marrëveshjes. Serbia i ka realizuar të gjitha pikat, nga 7-15 të marrëveshjes”, tha ai. Sipas presidentit serb “shqiptarët nuk e kanë ndërmend t’i plotësojnë obligimet e tyre”. “Për pesë vite nuk kanë mundur ta lexojnë asnjë faqe e gjysmë teksti”, tha ai, duke komentuar deklaratën e Haradinajt se “nuk ka arritur ta lexojë këtë marrëveshje”.
Serbia megjithatë në rrugën evropiane
“I kam thënë sotne zonjës Mogherini se Serbia mbetet në rrugën evropiane. Ne do t’i bëjmë të gjitha që janë në mundësitë tona, por mos mendoni se Serbia do t’i rrënojë të gjitha interesat e veta nacinale dhe shtetërore, për të kënaqur disa qarqe në Evropë dhe botë”, theksoi Vuçiq.
Raundi i djeshëm i dialogut filloi me takimet e ndara të shefes së diplomacisë evropiane Federica Mogherini me presidentin e Serbisë Vuçiq dhe ate të Kosovës Thaçi. Takimet e ndara kanë zgjatur më shumë se darka e përbashkët, që siç mësojmë, nuk ka kaluar në ndonjë atmosferë tepër të këndshme. Më parë, zëdhënësja e shefes së diplomacisë evropiane, Maja Kocijançiq tha se BE shpreson se palët do të arrijnë rezultate konkrete, të cilat do të prezantohen pas takimit.
“Ajo që duam ne është normalizimi i plotë i raporteve, siç është thënë edhe në strategjinë e BE për Ballkanin Perëndimor”, theksoi Kocijançiq, duke shtuar se përparimi në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit është në interesin e të dy palëve. Shikuar nga ky takim, rruga e këtyre dy shteteve drejt anëtarësimit në BE do të jetë e gjatë dhe pa fund të parashikueshëm. (dw)