Të enjten në Bruksel, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini do ndërmjetësojë takimin e radhës ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Ata do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve duke pasuar pajtimin e muajit korrik se do të fillojnë të përgatisin një periudhë të re të këtyre bisedimeve”, tha Maja Kocijançiç, zëdhënëse e zonjës Mogherini.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, qenë takuar më 3 korrik dhe pas atij takimi thanë se janë pajtuar që bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve të hyjnë në një periudhë të re, ku do të diskutohen çështje më me peshë sesa aspektet teknike.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha atëherë se periudha e re do të çonte drejt një normalizimi dhe pajtimi mes të dyja vendeve e dy popujve dhe do të mbyllte kapitullin e errët të së kaluarës, për të hapur ardhmërinë e sigurt evropiane.
I përballur me kritika në shtëpi, presidenti Thaçi, ka paralajmëruar se do të angazhohet për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës që do të përfshihet në bisedimet më Serbinë.
Presidenti i Serbisë, Alesksandër Vuçiç, kishte paralajmëruar se në periudhën e re, do të bisedohet për çështje thelbësore se si i shohin palët marrëdhëniet ndërmjet tyre për një, dy apo pesë vjet. Kjo do të thotë, sipas tij, se duhen biseda me serioze dhe më të guximshme brenda opinionit serb dhe atij shqiptar.
Në fund të muajit korrik, presidenti serb, paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm në Serbi për, siç tha, zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë të çështjes së Kosovës. Nisma e tij nxiti shumë reagime në Serbi ku janë hedhur edhe ide për ndarjen e Kosovës, ide këto që janë hedhur poshtë nga Prishtina.
Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur më vitin 2008, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.
Të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, bisedimet e deritashme i siguruan Kosovës, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Ndërmjetësuesja e këtyre bisedimeve, Federica Mogherini shfaqi besimin më herët gjatë javës se mund të vendoset një synim që deri në fund të mandatit aktual të Komisionit Evropian që përfundon në vitin 2019, të hidhen hapa thelbësorë për vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Zhvillimet politike në Evropën Juglindore gjatë vitit të fundit nxitën shqetësime në rritje për paqëndrueshmërinë e rajonit dhe ndërhyrjen e Rusisë e cila nuk i sheh më sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit, një pjesë e të cilave deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë ishin nën ndikimin e saj.
Zonja Mogherini është shprehur disa herë se fuqia e Bashkimit Evropian në rajon është e lidhur me besueshmërinë e integrimeve evropiane (voa)