Të ndalohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

LVVLëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media ku u fol për nënshtrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës karshi mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Këto zgjedhje përveç që nuk po ndalohen nga Qeveria e Kosovës, Ministrat e Isa Mustafës po kontribuojnë në to dhe po marrin pjesë në tubimet e organizuara nga Vuçiqi e Daçiqi në Kosovë. Nuk ka dyshim që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ato janë në përputhje vetëm me Kushtetutën e Serbisë. Tash shtrohet pyetja – cila është përgjegjësia e Qeverisë së Republikës së Kosovës: mbrojtja e Kushtetutës sonë, apo mbrojtja e Kushtetutës së Serbisë?

“Me mosveprimin e tyre, me tolerimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe me pajtueshmërinë që këto zgjedhje të zhvillohen nga shteti serb brenda territorit të shtetit tonë, Qeveria e Kosovës është vënë në funksion të Kushtetutës serbe dhe në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës, përballë dështimit për t’i ndaluar zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, po mundohet t’i paraqesë këto zgjedhje si zgjedhje normale demokratike të një shteti fqinj. Zgjedhjet e Serbisë që janë paralajmëruar të mbahen më 24 prill, nuk janë thjesht zgjedhje të një shteti fqinj, shtetasit e te cilit votojnë në ambasadën e shtetit përkatës, por janë zgjedhje që po organizohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Serbisë në Kosovë”, tha drejtuesi i Grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, duke shtuar se kjo është shkelje e rëndë dhe e drejtpërdrejtë e sovranitetit shtetëror, pavarësisë, shtetësisë dhe integritetit të paprekshëm të sistemit zgjedhor.

Ai më tej tha se pakica serbe i është lënë totalisht në përgjegjësi institucioneve të Serbisë, me ç’rast zyrtarët e Serbisë lirshëm hyjnë në Kosovë dhe zhvillojnë fushata zgjedhore duke e lidhur popullatën serbe me premtimet e tyre vazhdueshme për kthimin e Kosovës nën Serbi. “Serbisë i është lënë shkollimi i serbëve, informimi, shëndeti dhe pagat, zgjedhjet, pra praktikisht çdo sferë e jetës sociale, politike, ekonomike dhe kulturore. Kësaj po i korrespondon përpjekja që të krijohet edhe një autonomi territoriale serbe përmes Asociacionit të Komunave më shumicë serbe. Dhe kështu të pamundësohet çfarëdo funksionimi unitar i shtetit të Kosovës në të ardhmen”, theksoi Konjufca.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kundërshton fuqishëm mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Nëse Qeveria ka dështuar t’i kryejë funksionet dhe t’i ushtrojë përgjegjësitë e saj shtetërore dhe kushtetuese, ne ftojmë Policinë e Kosovës që ta zbatojë ligjin. Kjo do të thotë që çdo person dhe politikan që vjen nga Serbia për këto aktivitete të kundërligjshme të ndalohet, arrestohet ose dëbohet; të ndalohet veprimtaria e paligjshme e shfrytëzimit të objekteve publike të Republikës së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë; si dhe të konfiskohet çdo material zgjedhor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Serbisë.
14 prill 2016
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>