Tensione në veriun e Kosovës – grupe qytetarësh serbë përplasen me policinë

ZvecanGrupe qytetarësh serb u përplasën të premten me policinë e Kosovës e cila tha se po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe në veriun e vendit, për të hyrë në zyrat e tyre.

 

Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e cila hodhi shashka dhe gurë mbi pjesëtarët e policisë, ndërsa i vuri flakën të paktën një makine të policisë.

Në një njoftim të policisë thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve. Sipas policisë janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ende nuk dihet vendi i saktë.

 

Mediat në Serbi thanë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë dhe ka urdhëruar lëvizjen e njësive në drejtim të vijës kufitare me Kosovën.

Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në Beograd tha se është urdhëruar një lëvizje urgjente e trupave, meqë sipas tij, “është e qartë se terrori ndaj komunitetit serb në Kosovë po ndodh”.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier shkroi se Shtetet e Bashkuara i dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë, shkroi ai.

Senatori amerikan Chris Murphy, duke shpërndarë postimin e ambasadori Hovenier tha se ka biseduar në telefon me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet për zhvillimet në veriun e Kosovës.

“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, ai nuk përmendi një plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam kapur tërësisht në befasi dhe ai duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë. Po, këto komuna janë pjesë e Kosovës dhe nën juridiksionin e Prishtinës. Këta zyrtarë kanë të drejtën ligjore teknike për të hyrë në këto ndërtesa. Por pikërisht në këtë moment, me situatën kaq të tensionuar në veri, është një hap qëllimisht provokues dhe i panevojshëm”, shkroi senatori Murphy.

Kryetarët e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, u betuan një ditë më parë nëpër shkolla e ndërtesa të tjera publike në këto komuna, për shkaqe sigurie.

Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës dhe zyrtarët në Beograd kundërshtojnë rezultatin e këtij procesi zgjedhor.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta.

Marrëveshja Kosovë – Serbi, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe ata për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>