Ka përfunduar takimi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ku këta të fundit kanë diskutuar për votimin pro të Gjykatës Speciale.
Pas takimit, kryetari i PDK-së, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi deklaroi se takimi ka qenë i frytshëm dhe ka pas pajtueshmëri që javën e ardhshme Kuvendi ta ketë para vetes çështjen e Speciales, e cila pritet të miratohet.
“Sa i përket amendamenteve për Gjykatën Speciale dëshiroj të theksoj se ishte rekomandim që gjatë javës së ardhshme të procedohet dhe të votohet. Kjo është në interesin e politikës së Kosovës dhe në interesin e Kuvendit dhe gjithë shoqërisë kosovare, dhe interesit të perspektivës euro atlantike dhe në vazhdimësisë së ndërtimit të partneritetit më BE-në dhe SHBA-në. Them se është në të interesin e të gjithëve që Gjykata Speciale të aprovohet”, ka thënë Thaçi.
Ndërsa, deputetja Ganimete Musliu tha se ende nuk ka ndërruar qëndrim rreth speciales. Ajo tha se në momentin që ndryshon do ta bëjë publike.
Takohen deputetët e PDK-së
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka filluar të mblidhet në Kuvendin e Kosovës.
Edhe pse jo zyrtarisht, mësohet se ky është takimi i fundit para se Qeveria të sjell në Kuvend, ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë Gjykatës Speciale. Një takim i tillë pritet të ndodhë nesër edhe në Grupin Parlamentar të LDK-së.
Takimi ishte paraparë të ndodhte dje, megjithatë në momentin e fundit është shtyrë për sot. Deputetët thotë se është një takim i zakontë para seancës së nesërme.
Megjithatë, burime të KosovaPress-it thonë se ky është takimi i dytë me radhë i kryetarit të partisë, Hashim Thaçi me deputetët për t’u siguruar se ata do të përkrahin Gjykatën Speciale. (rtk)