Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të martën se nuk ka vullnet të përfshihet në procesin e negociatave me Serbinë që udhëhiqen nga i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Presidenti Thaçi, tha se pa rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara nuk mund të zgjidhen çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Unë kam besim të plotë në lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se këtë proces do ta dinamizojnë dhe përmbyllin suksesshëm, siç kanë përmbyllur suksesshëm të gjitha çështjet që kanë qenë të hapura në Ballkanin Perëndimor tash e tri dekada. Do të thotë pa rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara, nuk ka faktor që mund t’i lëvizë këto gjëra, në veçanti çështjet shumë të rëndësishme, delikate dhe të vështira që janë në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.”
Ai tha se është inkurajues çdo vullnet që tregohet nga Bashkimi Evropian në këtë drejtim.
“Unë të them të drejtën personalisht nuk jam në kontakt me zotin Lajçak. Zoti (Albin) Kurti është tash e tre muaj në kontakt me të dhe nuk e di se cka kanë biseduar dhe sa larg kanë shkuar Kurti, Lajçak dhe (Josep) Borrell. Mendoj se ne si vend i pavarur dhe sovran dhe si ekip i Kosovës duhet gjithmonë të kemi parametrat dhe të jemi të vetëdijshëm që ky vend është i lirë u pavarur, sovran, por përballë do të kemi dy negociatorë, të cilët vijnë nga dy vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa zoti Lajcak edhe ka votuar kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”, tha presidenti Thaçi.
Ai tha se Kosova duhet të bëjë diferencimin e partnerëve strategjik dhe të ketë të qartë se kush mund të zhvillojë negociata, të përmbyllë marrëveshjen dhe ta zbatojë atë.
“Ndërsa personalisht unë si president i vendit do t’i përgjigjem çdo ftese në veçanti sa i përket samiteve nga presidenti (Emmanuel) Macron apo kancelaria (Angela) Merkel, por nuk e kam vullnetin që të participojë në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak” , tha ai.
Të shtunën, ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, bënë thirrje për rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian, por tërhoqën vërejtjen se nuk mund të ketë një rrugë të shkurtër për një marrëveshje të shpejtë ndërmjet palëve.
Në një shkrim të përbashkët, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian dhe ai gjerman, Heiko Maas, thanë se situata e pazgjidhur ndërmjet të dyja vendeve mbetet një faktor destabilizues për Ballkanin dhe sigurinë evropiane dhe se “qëllimi i bisedimeve është një marrëveshje e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse, ligjërisht detyruese midis Beogradit dhe Prishtinës që zgjidh të gjitha çështjet e hapura dhe ndihmon qëndrueshmërinë rajonale”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se është i gatshëm të vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe për këtë po pret Bashkimin Evropian.
“Unë jam në kontakt të rregullt me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ai natyrisht se tash është duke përgatitur fillimin e dialogut, ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur dhe organizuar mirë”, tha ai duke nënvizuar se kalendari i bisedimeve varet nga Brukseli.
Zoti Lajçak u emërua në postin e të dërguarit të psoaçëm në fillim të muajit prill dhe që atëherë ka zhvilluar biseda telefonike me udhëheqës institucionesh e partish politike në Kosovë dhe Serbi, por jo edhe me presidenti Thaçi, i cili nuk është pajtuar me emërimin e tij.
Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe. Tashmë këto tarifa janë hequr dhe zëvendësuar me masa të reciprocitetit nga ana e qeverisë së Kosovës por ende mbetet e paqartë se kur do të mund të rifillonin bisedimet, derisa Serbia është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 21 qershorit, ndërsa Kosova ndodhet në krizë politike dhe me qeveri në detyrë.
voa