Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se të gjithë udhëheqësit e Kosovës janë të zëvendësueshëm, por roli i Shteteve të Bashkuara për Kosovën, është i pazëvendësueshëm.
Ai i bëri këto komente në ditën kur priste t’i drejtohej parlamentit të Kosovës për të raportuar lidhur me takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të hënën në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti Thaçi, kërkoi që të mërkurën pasdite të mbahet një seancë e parlamentit, por kryetarja Vjosa Osmani në një përgjigje ndaj kërkesës së tij tha se duhet kohë për organizmin e seancës, meqë deputetët janë të angazhuar në veprimtari të përcaktuara më parë.
“Prandaj, kërkesa juaj për adresim Kuvendit, do të trajtohet që në mbledhjen e parë të Kryesisë e cila do të mbahet menjëherë pas 9 marsit. Meqenëse adresimi që keni kërkuar ta bëni para deputetëve nuk është trajtuar si çështje urgjente në letrën tuaj, do t’ju njoftojmë shumë shpejt për datën, në të cilën ju mund t’ adresoheni Kuvendit, në përputhje me nenin 84 (30) të Kushtetutës”, thuhet në letrën e zonjës Osmani.
Duke shprehur keqardhjen për mos organizimin e seancës, presidenti Thaçi paralajmëroi konferencë për gazetarë si dhe takime me udhëheqësit e partive politike për t’i informuar rreth takimit, të cilin ai e cilësoi “si moment të kthesës kritike dhe pozitive që nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe të presidentit Donald Trump, dinamikës dhe mençurisë së ambasadorit Richard Grenell të arrihet marrëveshja në të ardhmen e afërt. Prandaj, këtë momentum dhe këtë mundësi nga Uashingtoni duhet ta shfrytëzojnë edhe Kosova edhe Serbia për arritjen e paqes si garanci për paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”.
Ai e vlerësoi lartë faktin që siç tha Shtetet e Bashkuara de presidenti Trump i kanë dhënë mbështetje dhe kanë caktuar ambasadorin Grenell që të merret me çështjen e mundësisë së arritjes së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nëse deri tani ka pasur dikush dilema për këtë proces mendoj se roli që kanë marr SHBA, takimi në Washington ka hequr çdo dilemë dhe çdo enigmë, ky proces është në duar të sigurta, është në drejtim të duhur, është me rol udhëheqës të SHBA-së. Ne të gjithë liderët e Kosovës jemi të zëvendësueshëm, roli i SHBA-së për Kosovën është i pazëvendësueshëm”, tha presidenti Thaçi.
Rreth takimit në Washington foli të mërkurën edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili u tha medieve në Beograd se nuk ka ndonjë marrëveshje me Kosovën.
“Ditëve të kaluara pati shumë lajme të rreme rreth asaj se po arrihet një marrëveshje e madhe, se si ka një plan tashmë etj. Nuk është biseduar për këtë dhe nuk ekziston një plan i tillë”, tha ai, duke përsëritur qëndrimin se pa heqjen e tërësishme të tarifave të Prishtinës ndaj mallrave serbe, nuk mund të ketë bisedime thelbësore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka hedhur propozimin për heqjen e kushtëzuar të tarifave ndaj mallrave serbe, tha të martën se vullnetit të mirë të Kosovës, Serbia po i përgjigjet me intensifikim të fushatës kundër njohjeve të Kosovës. Presidenti serb, tha sot se Serbia do ta ndalojë fushatën atëherë kur Kosova heq dorë nga synimet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare deri në fund të procesit të bisedimeve.Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, që çuan në pezullimin e bisedimeve, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar më parë që t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.Cështja e tarifave është shndërruar sërish në temë debatesh të brendshme në Kosovë, pëfshirë edhe koalicionin qeverisës. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është pajtuar me qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti për heqjen e kushtëzuar të tarifave, duke kërkuar që çdo veprim të bashkërendohet në radhë të parë me Shtetet e Bashkuara.Zëvendës kryeministri Avdullah Hoti shkroi të mërkurën në rrjetet sociale se angazhimi i Serbisë për defaktorizimin e subjektivitetit të Kosovës është sistematik, që tregon se ajo është kundër marrëveshjes për normalizim.“Kjo nuk është gjë e re. I ri është konteksti politik në Kosovës, ku institucione e reja që kanë legjitimitet të plotë qytetarë tani marrin përsipër agjendën e dialogut dhe politikës së jashtme. Është e qartë se kjo agjendë e qeverisë së re mund të ketë sukses vetëm në koordinim SHBA dhe BE. Paralizimi eventual i institucioneve të reja të Kosovës karshi këtyre temave për shkak të kauzave pseudopolitike, siç është tarifa, na shpie në getoizim”, shkroi ai.
voa