THONE ËSHTË PARË PJETËR BOGDANI

Një ditë vjeshte, në Prishtinë,
Thonë është parë Pjetër Bogdani,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhe Kadrinë
Me Pashko Vasen e Negovanin…
Se ç’kuvendonin për përjetësinë,
Për Stambollën, Romën, Vatikanin
Luteshin për Gjergjin, për Arbërinë,
Argjentën, Antarion, për Zvecanin;
Thonë, mallkonin djallëzinë,
Carin, krajlët e Sulltanin…

Është parë, thonë, Pjetër Bogdani,
Në oborr të namazxhasë,
Ku ia copëtuan eshtrat e zhvarrosur,
Qentë llaskucë të kasabasë…
Fërkojnë sytë besimtarët e mpirë,
Pas meshës shenjtë e pas xhymasë:
O zot! Një shqype e shenjtë, mjekërngrirë,
Buzëqesh nga froni i arabasë..:
-“Nuk janë gja, thotë, qentë e rrugës,
Që shkërmojnë eshtrat e Bogdanit,
Kujdes qentë që kafshojnë tokën,
Qe kafshojnë gjuhën,
Kafshojnë fisin,
Kafshojnë plisin…
Kafshojnë shpirtin e vatanit.

Qofsh i gjallë, qofsh i groposur,
Dhe të vërsulen zagarë e qenë,
Mos u thuaj: tyt!,qenve të zgjebosur,
Por atij që i ndërsen…!
Ai që qentë
T’i ndërsen,
Nga çdo lloj qeni
Është me qen…

Thonë, atë vjeshtë, me ngricë e brymë
Është rishfaqur Pjetër Bogdani,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhë Kadrinë
E me Papa Kristo Negovanin…
Thonë, atë vjeshtë, me suferinë
Përkundte hasiania, të vëllain, hasianin,
Në ninulla, zana e sibila,
Tok me Gjergjin,
Me Pjetër Bogdanin,
Me Hoxha Tahsinin, Hoxhë Kadrinë
Me Pashko Vasen, me Negovanin…
Se ç’ligjëronin për Arbërinë,
Për fisin, plisin, për Vatanin.

Hydajet Hyseni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>