Në Tiranë, Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare organizoi sot një takim me publicistin e njohur nga Kosova, Veton Surroi mbi pritshmëritë e politikës së jashtme të qeverisë Kurti në Prishtinë.
Para një auditori me studiues dhe diplomatë nga të dy shtetet, zoti Surroi tha se Kosova ka për herë të parë një qeveri të qëndrueshme me një mandat të qartë nga vota e qytetarëve.
Kjo, sipas tij, është një përparësi e qeverisë Kurti në dialogun me Serbinë, ku për herë të parë Kosova mund të hyjë në një proces dialogu, të ndarë nga Gjykata Speciale, apo tema të tjera si këmbime territori apo amnistitë mbi krimet e luftës.
Në një auditor të larmishëm me studiues, diplomatë dhe analistë nga Shqipëria dhe Kosova, një pjesë në sallë dhe shumica përmes internetit, botuesi dhe analisti i njohur Vetton Surroi tha se edhe bisedimet me Serbinë do të jenë një sfidë e vazhdueshme për qeverinë Kurti, ashtu si për gjithë qeveritë e mëparshme.
Por ndryshe nga qeveritë e tjera, qeveria Kurti, tha ai, është shumë e qëndrueshme dhe me një mandat të qartë, ndaj këtë përparësi duhet ta shfrytëzojë për të zgjeruar edhe më tej legjitimitetin, duke përfshirë opozitën në procesin negociues.
Zoti Surroi tha se bisedimet Kosovë – Serbi kanë vazhduar pa rezultat për 10 vjet, sepse Beogradi nuk do ta njohë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës, duke ndërlikuar edhe raportet me BE-në.
“Kapitulli më i vështirë për të dy palët, tha zoti Surroi, është ballafaqimi me të kaluarën, sepse gjuha e konfliktit vazhdon në Kosovë dhe Serbi, gjë që e vështirëson dialogun dypalësh, kur ende nuk dihet fati i të zhdukurve gjatë luftës, ndaj nevojitet një kulturë e paqes” – tha ai.
Ndaj nevojitet një rivlerësim i procesit negociator, përderisa koha nuk i shëroi plagët e luftës, madje koha e shpërdoruar keq mund të sjellë probleme të reja, ndërkohë që ka ndryshuar edhe konteksti i përgjithshëm i negociatave.
“Rusia e ka shfrytëzuar çështjen e Kosovës edhe për të frenuar përhapjen e NATO-s në Ballkan edhe destabilizimin e rajoneve afër Rusisë, duke përmendur Kosovën si një justifikim për veprimet e veta arbitrare ndaj ish republikave sovjetike” – tha ai.
Rusia është sot e angazhuar drejtpërdrejt kundër shtrirjes së Europës atlantiste, tha zoti Surroi, dhe pavarësia e Kosovës dhe mundësia që ajo të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së janë në qendër të zgjerimit atlantist të Europës.
Zoti Surroi theksoi se rikthimi i Shteteve të Bashkuara në “Dialogun” e Brukselit, në një platformë të përbashkët e në kushte të reja, është e nevojshme për Kosovën që të përfshihet në të dyja proceset, pra anëtarësimin në NATO dhe atë në BE.
Sipas tij, angazhimi i Kosovës në dialog bëhet edhe si matës për fqinjësinë e mirë, në kuadër të NATO-s.
voa