Tkurrja e popullsisë në Kosovë dhe ‘ikja e trurit”

ikja e truritQë nga viti 2011 e deri në vitin 2017, mbi 180 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova. Të dhënat janë bërë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Avni Kastrati drejtor i statistikave sociale në këtë institucion, thotë se arsyet e largimit të tyre janë të ndryshme, duke filluar nga bashkimi familjar, punësimi apo edhe studimet.

“Pjesa dërmuese emigrojnë për shkak të çështjeve ekonomike, një pjesë shkon për shkak të bashkimit familjar, për studime apo për një jetë më të qetë, më të mirë sepse ofrojnë kushte më të mira vendet e Bashkimit Evropian. Sa i përket grup moshave, sipas të dhënave të fundit të vitit 2017, pjesa dërmuese rreth 82 deri 85 për qind është e grup moshës 22 – 35 vjeç, do të thotë ajo mosha kryesore e fuqisë punëtore dhe që hyn në riprodhim në aspektin e gjenerimit të popullsisë, emigron”, thotë ai.

Zoti Kastrati thotë se nëpër vite ka ndryshuar edhe struktura e atyre që kanë emigruar.

“Në vitin 2011 ka shkuar një strukturë e nivelit më të ultë të edukimit, në vitin 2017 sidomos ka shkuar edhe një pjesë e popullsisë e cila ka nivel më të lartë të edukimit përfshirë fakultetin, studimet bachelor, master apo ndonjë nivel më të lartë. Do të thotë më herët kanë shkuar më shumë njerëz me shkollë të mesme sidomos viteve 2014 – 2015”, thotê ai.

Shumica e të larguarve, përkatësisht 73 për qind e tyre janë meshkuj dhe kjo ka ka bërë që për herë të parë në pesë vitet e fundit Kosova të popullohet me më shumë femra.

Këshilli i Evropës për marrëdhënie Ndërkombëtare, në një raport të publikuar ditë më parë mbi vendet që kanë humbur më shumë popullsi në dhjetë vjetët e fundit radhiti Kosovën më së larti, me 15 për qind.

Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thotë se humbja e shpresës është faktori kryesor për ikjen e popullsisë.

“Unë mendoj se ekonomia e Kosovës ballafaqohet me një rrezik të jashtëzakonshëm sa i përket ikjes së dy kategorive fundamentale të një ekonomie nacionale, është ikja e trurit dhe fuqisë së kualifikuar punëtore. Në fakt pa këto dy komponentë është jashtëzakonisht vështirë që të parashohim një rritje afatgjate ekonomike për vet faktin se përveç asaj që ikë fuqia punëtore në fakt ikin edhe konsumatorët dhe të gjithë parametrat makro ekonomik me zvogëlimin e popullatës do të kenë trende negative”, thotë ai.

Zoti Gashi thotë se pasojat e një situate të tillë janë të shumëfishta dhe do të pasyrohen posaçërisht në zhvillimin ekonomik.

“Ne nuk do të jemi më vend atraktiv për investime të jashtme sepse deri më tani kemi theksuar se potenciali ynë kryesor inkurajues për investitorë të jashtëm ka qenë pasuria që ka Kosova dhe fuqia e re punëtore. Në fakt nëse marrim parasysh që nataliteti i popullsisë në Kosovë aktualisht është rreth 23 mijë banorë, nëse i marrim parasysh ata të cilët vdesin, në fakt ne kemi një tkurrje të popullatës dhe tkurrja e popullatës me automatizëm nënkupton edhe tkurrjen e kapaciteteve zhvillimore dhe tkurrjen e ekonomisë”, thotë ai.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri më tani vendi ku më së shumti kanë emigruar njerëzit nga Kosova ishte Gjermania, por matjet e reja ende të papërpunuara tërësisht mund ta nxjerrin Francën në vend të parë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>