Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, ka deklaruar se veriu i Kosovës po bëhet një zonë me rrezik të tmerrshëm, teksa sipas saj KFOR-i ‘sigurisht që nuk do të merret me punën e policisë’.
Ajo në një intervistë për televizionin serb “Nova S” ka vlerësuar se EULEX-i nuk ka policë të vet të mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha vendet e policëve të nacionalitetit serb të cilët braktisën Policinë e Kosovës dhe as nuk ka mandat për t’i zëvendësuar ata, prandaj sipas saj “EULEX-i nuk mund të ofrojë siguri në mënyrë efektive”.
Ajo tutje ka theksuar se tani mbetet të shihet nëse Prishtina do të dërgojë policë shqiptarë në veri të Kosovës.
“Ekziston rreziku, sepse në veri të Kosovës, ajo që ne nuk duam ta themi dhe që vazhdimisht mundohemi ta fshehim, ka banda të armatosura që i ka futur (Milan) Radoiçiq. Nëse edhe ai vet është i pranishëm, unë këtë nuk e di atë. Po dëgjoj se përveç grupeve të armatosura janë parë edhe anëtarë të grupit ‘Wagner’, por që nuk besoj se janë atje sepse ata janë mercenarë që aktualisht po luftojnë për rusët në Ukrainë dhe paguhen nga manjatë rusë. Nuk e di se cili manjat serb do t’i paguante nëse do të hynin në veri me detyrën për të luftuar”, tha Trajkoviq.
Për policët serbë që dhanë dorëheqje dhe që ende janë të ulur në stacionet policore në veri të Kosovës, Trajkoviq vlerëson se ata tani janë “persona të ulur në stacione policore me ndonjë marrëveshje private”.
“Nëse kanë dhënë dorëheqje dhe janë “zhveshur”, tani janë persona të ulur me ndonjë marrëveshje private, dhe kjo është shumë e rrezikshme dhe Mitrovica e di këtë. Kishim rastin edhe më herët kur serbët nga veriu i Kosovës donin t’i merrnin stacionet policore, do të thoja, pak në mënyrë të armatosur dhe kishte konflikte të mëdha në mes të bashkësisë ndërkombëtare dhe serbëve. Ato stacione policore janë shumë të rëndësishme dhe me të vërtetë mendoj se ky është një qëndrim krejtësisht i pamatur i atyre që e morën atë vendim”, tha Trajkoviq.
rtk