Kosovës i munguan vetëm tri vota për t’u bërë anëtare e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë e Kulturë.
Në Konferencën e përgjithshme që e përbëjnë 195 vende anëtare, në votim morën pjesë 142 vende, 92 nga të cilat ishin në favor të pranimit të Kosovës, ndërsa 50 votuan kundër. Ndërkaq 29 vende kishin qëndrim të paanshëm.
Kosovës i duheshin gjithsej 95 vota.
Votimi pasoi refuzimin e kërkesës së Serbisë për shtyrjen e votimit. Delegacioni serb kërkoi të hënën shtyrjen e debatit mbi kërkesën e Kosovës, për t’u dhënë, siç thuhet, një mundësi bisedimeve ndërmjet Beogradit e Prishtinës ku do të diskutohet edhe çështja e trashëgimisë kulturore serbe.
Beogradi kundërshtoi ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë se siç thuhet, kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe dhe “çdo rrëmbim i kësaj trashëgimie do të ishte cenim real i ekzistimit të objekteve më të rëndësishme fetare, kulturore e historike të popullit serb”.
Autoritetet në Kosovë thanë se me anëtarësimin në UNESCO, Kosova do të rriste standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përshirë respektimin e statusit, të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.
Kërkesa e Kosovës ishte paraqitur zyrtarisht nga Shqipëria, ndërsa rreth kësaj çështjeje janë zhvilluar debate të rrepta edhe të përfaqësuesve amerikan që mbështesin Kosovës dhe atyre rus që mbështesin Serbinë.
Autoritetet në Kosovë shprehën keqardhjen e tyre me rrjedhën e votimit. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se “mos anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) është një shans i humbur për avancimin e vizionit, vlerave dhe qëllimeve që i synon kjo agjenci e OKB-së dhe promovimin e këtyre vlerave në Kosovë”.
Megjithatë, presidentja Jahjaga duke falënderuar mbështetësit e Kosovës theksoi angazhimin për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta të qytetarëve të Kosovës. “Angazhimi ynë vetëm sa do të marrë hov e me këtë edhe përkushtimi ynë që ta mbrojmë dhe ruajmë trashëgiminë kulturore e cila është trashëgimi botërore”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.
Keqardhjen e tij e shprehu edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. “Fatkeqësisht, orientimi i qartë pro-perëndimor i Kosovës si dhe gatishmëria e saj për të çuar përpara të gjitha agjendat konstruktive, i ka penguar Serbisë, e cila ka ndërmarrë në vazhdimësi, por sidomos gjatë këtij procesi, një fushatë raciste kundër Kosovës. Kjo ka ndikuar tek disa shtete që ndajnë interesa të përbashkëta me aleatët e Serbisë. Por, kjo nuk na zmbraps aspak. Sepse ne jemi të vendosur të punojmë pareshtur për ta fuqizuar shtetin e Kosovës dhe për ta afirmuar atë si një projekt të suksesshëm, që u shërben interesave të qytetarëve të saj, pa asnjë dallim dhe që është kontribut i paqes, tolerancës dhe prosperitetit”, thuhet në reagimin e kryeministrit Mustafa.
Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, shkruan në rrjetin social Facebook, se megjithatë “rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë”.
Partitë opozitare po ashtu shprehën keqardhjen e tyre, ndërsa tërhoqën vërejtjen se siç thuhet, lëshimet e Kosovës në bisedimet me Serbinë nuk i ndihmuan aspak normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e cilësoi lajm të keq mospranimin e Kosovës në UNESCO.
“Ofensiva diplomatike e Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë, Serbinë e kemi armik që nuk zgjedh mjete për të na luftuar“, thuhet në reagimin e tij
Keqardhje për mospranimin e Kosovës në UNESCO ka shprehur edhe partia tjetër opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. “Kosova e ka merituar plotësisht që të jetë anëtare e kësaj organizate, por votimi i sotëm shpjegon se sa e komplikuar është rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë por edhe në vetë Kombet e Bashkuara”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Edhe ambasadorët e vendeve aleate të Kosovës, shprehën keqardhjen me votimin e sotëm në UNESCO. Megjithatë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie tha se “92 vota dëshmojnë se Kosova ka një vend të rëndësishëm në komunitetin ndërkombëtarë”.
Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh në përpjekje për integrimet evropiane. Pjesë e bisedimeve ishte edhe angazhimi për të mos penguar Kosovën në proceset e integrimeve në organizatat ndërkombëtare.
Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç e cilësoi votimin e sotëm në UNESCO si një fitore diplomatike të qeverisë së tij.
“Kjo është një fitore e drejtë dhe morale e arritur në kushte pothuajse të pamundshme, kur ajo që është e drejtë nuk mund të llogarisë në mbështetjen e shumicës”, tha presidenti serb.
Kisha Ortodokse Serbe mirëpriti refuzimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Në reagimin e saj thuhet se “Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe gjatë gjithë kohës kanë kërkuar shtyrjen e këtij debati, në mënyrë që të shmanget konfrontimi i panevojshëm politik, por pasi kërkesa e Serbisë nuk është miratuar, ndodhi votimi i cili tregoi që në UNESCO nuk ka gatishmëri që të merren vendime të nxituara politike të cilat e cenojnë sigurinë e trashëgimisë kulturore dhe dialogun që është duke e zhvilluar Beogradi me Prishtinën”
Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 dhe sipas autoriteteve atë e kanë njohur 111 vende të botës. Së këndejmi votimit të sotëm në UNESCO i munguan votat e 19 vendeve që e kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri evropian. (voa)