Tusk: Pa normalizim marrëdhëniesh Kosovë – Serbi, nuk ka anëtarësim në BE

Tusk ThaciPresidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha të enjten në Prishtinë se pa normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë, nuk mund të ketë përparim drejt Bashkimit Evropian.

Zoti Tusk qëndroi të enjten në Kosovë në kuadër të vizitës që po u bën të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Pa normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë dhe pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve, nuk shoh se si mund të ndodhë një përparim i marrëdhënieve me Bashkimin Evropian”, tha zoti Tusk, i cili arriti në Prishtinë nga Beogradi ku një ditë më parë e ka transmetuar të njëjtin mesazh.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ritheksoi përkushtimin ndaj këtij procesi. “Kosova mbetet e interesuar jo vetëm të vazhdojë dialogun me Serbinë, por edhe ta kthejë atë në një proces të mirëfilltë të pajtimit dhe të ndërtimit të paqes së qëndrueshme në rajon”, tha presidenti Thaçi.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane. Në strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian thuhet se Serbia dhe Kosova nuk mund të anëtarësohen nëse nuk arrijnë një marrëveshje detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve.

“E di që kjo është një çështje e rëndë dhe emocionale për të dyja palët por nuk ka alternativë më të mirë për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Donald Tusk, duke nënvizuar se kjo do të shpaguhet në afat më të gjatë.

Ai përgëzoi Prishtinën për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malit të Zi, që siç tha, e ka afruar Kosovën me procesin e liberalizimit të vizave dhe dëshmoi se konsensusi ndërpartiak është i mundshëm për çështjet me interes thelbësorë për Kosovën dhe ai është i nevojshëm edhe për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Vizita e tij është në funksion të përgatitjet për takimin e lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Sofje të Bullgarisë më 17 maj. Zoti Tusk tha se qëllimi i takimit ne Sofje është forcimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimi Evropian do të konfirmojë gatishmërinë për të punuar për integrimet evropiane. Në takim tha ai, do të diskutohen edhe sfidat e përbashkëta të sigurisë, siç janë kontrabanda me migrues, terrorizmi dhe krimi i organizuar.

Takimi i Sofjes do të jetë takimi i parë i nivelit të lartë ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor pas 15 vjetësh. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>