Pas më shumë se 20 muajsh sot (16.0.20) në Bruksel vazhdon dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve. Problemet mbeten të njëjta, por palët kanë ndryshuar.
Në Bruksel kanë ardhur delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë të prira nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ndërmjetës në dialog është Miroslav Lajçak, i ngarkuari i Përfaqësuesit për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell. Ndërsa në Bruksel nuk është fare presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i cili gjendet rreth 200 kilometra më larg, në Hagë, ku po intervistohet nga prokurorët e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, nën dyshime se ka bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian thonë se palët sot do të takohen për herë të parë në këtë konstelacion live, sepse ditën e dielë Hoti dhe Vuçiq kanë pasur bisedën e parë përmes një video-konference. Palët thonë se kanë rënë dakord edhe për agjendën e takimit të sotëm, por ajo nuk është publikuar ende.
„Dialogu i lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është kthyer në rrugë të drejtë pas 20 muajsh. Si rezultat i takimit të sotëm, ne u pajtuam për elementet kryesore të procesit dhe agjendës së takimit tonë të radhës që do të mbahet të enjten në Bruksel”, deklaroi Lajçak pas takimit të fundit virtual, të mbajtur ditën e dielë.
Prononcimet e pjesëmarrësve
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel ka bërë të ditur se ai do të prononcohet sot për media para takimeve, ndërsa pas takimeve me palët dhe takimit të parë të përbashkët mes Hotit dhe Vuçiqit, do të flasë ndërmjetësi Mirsolav Lajçak.
Sa u përket palëve, pritet që ato të paraqesin pikëpamjet e tyre, të cilat deri tani janë diametralisht të kundërta. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i cili në Bruksel ka mbërritur të mërkurën pasdite, pohon se me palën serbe do të bisedohet për njohjen reciproke dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura.
Njëkohësisht Hoti pohon se në vazhdim të dialogut do të insistojë në hapjen e çështjeve si kthimi i dokumentacionit që i përket Kosovës, sqarimi i fatit të të pagjeturve, kompensimi i dëmeve të luftës… por pohon se me palën serbe nuk do të flasë për çështjet e brendshme, ndryshimin e kufijevë dhe shkëmbimin e territoreve. Pas video-konferencave të fundit në Paris dhe Bruksel, Hoti tha se Kosova në këtë proces po hyn për vetëm një qëllim – „njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”.
“Jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve, që vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve. Marrëveshja finale duhet të përfshijë njohjen reciproke, adresimin e çështjes së të pagjeturve, dëmet e luftës, kthimin e dokumenteve kadastrale, rregullimi i marrëdhënieve ekonomike në mes të të dy vendeve dhe lidhjet infrastrukturore”, deklaroi Hoti.
Vuçiq i pakënaqur me bisedimet e para
Ndërsa Aleksandar Vuçiq i ka quajtur si tërësisht të papranueshme kërkesat e fundit të palës kosovare, të paraqitura në takimin virtual me ndërmjetësimin e Lajçakut të dielën, si dhe dy ditë më parë (me 10 korrik) në samitin e organizuar nga presidenti i Francës Macron dhe kancelarja gjermane Merkel.
Vuçiq pohon se bisedimet do të jenë të vështira, por “Serbia është e gatshme të bisedojë për përmirësimin e kushteve të jetës për njerëzit tanë në Kosovë”. Vuçiq edhe më tej pohon se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.
Dialogu ishte i ndërperë për rreth 20 muaj për shkak të tarifave 100% të vëna nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ndaj mallrave serbe.
Do të jetë ky takimi i parë i drejtpërdrejtë në vazhdimin e dialogut të filluar në vitin 2011 pa prezencën e presidentit Thaçi, Aktakuza ndaj tij u bë publike vetëm tri ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, të ndërmjetësuar nga Richard Grenell. Takimi është shtyrë, ndërsa Thaçi po përballet që nga dita e hënë me pyetjet e prokurorëve të Gjykatës Speciale
dw