Ankesa e Gjykatës Kushtetuese se është duke u kërcënuar nga politikanë vendorë është diçka që nuk është parë më herët dhe tregon se sa serioze është situata, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar i kësaj gjykate.
Të martën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese ka dënuar ashpër, atë që e ka konsideruar ndërhyrje në pavarësinë e këtij institucioni, teksa ka përmendur se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.
Kjo gjykatë është në proces të marrjes së vendimit nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje, gjë që favorizohet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti ose opozita mund ta bëjë qeverinë, zgjidhje kjo që favorizohet nga presidenti Hashim Thaçi. Gjykata pritet ta marrë vendimin në fund të muajit maj.
Reagimi erdhi pasi presidenti Hashim Thaçi para disa ditësh tha se “askush nuk mund të mbajë të uzurpuar asnjë zyre të institucioneve të vendit”.
Kurse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha të martën se ishte kërcënuar nga një organizatë fantome që urdhëronte partinë e tij që mos të organizonte protesta kundër vendimit të gjykatës. Kurti tha se kërcënimi nuk i ishte drejtuar atij por “në veçanti, ndaj kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe gjyqtarit raportues.”
Por, të gjitha fjalët për Gjykatën Kushtetuese dhe përmendja e emrin të kryetares së këtij institucioni, shihen si presion në marrjen e vendimit se si të dilet nga kriza politike.
Ish-gjyqtari Kryeziu thotë se mund të ketë pasur presion të madh, që e ka detyruar Kushtetuesen të reagojë.
“Ato janë mendime, t’i quaj demokratike, por gjykata nuk duhet të ndikohet nga to, sepse i ka punët e saja të specifikuara dhe nuk duhet t’i dëgjojë ato. Gjithmonë kur ka lëndë të karakterit politik në shqyrtim, ka mendime e opinione të ndryshme, por gjykata nuk duhet t’i marrë sipër vetës”, tha Kryeziu.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, organizatë kjo që monitoron punën e gjykatave, tha për Radion Evropa e Lirë se deklarimet që kanë bërë zyrtarët e lartë të vendit për çështjen e dekretit që po e shqyrton Gjykata Kushtetuese, në vazhdimësi kanë qenë një lloj presioni mbi gjykatën.
“Qoftë përmes deklarimeve apo këshillave publike për Gjykatën Kushtetuese, janë duke ushtruar një presion të paparë i cili bie në kundërshtim të plotë me sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Siç duket të dyja palët, në këtë rast edhe kryeministri edhe presidenti, kanë frikë për një vendim të gjykatës i cili nuk do të jetë në favor të tyre”, tha Mifaraj.
Praktika e presioneve mbi Gjykatën Kushtetuese, thotë Mifaraj, ka qenë evidente edhe më herët.
Këto praktika sipas tij, duhet të ndalen dhe të gjithë, nënvizon ai, duhet të kuptojnë se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm që mund të bëjë interpretimin e Kushtetutës.
“Kjo është një praktikë e ndërtuar, nuk është diçka e re që po ndodh në Gjykatën Kushtetuese. Na kujtohen rastet VLAN 1, VLAN 2, [Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma] pastaj prokurorin e shtetit, apo në rastet kur kjo gjykatë ka pasur të marrë vendime të cilat ndërlidhen me formimin e institucioneve, apo me emërimet e personave kur janë kundërshtuar në këtë gjykatë”, tha ai.
Përmendja e Gjykatës Kushtetuese ka vazhduar edhe të mërkurën nga Kurti dhe Thaçi.
Kryeministri në detyrë Kurti, me anë të një shkrimi në Facebook tha sot se Gjykata Kushtetuese është nën trysni nga veprimet e presidentit Thaçi.
“Gjykata Kushtetuese duket se është nën trysni të paparë nga veprimet e presidentit. Dekreti i tij kapërceu partinë fituese dhe mandatoi atë që nuk ishte as në mesin e dhjetë më të votuarve në zgjedhjet e 6 tetorit”, tha Kurti.
Orvatja e katërt për rrëzimin presidencial të Republikës së Kosovës
1. Nga vizita në Washington D.C. u kthye duarthatë. Qëndroi atje mbi një javë, nga 23 shkurti deri më 2 mars 2020, takoi Vuçiqin e Serbisë, u soll e pështoll korridoreve pa arritur të ndodhet në të njëjtin kuadër filmik me Presidentin Trump ose Zëvendës Presidentin Pence. Unë nuk ju bashkova në lidhjen e shkurtër që ka me Vuçiqin për ujdi me thika mbi hartën e Kosovës. Ngeli pa marrëveshjen ‘historike’ sepse edhe ndërmjetësit amerikanë edhe presidenti serb e dinin që nuk ka legjitimitet: në Kosovë ishin kurorëzuar ndryshimet e 6 tetorit me qeveri të re të 3 shkurtit.
2. Të nesërmen e shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore më thirri në telefon. Presidenti më thoshte që don të konsultohet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë. Ia shpjegova që nuk janë krijuar kushtet për gjendje të jashtëzakonshme në vendin tonë. Situata është nën kontroll. Më 17 mars mbajtëm mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës në kohën kur nuk kishim asnjë të vdekur nga virusi Corona dhe vetëm 19 të infektuar. Edhe aty dështoi që ta fitojë diskutimin për nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Qeveria dhe mekanizmat shtetërorë po funksiononin të sinkronizuar si rrallë herë më parë. Me një përjashtim prej ministri.
3. Me 25 mars u bënë bashkë ata që në fakt nuk ishin ndarë. E votuan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë ndërkohë që nuk donin zgjedhje të reja! Meqë humbën te populli donin të fitonin në tavolinë. Të anashkalonin edhe fituesin e zgjedhjeve edhe më të votuaren e LDK-së. Pas 25 marsit, Presidenti po sillej thua se nuk kishte ndodhur 3 shkurti. Mirëpo, ai PLAN kishte dështuar në mëngjesin e 3 shkurtit, kur Presidenti kishte kërkuar nga deputetët e pakicave joserbe që të mos e votojnë qeverinë, me premtimin se herën e dytë ai do t’ia jep mandatin LDK-së kurse ata do të marrin më shumë ministri. Mbase PLAN-i edhe ka besuar që ne të LVV aq shumë e duam pushtetin saqë do biem në depresion kur të na e rrëzojnë qeverinë. Mirëpo, ne nuk mund ta duam pushtetin sikur ata. Për neve pushteti është mjet për shtetin dhe qytetarët e jo shtëpi e re për qeveritarët. Ne jemi në detyrë.
4. Gjykata Kushtetuese duket se është nën trysni të paparë nga veprimet e Presidentit. Dekreti i tij kapërceu partinë fituese dhe mandatoi atë që nuk ishte as në mesin e dhjetë më të votuarve në zgjedhjet e 6 tetorit! Teksa diskutimi që duhet të bëjmë është për datën më të përshtatshme për zgjedhje. Sepse rasti i tanishëm as formalisht e as materialisht nuk është i ndryshëm prej viteve 2010 dhe 2017: binte qeveria e shkohej në zgjedhje, pra respektohej procedura ashtu si e parasheh shprehimisht Kushtetuta. Në anën tjetër, Presidenti shpalli se 20 ditë është afati që duhet të ketë partia fituese për të çuar emër, pra, nga letra e parë me 2 prill deri te tryeza konsultative me 22 prill. Presidenti në Republikën e Kosovës është politikisht joaktiv. Ai nuk përzgjedh kandidatët e as nuk përcakton afatet, por veçse pranon propozimet. Presidenti simbolik, meqë vuan këtë fakt, don ta kthejë Republikën në simbolike. Me sjelljet e tij ilegale synon ta reduktojë shtetin në institucion paralel ndërsa Kushtetutën në udhëzim të tij administrativ.
Edhe orvatja e katërt do t’i dështojë. Koha nuk kthehet mbrapsht. 6 tetori 2019 ka ndodhur. Që prej atëherë, koha ka ecur përpara. I thjeshtë është problemi të dashur qytetarë: nuk mund ta shpëtojmë edhe Republikën edhe këtë President. E, unë e kam ndarë mendjen. Moti.