Të gjithë e rrëzuan Mustafën. Gati për një fillim të ri, ishte mesazhi i kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili shpjegoi arsyet pse e shkarkuan.
“Qytetarët e Kosovës dhe unë personalisht e kemi humbur besimin në udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa dhe kjo është arsyeja përse po shkojmë drejt zgjedhjeve. Është koha për një fillim të ri”, tha Veseli.
Njëkohësisht kryetar i PDK dhe kandat potencial për kryeministër, Veseli, me turet e tij nëpër Kosovë duket se ishte përgatitur prej javësh për këtë moment.
Por megjithatë, pas një telefonate me zëvëndës ndihmës seketerin amerikan të Shtetit, Hoyt Jee, ai i kishte kërkuar Mustafës të procedonte demarkacionin me Malin e Zi, një lëvizje e qartë kjo se çfarë i kërkohej në këmbim të mosmbështetjes së mocionit të opozitës.
“PDK ka insistuar që demarkacioni të vijë në Kuvend për të dështuar, rrjedhimisht që të pengojë liberalizimin e vizave dhe rrjedhimisht duke dalë në kundërshtim me partnerët strategjikë”, deklaroi deputetja Vjosa Osmani.
Opozita e ka kthyer shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi në një lajtmotiv të rrëzimit të kësaj qeverie.
“U kam bërë me dije këtyre që janë në pushtet se nuk mund të na thyejnë për cështjen e territorit. Sot u vërtetua se nuk kanë mundur të na thyejnë. Sot thyen veten, por jo ne”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Ne ia dhamë një mundësi vendit të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha kryetari i Nsimës për Kosovën, Fatmir Limaj.
Ndërsa kryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca u shpreh: “Pa fjalimet e deputetëve të opozitës, vetë ajo që ata i thanë njëri-tjetrit sot mjafton për të konkluduar se çfarë qeverisjeje kemi pasur”.
Mustafa nuk shihte ditë të mira që kur u plotësua dhe hallka e fundit e marrëveshjes që e solli në pushtet, ajo e vitit 2014, që parashikonte edhe Thaçin president.
Mocioni i mosbesimit në një arenë politike kosovare që prej kohësh i ngjan një loje shahu e vuri Mustafën në pozicion shah-mat. Që nga koha që Thaçi u bë president kjo nuk ishte përpjekja e parë.
Nën presionin e asaj që opinioni e sheh si kundërpërgigje të qartë ndaj hijes së rëndë të gjykatës për krimet e pretenduara të luftës nga UÇK, presidenti Thaçi kërkoi shndërrimin e FSK në ushtri pa ndryshime kushtetuese, duke ia hedhur topin qeverisë, teksa vetë bëri një hap prapa pas zemërimit ndërkombëtar.
Mes demarkacionit dhe ushtrisë së pamundur për momentin, me dinarikërinë e politikanit të vjetër, Mustafa u mundua të dredhojë, por hesapet dhe votat e tradhtuan të mërkurën në Kuvendin e Kosovës.
/ Top Channel