Vetëvendosje dërgon në Kushtetuese votën për qeverinë Hoti

Vetëvendosje!Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi të enjten në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së votimit të 3 qershorit për formimin e qeverisë së re të kryeministrit Avdullah Hoti.

Lëvizja vlerëson se pjesëmarrja në votim e deputetit Etem Arifi, i dënuar për një vepër penale, e bën të pavlefshëm dhe jo kushtetues votimin në parlament.

Në njoftimin e kësaj lëvizjeje thuhet se “më 3 qershor në seancën e Kuvendit të Republikës në të cilën u votua Qeveria ilegale dhe kundër vullnetit të votuesve, mori pjesë edhe deputeti i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për vepër penale me një vit e tre muaj burg. Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, thuhet me tjerash në njoftim.

Deputetët e kësaj lëvizjeje thanë se i kanë ofruar edhe provat që dëshmojnë qartazi se zoti Etem Arifi është dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe për rrjedhojë ka humbur mandatin e deputetit.

Kjo kërkesë është rasti i radhës që ose do të shpërfaqë edhe më shumë rënien e shtetit të së drejtës në justifikimin e çdo paligjshmërie, ose do të konstatojë atë që e thotë Kushtetuta se një deputet i dënuar me mbi një vit burg humb mandatin dhe se vendimi që merr për bazë votimin e tij është në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet në njoftim.

Deputeti Etem Arifi, në prill të vitit 2018 ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, pasi që ishte shpallur fajtor për veprën penale “të mashtrimit me subvencione”. Dënimi i zotit Arifi, ishte konfirmuar edhe me Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të datës 20 gusht 2019, me të cilin dënimi me burgim ishte ulur në një vit e tre muaj.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, nëse dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Sipas autoriteteve zoti Arifi me 29 qershor duhet të paraqitet ne Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për të filluar vuajtjen e dënimit”.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, kishte kërkuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të shqyrtojë mandatin e deputetit Etem Arifi.

Kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, e kishte cilësuar “kërkesë të pabazuar”, meqë komisioni “nuk trajton çështjet e përfunduara ligjore”.

Parlamenti i Kosovës miratoi me numrin minimal prej 61 votash, më 3 qershor përbërjen e qeverisë së re të koalicionit të Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe partive të pakicave.

Formimi i qeverisë së re pasoi rrëzimin e qeverisë së ish kryeministrit Albin Kurti me një mocion të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Nga 25 marsi deri më 3 qershor vendi mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit.

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>