Raportueja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon i kërkon LDK-së që ta pezullojë vendimin për mocion mosbesimi për qeverinë Kurti.
Raportueja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duhet të mbeten të angazhuara dhe mos të lejojnë që në Kosovë, duke gjetur krizën e visurit COVID-19 si pretekst të grabitet pushteti. Në një komunikatë për medie, Viola von Cramon, tha se partneri i koalicionit LDK në qeverinë e re të Kosovës, ka njoftuar se do të iniciojë mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, që ka marrë detyrën më pak se 50 ditë më parë. Sipas saj, presidenti Hashim Thaçi, gjithashtu dëshiron ta përdorë krizën nga virusi COVID-19 për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme, jo vetëm për të fituar më shumë fuqi, por edhe ta shfrytëzojë këtë moment për të larguar nga zyra e tij kryeministrin aktual të Kosovës.
“Presidenti Thaçi dhe LDK-ja anëtare e koalicionit, së bashku po përdorin krizën e korona-virusit si një pretekst për lojërat e tyre të pushtetit. Arsyeja e udhëheqjes së LDK-së dhe thirrja e tyre për mocion mosbesimi nuk është se si po trajtohet kriza aktuale. Ata duan të sigurohen që në skenën ndërkombëtare udhëheqësi legjitim i pushtetit ekzekutiv i zgjedhur, kryeministri Albin Kurti, të mos jetë në gjendje që ta drejtojë dialogun ndërkombëtar”, shprehet raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola Von Cramon. Sipas saj, në rrethanat e jashtëzakonshme të mbylljes së kufijve ku edhe jeta normale politike është kufizuar shumë, partnerët e koalicionit duhet të lenë menjëanë dallimet e tyre dhe të përqëndrohen në masa kundër përhapjes së virusit.
“LDK duhet të marrë në konsideratë pezullimin e vendimit të saj për një mocion mosbesimi deri pas përfundimit të krizës për shëndetin publik”, thotë Viola von Cramon.
“Është interes jetik i Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që Kosova të ketë një qeveri të qendrueshme dhe funksionale, një qeveri e cila tashmë tregoi vullnetin e mirë për të bashkëpunuar me Beogradin dhe me aktorët e tjerë ndërkombëtar”, thotë Viola Von Cramon, duke i tërhequr vërejtjen SHBA-së “që mos të kalojë mbi qeverinë e Kosovës dhe të mbrojë interesin e vet të afatshkurtër të biznesit”.
Lidhja Demokratike e Kosovës pas njoftimit, se do të inicojë votë mosbesimi për qeverinë Kurti, tashmë ka filluar të mbledhë nënshkrimet që mocionin ta vendosë në rend dite në Parlamentin e Kosovës. Deri tash, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe Nisma për Kosovën e drejtuar nga Fatmir Limaj, janë deklaruar se do ta mbështesin LDK-në për rrëzimin e qeverisë Kurti.
dw