Pasuria e përfituar nga krimi dhe korrupsioni i organizuar
Pasurimi i të afërmeve të tyre dhe miqve është bërë në forma të ndryshme, mirëpo si formë “legjitime” është bërë në shumë raste me anë të tenderëve apo kontratave të ndryshme në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e shtetit.
Elita politike e Kosovës duke qenë herë në pushtet e herë në opozitë, por gjithnjë duke qenë afër krimit të organizuar dhe duke qenë shpeshherë edhe pjesë e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka arritur që të përvetësoj shumë para, thënë shkurt siç thotë populli është pasuruar “sa çil e mshil sytë”. Kjo pasuri e madhe e tyre, ka bërë që shumë mekanizma shtetëror të mos funksionojnë siç duhet, si bie fjala Gjyqësorin dhe Prokurorinë e Shtetit. Ky mosfunksionim i tyre ishte bërë jo për tjetër por për shkak të dhënies së ryshfetit dhe mitos në mënyrë që të mos ndiqen raste të caktuara të krimit, për shkak se ato kanë mundur të qojnë deri tek persona të caktuar të elitës politike.
Pasurimi i tyre (elitës politike) është bërë shpeshherë jo i drejtpërdrejtë. Ata kanë ditur në shumë raste të pasurojnë shumë miq të tyre, aleatë të ndryshëm e familjarë. Mirëpo, duke pasuruar këta të fundit, ata kanë ditur edhe të margjinalizojnë shumë individë apo të gjithë ata që nuk i kanë parë si miq. Pasurimi i të afërmeve të tyre dhe miqve është bërë në forma të ndryshme, mirëpo si formë “legjitime” është bërë në shumë raste me anë të tenderëve apo kontratave të ndryshme në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e shtetit, kështu duke shfrytëzuar pushtetin e tyre. Shpeshherë këto kontrata janë bërë edhe në mënyrë selektive, duke pamundësuar apo duke eliminuar shumë kompani apo individë të caktuar ndoshta edhe për arsye krejtësisht banale apo kinse procedurale.
Elita politike e vendit duke shfrytëzuar pozitat e tyre që nga fillim vitet e ’90-ta, por sidomos pas vitit ’99, me përfundimin e luftës në Kosovë, “kapën” pushtetin dhe pronat publike të vendit, por edhe shumë prona private të shqiptarëve, por edhe të serbëve, kështu për një kohë shumë të shkurtër grumbulluan milionat. Këta miliona u përdorën për të bërë milionat e tjerë, kështu edhe u infektua shoqëria e vendit me sindromën e quajtur korrupsion.
(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)