Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot është takuar me deputeten e Parlamentit Evropian Viola Von Cramon. Çështja e dialogut Kosove-Serbi dhe marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë ishin temat kryesore, njoftoi presidenca.
Sipas Vuçiq, duhet arritur një marrëveshje kompromisi përmes dialogut. Ndërsa, Von Cramon për mediat serbe tha se Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së. Lidhur me çështjen e sanksioneve, ajo tha se kjo duhet të jetë çështje e Qeverisë së Serbisë.
Dialogu është mënyra e vetme e drejtë për zgjidhjen e çështjeve të hapura, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme, ka deklaruar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në takimin me deputeten e Parlamentit Evropian Viola von Cramon. Sipas njoftimit nga presidenca, Vuçiq tha se pret mbështetje konstruktive për dialogun dhe gjetjen e një zgjidhje kompromisi, me zbatimin e te gjitha marrëveshjeve dhe mbi të gjitha për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Sipas tij, Serbia do të vazhdojë të ndjekë rrugën e saj evropiane. Eurodeputetja Von Cramon theksoi, njofton presidenca, se respektimi i të drejtave të serbëve në Kosovë është në interes të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut, duke shtuar se në situatën aktuale të vështirë gjeopolitike është e nevojshme që të dyja palët të jenë përgjegjës dhe të përmbahen nga provokimet.
Ndërkaq, duke folur për mediat serbe, Von Cramon tha se edhe Kosova duhet të ketë vendin e saj në BE-në, dhe se nuk është në interesin e BE-se që Serbia të lobojë kundër pavarësisë së Kosovës.
“Unë do të doja që Kosova të ishte në të njëjtin nivel me Serbinë në kuadër të BE-së. Kjo është në interes edhe për popullin serb, sepse pa e zgjidhur këtë çështje do të jetë e vështirë për Serbinë të jetë pjese e BE-se”, tha Viola Von Cramon. Lidhur me çështjen e sanksioneve, ajo tha se kjo duhet të jetë çështje e Qeverisë së Serbisë. “Nëse ata duan të jenë “pjesë e klubit” ajo shkon me vlera, norma dhe standarde, dhe jo që BE-ja të detyrojë dikë të bëjë diçka”, tha eurodeputetja gjatë qëndrimit të saj në Beograd.
rtk