Von der Leyen: Evropa nuk është e plotë pa Kosovën

Ursula VjosaPresidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, tha në Prishtinë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe ajo personalisht është e angazhuar që kjo të ndodhë sa më parë.

 

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në Prishtinë se Evropa nuk është e plotë pa Kosovën brenda. Prandaj në këtë linjë ajo përsëriti se vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian. Von der Leyen tha pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës se ajo do ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

“E di që vendi juaj vazhdon të demonstrojë përkushtim shumë të madh në rrugëtimin evropian. Keni treguar vlerat tuaja drejt integrimit evropian. Dhe i jeni bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Jeni duke bërë reforma ambicioze, ju uroj për këtë. Kjo punë e zellshme që ka bërë Kosova është reflektuar edhe në raportin e fundit të progresit që është pozitiv për Kosovën”, tha Von der Leyen. Presidentja e Komisionit Evropian theksoi në Prishtinë që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe ajo personalisht është e angazhuar që kjo të ndodhë sa më shpejtë.

“Ju kam dëgjuar qartë për aspektin e liberalizimit të vizave dhe dijeni se edhe unë jam aleatja juaj në këtë drejtim. Kosova e meriton liberalizimin e vizave, e di sa e rëndësishme është kjo për ju. I keni përmbushur të gjitha standardet. Ishte vlerësim i joni që kjo të bëhet në korrik, tanimë e kemi konfirmuar se i keni plotësuar të gjitha kriteret. Detyra jonë është të bindim tërë Këshillin Evropian. Mund të llogarisni te ne në Komision sepse ne do të bëjmë gjithçka për t’ju ndihmuar në rrugëtimin tuaj”, tha Von der Leyen. Presidentja e Komisionit Evropian po viziton Kosovën vetëm pak ditë kur skadon afati me 31 tetor për konvertimin e targave të makinave serbe dhe ku shumë akter ndërkombëtar kërkuan që ky afat të shtyhet edhe për 10 muaj.

 

Problemi me targat

“Shumë shkurt dhe shumë qartë: Unë mendoj  se është e domosdoshme që rregullat të respektohen në çdo shtet.  Nëse ka periudhë transitore, ajo duhet të jetë përfshirëse dhe të shkojë ashtu siç duhet”, tha Von der Leyen, kur u pyet për çështjen e targave. Presidentja e Komisionit Evropian nga Prishtina udhëton për në Serbi vend i cili akoma nuk i ka vendosur snaksione Rusisë, megjithë thirrjen e Bashkimit Evropian. Von Der Leyen, tha se Rusia po e shfrytëzon energjinë si armë duke i manipuluar edhe tregjet ndërkombëtare.

“Ju siguroj që BE-ja nuk do të dorëzohet para këtij shantazhi të Rusisë”, tha Von der Leyen.

Sidoqoftë, kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në skadimin e afatit të dhënë nga qeveria e Kosovës kur qytetarët serb të Kosovës do të mund të qarkullojnë me targat në veturat e tyre që  mbajnë inicialet e qyteteve nga koha e paraluftës. Ka një refuzim nga serbët e veriut, por edhe nga Beogradi, i cili kërkon që kjo çështje të jetë pjesë e negociatave në Bruksel. Data 31 tetor është afati i fundit për konvertimin e targave dhe kjo situatë duket se ka alarmuar bashkësinë ndërkombëtare për mundësinë e tensionimit të gjendjes sidomos në veri të Kosovës. SHBA-të dhe Bashkimi Evropian kërkuan nga qeveria e Kosovës që edhe për 10 muaj të shtyjë afatin për targat. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se  SHBA-ja mbështet  dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa duke folur për çështjen e targave, ai tha se “shpreson që kjo të zgjidhet në mënyrë paqësore”.

 

SHBA mbështet dialogun

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë konsistente dhe përkrahëse për dy vendet. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë me shpresën se do ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, tha Ned Price.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se qeveria e tij i merr shumë seriozisht sugjerimet e aleatëve, por ka për obligim respektimin e ligjit. Sipas tij,  Kosova e ka bërë një shtyrje të afatit për targat nga 31 korriku deri më 1 nëntor. Ka kohë edhe pak ditë që të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS, thotë Kurti.

“Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje. Por zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, thotë Kurti. Sipas tij, moskonvertimi i targave ilegale në ato të Kosovës origjinën e ka tek “fushata negative e Beogradit dhe aktet kriminale të dhunës në veri që po e vështirësojnë fushatën për konvertim të targave”.

 

10.000 vetura me traga të vjetra?

Sipas të dhënave të Ministrisë së Rendit të Kosovës besohet se afër 10.000 vetura me targa me akronime serbe të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Lista Srpska që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe e cila po kundërshton afatin e dhënë nga qeveria e Kosovës për çështjen e targave, zhvilloi takim në Beograd me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka thirrur takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, pikërisht për afatin e dhënë nga qeveria e Kosovës që pas datës 31  tetor të mos lejojë qarkullimin e targave ilegale serbe. Kryetari i listës Srpska, Goran Rakiq, në një konferencë për media në Beograd, tha se “nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe, atëherë do të ketë bllokim të rrugëve”.

 

Kërcnënimet me bllokime

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq. Sipas tij, presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë, e pronat tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”, tha Goran Rakiq.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, pikërisht për kërcënimet për bllokim rrugësh në veri, fajësoi siç tha “bandat kriminale” dhe politikën në Beograd.

“Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin. Krejt kjo shpjegon gjithçka. Serbia kërcënon me dhunë pse Kosova po e zbaton ligjin. Kjo është ajo piktura e madhe që vazhdimisht insistojmë që të gjithë ta shohin, është çështje e zbatimit të ligjit. Respektim i parimeve e standardeve më të larta. Po e zbatojmë ligjin”, tha presidentja Vjosa Osmani-Sadriu.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>